E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Buxheti i 2009 i njëjtë me këtë vit”

 

zirina llambro

Njësia bashkiake nr.6 në Kombinat nuk do të miratojë projektbuxhetin e 2009-ës, të propozuar nga Bashkia. Kryetarja e saj, Luzhiana Abazaj, deklaroi dy ditë më parë gjatë një takimi me qytetarët se buxheti në fjalë nuk përmbush kërkesat e komunitetit. “Duke bërë krahasimin e projektbuxhetit të vitit 2008 dhe asaj të 2009-ës, rezulton se pjesa më e madhe e projekteve janë të përsëritura”, shprehet Abazaj. Pra sipas saj për vitin që vjen i bie që Bashkia të mos realizojë asnjë projekt në këtë zonë sepse ato që i ka paraqitur në projektbuxhet janë të përfunduara nga vetë minibashkia. “Rama përjashtoi njësinë bashkiake nga takimi për projektbuxhetin, ndonëse është aktori kryesor që do ta vërë atë në zbatim. Përjashtoi edhe komunitetin, pasi takimin e bëri vetëm me militantë. Prandaj, jemi mbledhur me përfaqësues të këshillit të njësisë dhe banorë të Kombinatit për të dëgjuar kërkesat e tuaja”, tha Abazaj. Ajo pohoi se Rama nuk e njeh fare komunitetin, as planin rregullues të zonës, por bën vetëm takime rutinë sa për të kaluar radhën. “Kryebashkiaku flet për landfilldin e Sharrës, por të gjithë e dinë që ky është një projekt i qeverisë dhe bashkia thjesht i administron këto mbetje. Se si e bën këtë e tregojnë vetë banorët, të cilët ankohen çdo ditë që mbeturinat i kanë në dyert e banesave të tyre edhe pse paguajnë rregullisht taksat”, u shpreh Abazaj. Ajo pohon se përveç mungesës së seriozitetit, Rama ofendon qytetarët duke i propozuar të njëjtat projekte që u premtoi në 2009. “Janë 5 rrugë, po i citoj përkatësisht “Shaban Bardhoshi”, “Hamdi Pepa”, Llazi Miho”, “Llambi Bonata” dhe “Hamdi Cenoimeri”, të cilat bashkia premtoi t’i asfaltonte në vitin 2008. Kjo gjë nuk ka ndodhur dhe po këto rrugë i ka futur në projektbuxhetin e 2009", sqaroi Abazaj. Gjatë takimit me qytetarët janë dëgjuar kërkesat e tyre dhe njësia bashkiake ka dalë me kërkesat e saj për projektbuxhetin e vitit që vjen, të kërkuara dhe nga komuniteti. Fondi total për të realizuar këto investime është 150.349 660 lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›