E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjana: Laboratorë të rinj për analizat e ushqimeve

 

Kontrolli i ushqimeve lë për të dëshiruar dhe konsumatori është i pambrojtur. Për të ndërgjegjësuar aktorët në përmirësimin e standardeve, Avokati i Popullit dhe ZMK organizuan dje Konferencën Kombëtare “për të drejtat e konsumatorit”. Të pranishëm ishin edhe Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, e Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo. Sipas Gjanës, shumë shpejt do të nisë të zbatohet projekti për rritjen e kapaciteteve laboratorike në vend. “Ky projekt mjaft i rëndësishëm kap vlerën e 2 milionë eurove dhe është i financuar nga Kooperacioni Italian, më anë të tij ne do të kemi mundësinë të kryejmë  analiza që ende nuk i bëjmë dot në vendin tonë”, tha Gjana. Ai shtoi se Shqipëria ka qenë një vend i kaosit mes institucioneve të ndryshme, atyre qendrore dhe lokale përsa i përket kontrollit ushqimor në vend. Duke u ndalur në punën e inspektorëve ushqimorë, ministri pohoi se gjatë këtij viti janë kryer rreth 70 mijë kontrolle ushqimore, 100 mijë analiza dhe tonelata të tëra ushqimesh të skaduara janë groposur, ndërkohë që dhe shumë kontenierë me ushqime, që kanë rezultuar jashtë standardeve për konsum, nuk kanë arritur të kalojnë doganën shqiptare. Të pranishmit e tjerë në konferencë e vunë theksin në sigurinë e konsumatorëve dhe mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të tyre, si një përgjegjësi që i takon jo vetëm prodhuesve, tregtuesve, por dhe shtetit që duhet të veprojë me mekanizmat e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›