SHBA: Ligji i dosjeve ngre shqetësime kushtetuese
ADI SHKEMBI
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që në hartimin e draftit përfundimtar të pastrimit të figurave të zyrtarëve të lartë të përfshihen edhe ekspertët e huaj. Një ditë pasi Parlamenti vendosi të shtyjë për të hënën e ardhshme hapjen e dosjeve, Shtëpia e Bardhë reagon duke vlerësuar vendimin e deputetëve. Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë nga ambasada amerikane në Tiranë thuhet se, “gjithashtu nxisim fuqimisht që shqyrtimi i mëtejshëm i këtij projektligji të përfshijë pikëpamjet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë për të siguruar përputhjen e tij të plotë me standardet ndërkombëtare”. Në të njëjtën kohë Shtetet e Bashkuara teksa vlerësojnë vendimin e Kuvendit për shtyrjen e diskutimit për dosjet, theksojnë se drafti i paraqitur për miratim ngre shqetësime serioze kushtetuese. Sipas deklaratës për shtyp, “Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirëpret vendimin e mbrëmshëm në Parlament për të shtyrë votimin mbi Projektligjin për Pastërtinë e Figurave. Ne jemi të inkurajuar që ky hap i rëndësishëm do të japë kohë për reflektim të matur dhe debat të hapur publik, të nevojshme për një projektligj që ngre shqetësime serioze kushtetuese dhe ligjore”. Ndërkohë të hënën në mbrëmje, gjatë diskutimit maratonë të ligjit të dosjeve, disa deputetë janë shprehur se nene të veçanta të tij bien ndesh me Kushtetutën. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, tha në fjalën e tij se drafti i paraqitur nga Partia Demokratike bie së paku ndesh me Kushtetutën në 15 nene të tij. “Ky p/ligj është një kthim mbrapa, sepse jo vetëm nuk dënon realisht krimet e komunizmit dhe nuk bën transparencën e dosjeve, por i hap rrugën përdorimit politik të dosjeve, mbron spiunët dhe eksponentët e Partisë së Punës dhe i hapë rrugën eliminimit të kundërshtarëve politikë të ditës, çka bie në kundërshtim me frymën e rezolutës së KE-së dhe 15 nene të Kushtetutës së vendit”, tha Ndoka. Nga ana tjetër avokat Spartak Ngjela tha se me miratimin e tij do të rrëzohej si qeveria, ashtu edhe Gjykata Kushtetuese, ndërkohë që shtoi se kjo gjykatë nuk mund të merrte në shqyrtim këtë ligj, nëse ai do të ankimohej. Përveç deputetëve, edhe grupet e interesit e kanë konsideruar antikushtetues ligjin e hartuar nga maxhoranca. Kryetarja e shoqatës së gjyqtarëve, Manjola Bejleri, theksoi se ligjet për organizimin dhe funksionimin e gjyqësorit janë miratuar me shumicë konsensuale, ndërkohë që miratimi i ligjit për dosjet kërkon një shumicë të thjeshtë. Sipas Bejlerit, miratimi i këtij ligji prek edhe rastet e lirimit të gjyqtarëve. “Për shkak të rëndësisë së veçantë që kanë gjykatat si organe të parashikuara nga Kushtetuta, statusi, organizimi dhe funksionimi i gjyqtarëve është bërë me ligje të miratuara me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit, e parashikuar nga neni 81/2/a i Kushtetutës.