E Diel, 1 Nëntor 2026

Milo: Një ligj me shumicë të thjeshtë nuk del mbi Kushtetutën

 

Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, duke komentuar ligjin për pastërtinë e figurave të përgatitur nga maxhoranca dhe të hedhur poshtë nga opozita, e cilëson atë antikushtetues. “Kushtetuta e Shqipërisë përcakton qartë se kur mbaron ose ndërpritet mandati kushtetues i anëtarëve të institucioneve të larta kushtetuese. Nëse kërkohet ndërprerja e mandatit të një gjyqtari pa asnjë nga këto kushte, atëherë ky ligj bie ndesh me Kushtetutën, duke e bërë atë antikushtetues”, u shpreh Milo. Sipas tij, këtë gjë e ka kuptuar dhe vetë Berisha, prandaj ai kërkon një konsensus të gjerë, për të shmangur rrëzimin e tij nga Gjykata Kushtetuese. Kreu i PDS-së e sheh përpjekjen e maxhorancës për të miratuar këtë ligj si përpjekjen e fundit për të nënshtruar organet e drejtësisë. “Përpjekjet e dështuara të Berishës për të nënshtruar gjyqësorin deri tani kanë dështuar, prandaj kjo është përpjekja e fundit që ai i bën drejtësisë, për ta frikësuar apo gjunjëzuar. Kjo është një përpjekje e lexueshme qartë”, tha Milo. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›