Patozi: PS e mbërthyer në të shkuarën kriminale të diktaturës
Partia Demokratike reagoi dje një ditë pas shtyrjes së votimit të ligjit të dosjeve. Kryetari i grupit parlamentar, Astrit Patozi, tha në një konferencë për shtyp se qëndrimi i socialistëve në debatin maratonë të së hënës bëri një figurë të shëmtuar. “Grupi i PS-së dje bëri një figurë shumë të shëmtuar dhe ky është një lajm shumë i keq. Forca kryesore e opozitës, edhe pas 18 vitesh, gjendet ende e mbërthyer në të shkuarën kriminale të diktaturës komuniste”, tha deputeti Patozi. Ai theksoi se tani nga Partia Socialiste mund të pritet vetëm reflektimi dhe ndryshimi i qëndrimit në seancën e të hënës së ardhshme, ku është parashikuar edhe votimi për ligjin e dosjeve. Duke u shprehur skeptik në ndryshimin e qëndrimit të opozitës, Patozi tha se, “ne i kemi ezauruar të gjitha format e kompromisit gjatë këtyre ditëve dhe viteve që ky ligj ka qenë në shqyrtim. Ne kemi bërë që në thelbin e tij të prevalonte varianti çek, ndërkohë që ka pasur shumë zëra brenda PD-së që kanë çuar në një variant më radikal, të ngjashëm me atë polak”. Sipas tij, “seancën e mbrëmshme ka pasur një vërshim amendamentesh nga deputetë të ndryshëm, që kërkonin përmirësimin dhe ndryshimin e disa neneve të këtij p/ligji. Në respekt të rregullores ishte e detyrueshme që Komisioni i Ligjeve të shqyrtonte të gjitha këto amendime dhe ajo që pritet tani është miratimi përfundimtar, brenda pak ditësh, i këtij p/ligji”, sqaroi gazetarët kryetari i deputetëve demokratë.