E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti i 2009-s, ndryshimet që do të pësojë kryeqyteti



Emanuela Sako

Projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës, i parashikuar për vitin 2009, parashikon ndryshimin e Tiranës në të gjitha zonat. Kryeqyteti do të preket nga ndryshime të mëdha përgjatë gjithë territorit, që është përcaktuar nga vetë qytetarët. Këshilli Bashkiak i Tiranës, në mbledhjen e radhës, vendosi për shtyrjen e votimit të buxhetit të 2009-s, i cili do të vendoset në një nga këto ditë. Kryebashkiaku Edi Rama, në fillim të mbledhjes bëri prezantimin e buxhetit dhe diskutoi me anëtarët e këtij këshilli për shpërndarjen e buxhetit dhe pikat kryesore ku do të ndërhyhet. Sipas tij, për 2009-n buxheti arrinte në shifrën 7.6 miliardë lekë, që është menduar të shkojnë për shpenzime operative dhe kapitale për të gjitha programet e përfshira. Këshilli Bashkiak miratoi disa pika kryesore që ishin vendosur në rend të ditës, ku përfshihet huaja afatgjatë për financimin e ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës, si dhe për trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve të pastreha, të cilave u janë prishur shtëpitë për shkak të zbatimit të planeve rregulluese etj.
Ndryshimet
Buxheti i Bashkisë parashikon ndërhyrje të mëdha në disa sektorë problematikë për qytetarët në të 11 Njësitë Bashkiake. Në dëgjesat publike që janë zhvilluar mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe qytetarëve janë përcaktuar dhe zonat apo objektet në të cilat duhet të kryhen ndërhyrje. Kryeqyteti do të preket nga ndryshime të mëdha përgjatë gjithë territorit. Projekti i Bashkisë së Tiranës për rregullimin e territorit do të prekë qendrën e Tiranës dhe komunat përreth, të cilat do të marrin funksione të reja apo do të përmirësojnë kushtet e atyre ekzistuese. Një pjesë e madhe e zonave informale dhe ato që e kanë të nevojshme përshtatjen e kryeqytetit me parametrat e një qyteti europian do t’u nënshtrohen një sërë ndryshimesh. Zonat më të prekura nga ndryshimet janë periferitë dhe kryesisht zona e Kamzës dhe Bregu i Lumit, apo shtrirja që do të ketë ndërtimi i Unazës së Madhe. Projekti i Bashkisë parashikon që në këtë pjesë të Tiranës të bëhet një ndërhyrje e thellë, ku të prishen të gjitha ndërtimet pa leje, ato që pengojnë për zbatimin e projektit. Njëkohësisht dhe qendra e qytetit do të preket nga disa ndryshime, pasi në këtë pjesë nuk do të ketë qarkullim të automjeteve. Prioritet do të kenë këmbësorët dhe të gjithë ata që kërkojnë të lëvizin me biçikleta.
Zonat
Zonat më të prekura nga ndryshimet kanë një shtrirje që nis nga qendra e kryeqytetit dhe shtrihet deri në periferi të tij.
Projekti i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e Unazës së Madhe prek atë pjesë të kryeqytetit që nis që nga Shkolla Teknologjike deri te Rruga e Elbasanit. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës dhe kjo pjesë ka një gjatësi rreth 2.2 kilometra, ku përfshihet edhe zgjerimi. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.
Tjetër zonë që do të preket është ish-Fusha e Aviacionit, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, e cila do të kthehet në një park me pemë, gjelbërim, kënde lojërash etj. Ndërsa përsa i përket pjesës së Kamzës, do të bëhet një punë voluminoze për shkak të mjaft ndërtesave pa leje të ndërtuara në çdo cep të kësaj pjese të Tiranës. Kjo zonë do të ketë disa qendra tregtare dhe rrugë apo rrugica të detajuara në bazë të planifikimit urban që do të bëhet nga projekti për zonën. Pjesë e ndryshimeve do të jetë edhe pjesa e Bregut të Lumit, ku tani është kthyer në një “karantinë” banesash të vogla, që strehojnë të pastrehët e kryeqytetit.

Buxheti për 2009-n
Mjedisi dhe rikualifikimet urbane 12.4% më shumë se 2008
Pastrimi i qytetit 70.5% më shumë se 2008
Infrastruktura rrugore 21.4% më shumë se 2008
Transporti publik 2.7 herë më shumë se 2008
Arsimi parauniversitar dhe edukimi 50% më shumë se 2008

Propozimet sipas njësive bashkiake

Njësia Bashkiake Nr. 4
Rikonstruksion i infrastrukturës në Bllokun Nr. 61, kufizuar nga rrugët “Qemal Stafa”, “Bajram Curri”, Rruga e Dibrës dhe Oxhaku, me një sipërfaqe rreth 29.5 ha.

Njësia Bashkiake Nr. 7

Rikonstruksioni i Bllokut Nr. 22, kufizuar nga rrugët M.Gjollesha, blv. “Zhan Dark” dhe “Irfan Tomini”, me një sipërfaqe rreth 21.5 ha.
Njësia Bashkiake Nr. 5
Rikonstruksioni i Bllokut Nr.79, kufizuar nga rrugët “Irfan Tomini”, Unaza e Re, Rruga e Kavajës dhe blv. “Bajram Curri”, me një sipërfaqe rreth 29.5 ha.
Rikonstruksioni i Bllokut Nr. 63, kufizuar nga rrugët “Irfan Petrela”, “Viktor Eftimi”, “Komuna e Parisit”, “Sulejman Delvina” dhe blv. “Bajram Curri”, me një sipërfaqe rreth 17 ha.

Njësia Bashkiake Nr. 8
Rikonstruksioni i infrastrukturës në Bllokun Nr. 31, kufizuar nga rrugët “Ferit Xhajko”, “5 Maji”, “Siri Kodra”, me një sipërfaqe rreth 43 ha.
Njësia Bashkiake Nr. 11
Rikonstruksioni i infrastrukturës në Bllokun Nr. 45, kufizuar nga segmentet Kamzë, Lana, Hekurudha, rruga ish - kombinati “J. Pashko”, me një sipërfaqe rreth 35 ha.

Njësia Bashkiake Nr. 1
Rikonstruksioni i Bllokut Nr. 59, kufizuar nga rrugët “Hasan Sufa”, “Ali Demi”, blv. “Bajram Curri”, me një sipërfaqe rreth 15 ha.

Njësia Bashkiake Nr. 10
Rikonstruksioni i infrastrukturës në Bllokun Nr. 17, kufizuar nga Rruga e Durrësit, “Mine Peza” dhe Unaza, me një sipërfaqe rreth 9.3 ha.

Njësia Bashkiake Nr. 9
Rikonstruksioni i Bllokut Nr. 51, kufizuar nga rrugët “Jordan Misja”, Unaza dhe “Don Bosko”, me një sipërfaqe rreth 35 ha.
Në ndërtim dhe asfaltim rrugësh,
Krijimi i akseve kryesore të lëvizjes në qytet/ndërhyrje të rëndësishme në unazat e qytetit,
rikonstruksion në blloqe banimi,
mirëmbajtje të thella, si dhe përfundimin e objekteve në vazhdim nga viti 2008.

Rikualifikimi urban i sheshit “Skënderbej”

Ky projekt synon rikualifikimin urban të sheshit “Skënderbej”, si dhe të kompleksit të monumenteve të rëndësishme që lidhen me të, të Kullës së Sahatit dhe të Xhamisë, e njohur si Xhamia e Etem Beut. Kulla e Sahatit do të kalojë nëpër një proces restaurimi të thellë, i cili do të shoqërohet edhe me vendosjen e mekanizmit të orëmatësit dhe fushave të orës. Kjo ndërhyrje do të mundësohet falë donacionit të qeverisë kuvajtiane, në shumën 5 000 000 euro.

Qendra Sociale
Qendra shumëfunksionale do të jetë një shërbim i ri gjatë vitit 2009, i cili do t’u ofrojë asistencë dhe përkujdes grupeve miks të kategorive në nevojë nëpërmjet ofrimit të shërbimeve të integruara për të rinjtë, gruan, fëmijën, moshën e tretë etj. (Njësia Bashkiake Nr. 7)

Qendra ditore për të moshuarit e vetmuar do të ofrojë gjatë vitit 2009 shërbime të integruara për këtë grup social, duke përmbushur nevojat sociale të këtij grupi për qytetin e Tiranës, në një nga zonat periferike të qytetit (Njësia Bashkiake Nr. 6).

Qendra ditore për fëmijët e rrugës do të fillojë ofrimin e shërbimeve sociale në vitin 2009, duke siguruar mbështetje profesionale dhe ekspertizë ndërkombëtare dhe largim nga rruga, për fëmijët që lypin dhe punojnë (Njësia Bashkiake Nr. 9).

20 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›