“NJË BURRË QË QAN...” – sonte në “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”
Një mbrëmje e mbushur me histori, copëza jete, drama e pasazhe të gëzueshme nga jeta e protagonistëve të së shtunës mbrëma do të cilësohej ajo e datës 13 dhjetor në programin “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” në Vizion Plus. Historia e parë i përkiste dy gjyshërve nga Elbasani, të cilët kërkonin të lidhnin kontakte me nipërit e tyre. Familja Çaka nga Elbasani rrëfeu në studio ngjarjen, zanafilla e së cilës datonte vitin 1997. Pikërisht në këtë vit djali i tyre Rando bën aksident duke lënë pas bashkëshorten e tij Artën dhe dy fëmijët, Anën dhe Limanin. Në 6-mujorin e vdekjes se Randos, Arta shkon për vizitë te prindërit e saj së bashku me fëmijët për të mos u kthyer më kurrë pranë prindërve të bashkëshortit të saj. Ditë më vonë, familja Çaka merr vesh se Arta ishte nisur drejt Francës, në qytetin e Nancy-t. Në muajin maj të vitit 1998, ata nisin të mbajnë kontakte të rregullta mes tyre të cilat zgjasin deri në vitin 2000. Pas këtij viti, gjyshërit nuk arrijnë të marrin më asnjë lloj informacioni rreth nipërve të tyre. Përreth 8 vjet, gjyshërit interesohen në institucione të ndryshme, por pa marrë prej tyre asnjë përgjigje. Kërkimet e para në programin “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” nisën pikërisht në Nancy pasi në sajë të verifikimeve paraprake rezultonte se Arta jetonte ende aty së bashku me fëmijët. Bisedat mes stafit të gazetarëve dhe të afërmve të Artës në Francë kanë qenë të gjata dhe mjaft të vështira. Në bazë të pohimeve të vëllait të Artës apo dhe të afërmëve të tjerë të saj, ajo nuk pranon në mënyrë kategorike të flasë me gjyshërit e fëmijëve në Elbasan. Duke mos ndërhyrë në marrëdhëniet mes të rriturve, ajo që programi kërkoi të evidentonte ishte e drejta e nipërve për të patur një raport me gjyshërit e tyre. Një rast urgjent u prezantua të shtunën e kaluar gjatë programit. 12-vjeçari nga fshati Podgorie i Korçës, por me banim në Kamzë të Tiranës, Dionis Çoçka, ishte larguar nga familja 2 javë më pare, më 1 dhjetor, në orën 09:00 të mëngjesit, teksa ka qenë duke luajtur me shokët e tij. Sapo nëna ka rrëfyer në studio historinë me detaje të humbjes së tij, veshjen me të cilën ai ishte larguar atë ditë, teleshikuesit kanë arritur të japin informacionet e para rreth vendndodhjes së djalit duke bërë që brenda një kohe rekord prej pak orësh djali të gjendej pikërisht në zonën e Selvisë në Tiranë. Nënë e bir janë takuar pas dy javësh pritjeje plot ankth dhe kanë përqafuar fort njëri-tjetrin në studion e Rudina Magjistarit duke i dhënë fund dilemës së vendndodhjes së djalit. E dinte vajzën të zhdukur prej katër vitesh, por “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” arrin ta gjejë atë në Belgjikë. Historia e Tereza Pashës nga Fieri pati një fund të lumtur. Babai i saj, Rrapo, nuk kishte asnjë lajm prej vajzës që prej vitit 2004, kohë në të cilën vajza do t`i besonte verbërisht dashurisë së parë duke braktisur babain dhe familjen për të ndjekur djalin që donte, fillimisht në Tiranë e më pas në Greqi. Në një familje me 9 fëmijë, Tereza ishte fëmija i parafundit. Nëna e saj do ta linte vetëm përgjithmonë kur ajo ishte vetëm 6 vjeçe. Natën e së shtunës, gazetarët e Rudina Magjistarit arritën të gjejnë gjurmë jete të vajzës në Belgjikë. Në lidhjen telefonike mes babait dhe vajzës ndihej malli, por dhe nevoja për të komunikuar atë e bijë si dikur kur ata ishin bashkë në një familje. Teksa ka folur me të bijën pas katër vitesh, babai ka mundur të shohë fotografitë e vajzës së bashku me bashkëshortin e saj ditën e dasmës si dhe lajmin se shumë shpejt ai do të bëhej gjysh. Në një atmosferë humori, Rrapo arriti të qetësohej atë mbrëmje në Vizion Plus, teksa arriti të gjejë vajzën e tij. Nata vijoi më tej me Anën, e cila i kishte përgatitur një surprizë gjyshit të saj Vangjel Prifti. 75-vjeçari nga Lushnja dikur kishte qenë mësues biologjie, por prej disa vitesh ai kishte dalë në pension. Lidhja mes saj dhe gjyshit kishte qenë e fortë qysh në fëmijëri. Kishin kaluar mjaft vështirësi dhe kishte ardhur koha që ajo donte ta falënderonte atë përzemërsisht për të gjitha ato vite të bukura që kishin kaluar bashkë. Si dhuratë, Ana i kishte përgatitur në kornizë një faqe gazete të titulluar “Gazeta e gjyshit”, e cila kishte të faqosur fotot më të bukura që kishn bashkë dhe një dedikim poshtë tyre. Por dhuratat nuk mbaronin me kaq. Mbesës dhe atij iu dhuruan nga programi dy ftesa në premierën e baletit “Coppelia”, e cila rikthen në skenë si koreograf balerinin Ilir Kerni në TOB. Ana kishte rezervuar një tjetër surprizë për gjyshin, një udhëtim çift në një nga pikat turistike të Maqedonisë. Por qershia mbi tortë i referohej një tjetër momenti interesant. Ka qenë vetë kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Albert Sanxhaku, i pranishëm në studion e Vizion Plus që i ka dhënë Vangjel Priftit titullin “Qytetar Nderi i Lushnjes” për kontributin e tij shumëvjeçar në fushën e arsimit. Një tragjedi e ndodhur 7 muaj më parë i merr jetën Saimirit, djalit të Feride Kovaçit nga qyteti i Beratit. Një dhimbje e madhe pesha e së cilës ende rëndon në familjen e kësaj nëne. Personazhi i kësaj historie, znj.Feride, punonte si punëtore shërbimi në shkollën 9-vjeçare “Mehmet Ali Vrioni” dhe programi u njoh me historinë e saj nga ish-e fejuara e djalit të saj Ela, e cila kishte dërguar në redaksinë e programit një letër. Ajo kishte një kërkesë, programi t`i dërgonte një kopje të filmit “Zonja e panjohur” pasi personazhi kryesor i këtij filmi mbante emrin Saimir prej nga znj. Feride ishte bazuar për t`i vënë emrin djalit të saj. Një moment i trishtë, por që mbartte në vetvete kujtime të jashtëzakonshme të një momenti shumë të dashur. Ka qenë një ditë mëse e zakonshme kur Rudina Magjistari i ka bërë një vizitë surprizë znj. Feride në vendin e saj të punës për t`i dhënë mundësinë që të shikonte disa sekuenca nga filmi. E ftuar në studio, Feridja ka rrëfyer dhimbshëm atë që ajo mbartte në shpirt. Duke kuptuar dashurinë e pafundme që ajo pati për atë djalë, programi “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” i dhuroi asaj një medaljon të florinjtë me foton e djalit të gdhendur mbi të e punuar me shumë kujdes nga mjeshtri i argjendarisë “Pirro”, z. Pirro Ruco. Sapo e ka marrë në dorë, znj.Feride është emocionuar së tepërmi dhe e ka konsideruar një simbol të shtrenjtë për ta mbajtur gjithmonë me vete. Historia që mbylli natën e nëntë kishte si personazh Kristo Çaçën nga Vlora. 74-vjeçari nga qyteti bregdetar kishte katër fëmijë dhe para një viti e gjysmë bashkëshortja e tij ishte ndarë nga jeta. E kalonte ditën i vetëm duke shpenzuar katër orë jashtë dhe pjesën tjetër në shtëpi. Ai kishte shumë miq, shkonte shpesh t`i takonte fëmijët në emigracion, por ndiente shpeshherë nevojën për të ndarë me dikë kujtime, çaste gëzimi e hidhërimi apo të pinte një kafe, për të pasur pranë dikë që ta kuptonte. Ai ndiente peshën e paragjykimeve që mund t`i vinte nga kushdo që në ato momente po dëgjonte historinë e tij. Por pakkush ka guximin të dalë hapur dhe të thotë ashtu siç e ndjen nevojën e tij dhe Kristo e shprehu atë me dinjitet. E si mund të mbyllej ndryshe kjo histori përveçse me një vals të Kristos, këtij kavalieri me shpirt energjik, i shoqëruar nga tri balerinat e trupës së baletit të Arian Sukniqit. Sonte programi “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” ka përgatitur një varg surprizash që do të vijnë përmes historish të ndryshme njerëzore. “Një burrë që qan...” titullohet libri që Kadri Kuka i ka dedikuar gruas së tij të shtrenjtë. Më shumë rreth kësaj historie do të mësoni sonte në mbrëmje, në orën 21.00, në Vizion Plus.
20 Dhjetor 2008