E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet importi i prodhimeve bujqesore

Prodhimet vendase vijojnë të mbajnë të mbushur tregjet edhe në këtë fillim sezoni dimëror. Ndryshe nga vitet e tjera duket se ky ka qenë një vit i mbarë për prodhimet bujqësore, kryesisht fruta- perimet dhe ullirin. Raporti i ministrisë së bujqësisë për 9-mujorin e parë të vitit rezulton me një rritje të eksporteve me 10% apo në vlerë me 10 milionë dollarë dhe rënie të importeve me 4%.
Zëvendës ministri i Bujqësisë Ndoc Faslia afirmon për Abc news se volumi i prodhimit në vend furnizon si tregun e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm. Por mbetet ende problem sasia e lartë vetëm me prodhime sezonale për shkak të mungesës së kapaciteteve ruajtëse, grumbulluese dhe përpunuese të këtyre produkteve.

Tregtarët pohojnë se ende nuk ka produkte të importuara dhe kryesisht malli që shesin vjen nga zona të ndryshme të vendit.

Produktet bujqësore të prodhuara në vend tashmë pëlqehen më shumë edhe nga konsumatori. Sipas tyre si cmimi edhe cilësia rezultojnë më të arsyeshme se produktet e importuara.

Sipas të dhënave të ministrisë së bujqësisë deri në fund të vitit pritjet janë pozitive përsa u përket eksporteve të prodhimit bujqësor vendas. Vetëm eksportet e ullirit parashikohen në rritje me 3% , ndërsa për vajin e ullirit me gati 4 herë më shumë se viti i kaluar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›