E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i Tiranës, debate mes Ramës, Ponit e Kryemadhit

Autori i Lajmit: red.
Debate të ashpra kanë shoqëruar për orë të tëra, mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për miratimin e Buxhetit të 2009-ës. Kryebashkiaku Rama e ka cilësuar si një shembull shumë të keq, vonesën për miratimin e buxhetit të 2009-ës për kryeqytetin. Për më tepër i ka quajtur qesharake detajet e kërkuara për mënyrën e hartimit të projektbuxhetit prej grupeve të LSI-së dhe PD-së. LSI ka pranuar ta votojë buxhetin vetëm në rast se pranohen propozimet e bëra prej saj për ndryshime në përmbajtjen e projketbuxhetit. Ndërsa PS nuk i ka pranuar propozimet e LSI-së në projektbuxhet duke i cilësuar ato si të paargumentuara. Ndërkohë edhe PD nga ana e vetë ka kërkuar, një listë të shpenzimeve të bëra e cila ti bashkangjitet buxhetit për transparencë. Në fjalën e tij zv.ministri i Brendshëm Ferdinand Poni, njëkohësisht edhe drejtues i grupit të këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak, e ka cilësuar jo transparent buxhetin e Tiranës duke hedhur edhe akuzua për rritje të taksave ndaj kryeqytetasve. Ndërkohë që LSI nga ana e saj e ka konfirmuar votën kundër këtij buxheti disa orë përpara se Këshilli Bashkiak të mblidhej për diskutim, Kjo nëpërmjet një deklarate në sheshin Skënderbej” të përfaqësueses së LSI-së në Këshillin Bashkiak, Monika Kryemadhit. Duke kërkuar votimin e buxhetit, kryebashkiaku Rama ka listuar arritjet e Bashkisë së Tiranës duke renditur si të tilla edhe projektin për Unazën e Madhe si dhe rikonstruksionin e kinema “Dajtit”. “Tirana ka gjithnjë e më shumë sinjalistikë, kemi rikonstruktuar 12 shkolla, do të ripërtërijmë parkun e liqenit, do të përfundojmë sheshin Skënderbej, ndërtimin e parkut te ish-Fusha e Aviacionit etj. Rrëzimi i buxhetit është pa baza. Qeveria nuk duhet ta kthejë buxhetin në debat elektoral,” ishte kundërpërgjigja e Ramës.Duke iu kundërvënë atyre çfarë deklaroi Rama në orët e para të mbledhjes, anëtarja e këshillit bashkiak Monika Kryemadh reagoi ashpër duke kërkuari detajime rreth parave që do jepen për investim si dhe uljen e shpenzimeve operative që sipa ssaj janë të ekzagjeruara nga ana e Bashksië që ka hartuar projektbuxhetin. Kryemadhi solli më pas fakte që sipas saj tregojnë të kundërtën e asaj që pasqyron buxheti. Sipas Kryemadhit shumë investime që janë planifikuar nga Bashkia në zonën e Kombinatit janë mbinvestime. Kryemadhi sqaroi se Rama tenton të investojë aty ku është investuar njëherë më parë. “Të detajohen investimet pasi disa rrugë të projektuara në buxhet kanë përfunduar së rikonstruktuari”, kërkoi shkurtimisht Kryemadhi. Ndërsa sipas Ponit, për investimet në vazhdim është bërë një përshkrim ku nuk ka asnjë emër, asnjë fond e shpërndarje ne vite. Anëtari demokrat akuzoi se edhe administrata e Bashkisë është përdorur për qëllime elektorale që si rrjedhojë e bën edhe projektbuxhetin të tillë. Rama ka replikuar me Ponin duke i sugjeruar të mbarojë punët e partisë dhe jo të Bashkisë. “Një buxhet nuk mund të bëhet lojë kungulleshkash, kjo nuk mund të vazhdojë. Ja ku jeni, votojeni buxhetin nëse iu mjaftojnë shpjegimet, në rast se s doni është një e drejtë e juaja legjitime pasi përfaqësoni një pjesë të Tiranës. Unë e bëra detyrën ndaj të gjithëve, shpjegimet janë të bazuara në dokumente ekzistuese që i keni në dorë prej kaq muajsh, merrni një vendim që e gjykoni si më të mirin", është shprehur Rama mes të tjerash. Ndërkohë Rama ka hedhur poshtë akuzat për abuzim të fondeve dhe ka shtuar se rrëzimi i buxhetit ka ardhur si pasojë e mosleximit të tij.
Ky lajm është publikuar: 04/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›