E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thikë në zemër studentit pas sherrit në internet kafe

Një student 22-vjeçar ka humbur jetën në Tiranë, pasi u qëllua me thikë në zemër. Dyshohet se shkak i ngjarjes ka qenë një konflikt i çastit. Ngjarja ndodhi në mbrëmjen e ditës së djeshme pranë fushës sportive në Kamëz, në periferi të kryeqytetit. Sipas burimeve nga policia, viktimë e kësaj ngjarjeje është 22-vjeçari Robert Dishmena. Viktima ka qenë së bashku me disa shokë të tij, kur është përleshur fizikisht me grupin kundërshtar. Autori i krimit, Bukurosh Muçeku, pasi e ka goditur 22-vjeçarin është larguar nga vendi i ngjarjes. Ai u ndalua pas rreth dy orësh nga uniformat blu.
Ngjarja
Rreth orës 18:30 të ditës së djeshme, Robert Dishmena ka qenë së bashku me një grup shokësh, në një qendër interneti afër shkollës së agro-biznesit pranë fushës sportive në Kamëz. Aty është përballur me të riun Bukurosh Muçeku, i shoqëruar edhe ai me shokë të tij. Të dyja grupet, pasi kanë shkëmbyer fjalë fyese, kanë nisur të përleshen fizikisht, në fillim brenda kafe-internetit, e më pas në rrugë. Përballë lokalit ku ndodhi vrasja e profesorit të atletikës katër ditë më parë, në përleshje e sipër, në trotuarin tjetër, 22-vjeçari është qëlluar me thikë. Ndërkohë që dëshmitarët kanë parë tre persona, të cilët po ndiqnin një njeri tjetër, duke u përpjekur ta qëllonin. “Pashë një person që ishte i shtrirë, ndërsa tre të tjerë po e qëllonin me shkelma e me karrige. Më pas ai ka nxjerrë një thikë dhe ka vrapuar duke iu shpëtuar ndjekësve”, - tregon për gazetën një prej dëshmitarëve. 22-vjeçari i plagosur është hipur në një makinë tip fuoristradë, duke u dërguar për në Spitalin Ushtarak, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Por ai nuk arriti të mbijetonte si pasojë e plagës vdekjeprurëse të marrë në trup. Sipas burimeve nga Spitali Ushtarak, viktima kishte humbur jetën gjatë rrugës si pasojë e goditjes me thikë në zemër. 22-vjeçari ishte me origjinë nga Burreli dhe ishte student në kryeqytet.
Policia
Pas marrjes së informacionit për sherrin e ndodhur në fushën sportive në Kamëz, menjëherë në vendngjarje shkoi policia e kryeqytetit. U morën dëshmitë në vendin e ngjarjes, u identifikua autori i krimit, ndërkohë që u organizua puna për arrestimin e tij.
Ai u vu në pranga pas dy orësh. Sipas burimeve nga grupi hetimor, autori i vrasjes, Bukurosh Muçeku, ka pranuar autorësinë e krimit. Sherri midis të dyve ka nisur pas një konflikti të çastit, në një qendër interneti. Midis të dyve, kishte pasur një konflikt të mëparshëm edhe në mëngjesin e djeshëm, ndërkohë që ata janë përleshur në mbrëmje, ku u qëllua për vdekje dhe 22-vjeçari. Grupi hetimor vazhdon nga puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›