E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i TiranësPS-PD debat nëkëshillin bashkiak

TIRANE- Këshilli bashkiak i Tiranës është mbledhur pasditen e sotme për të vendosur mbi fatin e buxhetit të kryeqytetit, i bllokuar prej tetë muajsh. Por gjatë kësaj mbledhjeje, ashtu si edhe herët e tjera kanë nisur debatet mes këshilltarëve të PS e PD, cka bën të pasigurtë edhe miratimin e buxhetit për vitin 2010.

Shkak për nisjen e debatëve mes këshilltarëve është bërë projekti i ndërtimit të “Unazës së madhe”. Nënkryetarja e bashkisë, Albana Dhimitri ka deklaruar se ky projekt është gati, "por është qeveria ajo që po e pengon, duke mos kryer shpronësimet". Ndërsa këshilltarët e djathtë e kanë kundërshtuar këtë projekt, duke theksuar se "Unaza nuk duhet të jetë brenda qytetit”. 

Kryetari i këshillit bashkiak Sokol Dervishaj e ka cilësuar buxhetin e vitit 2010 si teorik e aspak real, duke kërkuar kështu edhe një tabelë të plotë të taksave. Sipas tij “nuk do të miratohet buxheti pa këto informacione”.

Ndërsa këshilltari i PD Ferdinand Poni ka propozuar disa përmirësime për buxhetin e vitit 2010, që sipas tij duhet të merren parasysh. Një nga këto propozime është “deklarimi i fondeve të mbartura nga viti 2009”. Poni gjithashtu thekson se këshilltarët e djathtë kërkojnë të dinë “planin e shpenzimeve të bashkisë”, ndërsa shton se “fondet duhet të kalojnë për investime e jo për fushata”. Një tjetër këresë e tij është “paisja me listat e taksave, e padisponuar deri tani”- theksoi Poni.

Takimi i sotëm i Këshillit Bashkiak është i fundit para pushimeve verore.
Sipas informacioneve zyrtare në Këshillin bashkiak të Tiranës, veç pikës së parë ku do të diskutohet buxheti për vitin 2010, janë edhe dy projekt- vendime të tjera që kanë lidhje me familjet në nevojë, siç janë të pastrehët. Një prej vendimeve ka të bëjë me miratimin e listës së familjeve që përfitojnë kredi të zbutur nga shteti, ndërsa vendimi tjetër është për projektin e bonusit të qirasë. Ku Bashkia u paguan qiranë atyre familjeve të pastreha që kanë të ardhura të pakta dhe nuk kanë mundësi për të paguar qiranë e banesës.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›