Trafikuan 1 ton drogë, nëntë persona në gjyq
TIRANE – Një grup prej nëntë personash të akuzuar për trafikimin nga Shqipëria në Itali të një sasie prej një ton drogë, do të dalë para gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi dje hetimet për nëntë personat e arrestuar gjatë aksionit “Lindja e Diellit”, i cili u shtri në Itali, Shqipëri dhe në Greqi. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, nëntë personat e pandehur në këtë dosje, e cila është zbardhur plotësisht, kanë trafikuar nga Shqipëria në drejtim të Italisë, pesë ngarkesa me lëndë narkotike nga të cilat katër kanë qenë sasi të konsiderueshme kanabis sativa dhe ngarkesa e fundit ishte 4.5 kilogramë heroinë. Droga është trafikuar me gomone që niseshin nga Shqipëria dhe mbërrinin në Itali duke nisur nga viti 2005 e në vazhdim deri në vitin 2007. Në total sasia e drogës së bllokuar nga policia italiane pasi narkotiku ishte trafikuar në Itali prej nëntë shqiptarëve, është 1013 kilogramë kanabis sativa dhe 4.5 kilogramë heroinë. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë i filloi hetimet për këtë grup kriminal më 23 nëntor 2009, pas dërgimit të dosjes me provat e mbledhura deri në këtë kohë nga policia italiane. Për më shumë se nëntë muaj Krimet e Rënda në Tiranë kanë mbledhur prova për aktivitetin e të dyshuarve, të cilët u arrestuan në pranverën e këtij viti nga një aksion i përbashkët mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë. Fatbardh Kapllanaj nga Vlora është i pandehur në këtë dosje, për akuzën e trafikut të drogës. Ai akuzohet për episodet e 351 kilogramë drogë të bllokuar më 20 janar 2006 në Frigole. Sipas prokurorisë, Kapllanaj fajësohet edhe për pjesëmarrje në trafikimin e ngarkesës së drogës prej 278,500 kilogramë kanabis dhe ngarkesës 217 të sekuestruar në datën 2 tetor 2006 në S.Cataldo. I akuzuari tjetër është Marenglen Halka nga Vlora, ndërkohë që lista e të pandehurve vazhdon me shtetasit Pilo Zanaj, Daniel Likaj, Artur Demaj, Arben Paluka, Bledar Xhufi, Sandër Likaj dhe Stefan Zoto. Sipas prokurorisë, këta nëntë persona akuzohen se në datën 20 janar 2006 kanë trafikuar nga Shqipëria në Itali 351 kilogramë drogë, në datën 12 shtator 2006 kanë trafikuar 278.5 kilogramë drogë, në datën 2 tetor 2006 kanë trafikuar 217 kilogramë drogë në 1 gusht 2005 kanë trafikuar 167 kilogramë drogë, ndërsa në 23 janar 2007 kanë trafikuar 4.5 kilogramë heroinë. Ngarkesat janë kapur nga policia pas mbërritjes në Itali, ndërkohë që nëntë shqiptarët kanë bashkëpunuar me shtetas italianë të kapur në flagrancë me sasi droge në banesat e tyre në disa qytete të vendit fqinj.
Të pandehurit
Fatbardh Kapllanaj
Marenglen Halka
Pilo Zanaj
Daniel Likaj
Artur Demaj
Arben Paluka
Bledar Xhufi
Sandër Likaj
Stefan Zoto
Rastet e trafikut
20 janar 2006, 351 kg drogë
12 shtator 2006, 278.5 kg drogë
2 tetor 2006, 217 kg drogë
1 gusht 2005, 167 kg drogë
23 janar 2007, 4.5 kg heroinë