E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori përgjaket me dy viktima



KORçE/ GEZIM ASHIMI

Finalja e madhe e Botërorit ndërmjet Spanjës dhe Holandës përgjaket në fshatin Pojan të Korçës. Dy persona u vranë me breshëri automatike, teksa po shikonin ndeshjen. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 të së dielës, kur një person i paidentifikuar hapi zjarr në një dyqan. Sipas policisë së Korçës, Artur Liçolli, 32 vjeç, pronar i një dyqani të vogël ushqimor gjeti vdekjen e menjëhershme nga breshëria e automatikut. Plumbat nuk kursyen as shokun e tij, Arben Mica, 42 vjeç. Ai ndërroi jetë disa orë më pas në spitalin e Korçës. Policia u sinjalizua për ngjarjen dhe mbërriti pak minuta më pas në Pojan. Ata rrethuan zonën, në kërkim të autorit të vrasjes së dyfishtë. Krimi i rëndë deri më tani mbetet i mbuluar me mister, pasi nga hetimet paraprake ka rezultuar se asnjëri prej viktimave nuk kishte pasur konflikte. Ngjarja paraqet vështirësi në zbardhjen e saj edhe për faktin se ajo nuk ka dëshmitarë, pasi banorët ishin në shtëpi ose të mbledhur në lokalet e fshatit shikonin ndeshjen. Viktimat kanë qenë të vetëm në lokalin e 32-vjeçarit, kur papritur autori ka hapur zjarr. Vrasësi ka shfrytëzuar ndeshjen e finales së Botërorit për të kryer krimin. Fonia e lartë e komentatorit dhe herë pas here britmat e tifozëve i kanë krijuar mundësinë autorit të afrohet tek dyqani i viktimës pa rënë në sy. Breshëria e armës ka terrorizuar banorët që janë ndodhur në disa lokale afër vendit të ngjarjes, por gjithsesi, rrëmuja e shkaktuar i ka lënë hapësirë të bollshme vrasësit të largohet pa lënë gjurmë. Policia bëri të ditur se një person ka vrarë dy shokët, por ka dyshime se ai mund të jetë ndihmuar nga persona të tjerë, të paktën për t’u larguar. Beqir Nexhipi, kryeplak i fshatit Pojan, u shpreh se 32-vjeçari Liçolli e kishte shok viktimën tjetër, Arben Mica. Ata po pinin së bashku raki, kur nga jashtë lokalit kanë ardhur breshëritë e automatikut, që lanë fillimisht të vrarë në vend Liçollin. Sipas policisë, asnjëri prej viktimave nuk ka pasur konflikte me bashkëfshatarët apo persona të tjerë. Këtë fakt e pohuan edhe banorët. Sipas tyre, në dyqan nuk është kryer as vjedhje, nga e cila të dyshohej se vrasja mund të ishte kryer për grabitje. Burime zyrtare nga policia e Korçës bënë të ditur se është vënë një shpërblim prej 3 milionë lekësh për çdo informacion që do të çonte në identifikimin e vrasësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›