Ish-kreu i SHIU: Gërdeci, jo sabotazh
Armand Bajrami
Shërbimi Informativ Ushtarak nuk ka pasur asnjë informacion nëse shpërthimi tragjik i 15 marsit 2008 në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec mund të ishte ndonjë akt sabotazhi, apo i qëllimshëm. Të paktën kështu është shprehur dje Hysni Gjergji, ish-drejtuesi i këtij shërbimi në periudhën 2007-2008, në seancën e djeshme gjyqësore në Gjykatën e Tiranës në ngarkim të 29 akuzuarve për shpërthimin. Sipas dëshmitarit, deri në fund të qëndrimit të tij në krye të shërbimit, maj 2008, ishin bërë përpjekje për mbledhje informacionesh, por pa rezultat. Gjergji pohoi dje edhe “paralajmërimin” e dhënë nga përfaqësues të lartë të NATO-s në vitin 2007 se, procesi i anëtarësimit në NATO mund ta shndërronte vendin në “shënjestër” aktesh sabotazhi.
DREJTORI I SHIU-t
Ish-drejtuesi i Shërbimit Informativ Ushtarak në periudhën 2007-2008 mohoi dje që gjatë qëndrimit të tij në detyrë të kishte pasur informacione për ndonjë shqetësim, ankesë apo aktesh të dyshimta në lidhje me procesin e demontimit të municioneve në Gërdec. Dëshmitari pohoi se në vitin 2007 ishte vënë në dijeni që në Gërdec demontohej municion dhe që procesi mbikëqyrej nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj. “Nuk kam pasur asnjë informacion në lidhje me ndonjë akt sabotazhi, ankesash apo pakënaqësish në lidhje me demontimin në Gërdec. SHIU nuk ka pasur ndonjë informacion për ndonjë ngjarje në Gërdec. Pas ngjarjes së Gërdecit, me kërkesë të Kryeministrit të vendit, Presidentit të Republikës dhe Këshillit të Sigurisë janë shtruar detyrat për Shërbimin, për rreziqet që përballen Forcat e Armatosura shqiptare dhe me qëllim që çdo analizë faktesh, informacione, qoftë edhe të pavërtetuara t’i viheshin në dispozicion të prokurorisë”, tha dëshmitari. Gjergji rrëfeu dhe këshillimin që u ishte dhënë nga Brukseli në vitin 2007. “Në fund të vitit 2007 unë kam pasur një vizitë zyrtare në Bruksel, bashkë me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në takim ne u këshilluam që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO mund të jetë objekt i ndonjë akti sabotazhi, nga shtete apo organizata që nuk kanë shprehur qëndrime armiqësore dhe që nuk kanë interes për anëtarësimin e Shqipërisë.
KREU I POLICISE USHTRAKE
Drini Nikolla, ish-drejtues i Policisë Ushtarake në vitet 2007-2008, dëshmoi dje se kishte pasur dijeni për demontimin e municioneve në Gërdec, por se ishte vënë në dijeni shumë kohë pasi procesi kishte nisur. Ndërkohë që për nisjen e punimeve për fabrikën e demontimit, dëshmitari Nikolla tha se kishte mësuar se urdhri për lejimin e tyre ishte verbal. “Në vitin 2007 jam vënë në dijeni nga strukturat e varësisë që në Gërdec po bëheshin punime. Me sa kam qenë në dijeni edhe nga informacionet e marra, mësova se punimet kryheshin në bazë të një urdhri gojor nga Komandanti i Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu. Di që ka pasur dëmtime të 2-3 objekteve gjatë punimeve në ish-repartin ushtarak të Gërdecit. Unë kam bërë informacionin përkatës për strukturat shtetërore”, tha dëshmitari.
Demontimi në institucione shtetërore
Në seancat e mëparshme zyrtarët e ndërmarrjes MEICO dhe të Shtabit të Përgjithshëm janë shprehur se para se të merrej vendimi për ngritjen e fabrikës në Gërdec, ishte parë mundësia që demontimi i municioneve të bëhej në kombinatet apo në uzinat ushtarake shtetërore. Ky variant, sipas tyre nuk ishte miratuar, pasi kostoja e demontimit në këto institucione ishte e lartë. Sipas hetimeve të prokurorisë, ngjarja e ndodhur në Gërdec në 15 mars 2008 ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave të sigurimit teknik, të cilat kanë qenë strikte në kombinatet dhe uzinat shtetërore.
Kryeinxhinieri: Gramshi fitonte me demontimin
TIRANE - Lulzim Fejzo, ish-kryeinxhinier në Uzinën e Mekanike të Gramshit, tha dje se procesi i demontimit të shtimjeve në vitin 2007 në këtë uzinë ishte proces që realizonte fitim. “Procesi kryesisht ishte me përfitim. Kjo përderisa shumë herë kalohej kufiri prej 15 për qind, që caktohet në ligj për ndërmarrjet”, tha dëshmitari. Fejzo tha se produkte e përfituara nga demontimi barut, djegore dhe kapsolle, asgjësoheshin me djegie brenda ditës, ndërsa gëzhojat magazinoheshin. Për rregullat e sigurimit teknik dëshmitari u shpreh se punonjësit e demontimit firmosnin çdo mëngjes, pasi u ishte lexuar rregullorja e sigurimit teknik. Një seancë më parë, dëshmitari Stavri çipa, ish-kryeinxhinier i Uzinës së Lëndëve Plasëse të Mjekësit tha se nga demontimi i municioneve në uzinë “nuk bëhej fjalë për fitim, pasi të gjitha proceset financoheshin nga investitorët e huaj”.