E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti i arsimit, rritje pagash për mësuesit dhe pedagogët

Shmangja e braktisjes së bankave të shkollës do të jetë një nga objektivat kryesore në katër vitet e ardhshme për Ministrinë e Arsimit, e cila synon që t‘i hapë dritën jeshile përmes mbështetjes financiare edhe kërkimit shkencor në vend.

Ndërkaq, ministri i Arsimit deklaroi sërish se në fund të këtij mandati qeverisës, Shqipëria do të ketë 150 mijë studentë.

Kjo, si dhe rritja e vazhdueshme e pagave për mësuesit dhe pedagogët, janë deklaruar nga ministri Myqerem Tafaj gjatë Konferencës VII për rishikimin 6-mujor të realizimit të programit të reformës së arsimit që u organizua në Durrës me drejtues rajonalë të arsimit dhe shkollave të vendit. Konferenca u realizua në kuadër të programit "Cilësi dhe barazi në arsim". Ndërsa ka folur për arritjet në arsim gjatë 4 viteve të fundit, ministri Tafaj është ndalur dhe te prioritetet e 4 viteve të ardhshme. Braktisja e arsimit të detyrueshëm është objektivi kryesor i Ministrisë së Arsimit, arritjen e të cilit ai e lidhi dhe me rritjen profesionale dhe atë të pagave të mësuesve, përshtatjen e kurrikulave me standardet. Ministri premtoi dhe bursa e grante për studentët nëpërmjet fondit të ekselencës gjatë viteve në vazhdim, duke deklaruar se synimi madhor është që vendi të ketë plot 150 mijë studentë në fund të mandatit të kësaj qeverie. Vetëm gjatë këtij viti akademik, në shkollat e larta të vendit u ulën 34 mijë studentë, një pjesë e mirë e të cilëve sipas ministrit zgjodhën degë me rëndësi për ekonominë e vendit, në shkencat bujqësore, teknike dhe ato të informacionit.

Adaptimi i kurrikulave me standarde të përparuara dhe përditësimi i njohurive të mësuesve dhe mundësimi i ngjitjes së shkallëve të karrierës do të arrihet në përputhje me zotërimin prej tyre të teknologjive të reja të informacionit. Bashkëpunimi me pushtetin lokal, komunitetin dhe biznesin do të çojë drejt decentralizimit të sistemit arsimor. Gjatë fjalës së tij, ministri Tafaj vlerësoi dyfishimin e buxhetit për arsimin gjatë mandatit të kaluar, gjë që çoi në dyfishimin e pagave të mësuesve, si dhe rehabilitimin e ndërtimin e 1012 godinave shkollore publike në vend. Duke u ndalur në nismën "Shqipëria në moshën e internetit", ministri tha se çdo 32 nxënës në shkolla kanë nga një kompjuter. Brenda dy muajsh do të vihet në funksionim Agjencia Kombëtare e Kërkimit të Teknologjisë dhe Inovacionit dhe në programet e kësaj agjencie mund të konkurrojnë me projekte institucione shkollore, organizata jofitimprurëse (OJF) dhe individë që do t‘i japin një impuls të ri kërkimit shkencor në shkollat publike dhe private.

V.Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›