E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit: Leja është aset, institucionet s‘mund ta zhvlerësojnë

Trualli që ka hapur diskutime, kryesisht me Ministrinë e Transporteve dhe Bashkinë e Tiranës, rezulton të jetë pronë shtetërore. Në këtë përfundim ka dalë edhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, menjëherë pas shqyrtimi të dosjes përkatëse. Kjo agjenci sqaroi dje zyrtarisht se toka në qendër, e cila është shndërruar në objekt konflikti mes bashkisë dhe pronarëve nga njëra anë dhe Ministrisë së Punëve Publike nga ana tjetër, është në pronësi të shtetit dhe jo të pronarëve dhe Komunitetit Mysliman. Agjencia pretendon se nga hetimi administrativ që ka kryer, nuk rezulton asnjë dokument që të vërtetojë se ky truall ka qenë pronë private, çka do të thotë se kjo pronë mbetet shtetërore.

"Për këtë arsye AKKP e quan të jashtëligjshëm vendimin e ish-Komisionit të Kthimit të Pronave pranë Bashkisë së Tiranës, i cili në vitin 2000 ka marrë vendim për kthimin e pronës te pronarët", sqaroi zyrtarisht Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Nga ana tjetër, për Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë pak rëndësi ka se kush mban përgjegjësi për pengesën e zbatimit të projektit shumëfunksional në gropën pranë qendrës së Tiranës. Në deklaratën e djeshme për shtyp, shoqata shpreh shqetësimin se konflikti i radhës mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës nuk bën gjë tjetër, por vetëm humb besimin tek investitori. "Të gjithë duhet ta kuptojmë se një leje ndërtimi në radhë të parë është një letër me vlerë dhe një nga asetet e para që hyn në shoqëri për financimin e një objekti. Por edhe sipas ligjit nuk mundet dikush, qoftë ky një apo disa qytetarë, një polici apo një institucion tjetër, të ndërhyjë për të pezulluar një aktivitet, duke quajtur të pavlefshme një leje ndërtimi të dhënë", tha dje drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi.

Sipas tij, leja e marrë është e kuotuar nga ana financiare në të gjithë rrugën që ka bërë, që nga pronësia e tokës, marrëveshjet, studimet, projektet, detyrimet ndaj shtetit etj. "Kundërshtimet mund të jenë vetëm ligjore, në rast të kundërt ato sjellin dëm për privatin, financat publike dhe mbi të gjitha krijojnë një klimë pasigurie për biznesin vendas dhe investitorin e huaj", theksoi Muçi. Me këtë rast, ndërtuesit i bëjnë thirrje të gjithë administratës publike që të bëjë me korrektesë detyrën e saj para dhënies së lejeve të ndërtimit dhe jo të krijojë konflikte me pasoja si këto të kohëve të fundit.

Të premten e kaluar, Policia e Shtetit dhe Inspektorati i Ndërtimit pranë Bashkisë së Tiranës, kanë nisur diskutimet lidhur me sheshin e ndërtimit mes Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës. Sipas Ministrisë së Transporteve, prona është shtetërore dhe do të kthehet në një ambient të gjelbëruar, lulishte për banorët e Tiranës. Nga ana tjetër, bashkia ka sqaruar se ky shesh është privat, duke dorëzuar edhe dokumentacionin shoqërues, i cili tregon të gjitha vendimet e Këshillit të Rregullimit të Territorit vit pas viti. Duke u nisur nga ngjarja dy ditë më parë, Bashkia Tiranë ka dorëzuar në prokurori një kallëzim penal, me pretendimin se Policia e Shtetit ka abuzuar duke e penguar inspektorin të kryente detyrën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›