E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet gjyqi për pensionet, pesëmijë ish-policë në pritje

Pavarësisht se 3 mijë punonjës policie në reformë, si dhe dymijë të tjerë në pension presin me shpresë se Gjykata Kushtetuese do hedhë poshtë ligjin për sigurimin shoqëror suplementar, kjo nuk ka ndodhur dje. Seanca e parë është shtyrë për shkak të "arsyeve objektive" të qeverisë, e cila nuk ka mundur të përfaqësohet në seancë. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese ka vendosur shtyrjen e seancës më datë 12 nëntor. Por, këto shtyrje nuk janë pritur edhe aq mirë nga efektivët e policisë në lirim, të cilëve prej muajit qershor u janë prerë paratë, të cilat e njëjta qeveri u kishte premtuar.
Kërkesa
Një sërë subjektesh, duke nisur që nga Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit, Shoqata e Policëve në Lirim, Avokati i Popullit, shoqata e ish-ushtarakëve, kanë kundërshtuar ligjin e pensioneve. Ata kanë kërkuar pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të ligjit nr. 10142, dt. 15.05.2009 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë", deri në shpalljen e vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, është kërkuar shfuqizimi i neneve 3/3; 4/2; 12/1,2,3; 14/1; 22; 27 dhe 29/2 të ligjit nr. 10142, dt. 15.05.2009, si të papajtueshme me Kushtetutën, me ligjin nr. 8661, dt. 18.09.2000 "Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit" dhe ligjin nr. 9749, datë 04.06.2007 "Për Policinë e Shtetit" dhe që cenojnë të drejtat ekonomiko-financiare të punonjësve të Policisë së Shtetit të përfituara me aktet normative të mëparshme.
Ankimimi
Për këtë arsye, ky ligj u dërgua për ankimim në Gjykatën Kushtetuese dhe dje ishte seanca e parë. Seanca pritej me shpresë nga një numër i madh ish-punonjësish policie dhe ish-ushtarakësh, por janë zhgënjyer, kur kanë parë mungesën e përfaqësuesve të qeverisë. Ditën e djeshme nuk ka mjaftuar vetëm salla e gjyqit për të interesuarit, por edhe një sallë tjetër e mbushur plot me ish-oficerë policie, të cilët ishin mbledhur në shenjë solidariteti për të hedhur poshtë këtë ligj, që sipas pretendimeve është antikushtetues. Veç tyre, në sallën e gjyqit nuk kanë munguar edhe përfaqësues të huaj, të cilët kanë shprehur hapur edhe më parë mbështetjen për efektivët e policisë.
Shtyrja
Sapo është mbledhur, Gjykata Kushtetuese ka deklaruar se nuk mund të bëjë pezullimin e këtij ligji, sipas pikës një të ankimimit, por ka vendosur shqyrtimin e saj. Argumentimi i këtij vendimi ka të bëjë me hyrjen në fuqi të ligjit. Më tej, Kushtetuesja ka kërkuar nga avokatët mbrojtës nëse gjyqi duhej të vazhdonte pa praninë e përfaqësuesve të qeverisë. E të pranishmit, veç përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë, kanë pranuar që gjyqi të vazhdojë. Madje, avokati Thimio Kondi, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë, i cili përfaqësonte sindikatën e policisë dhe shoqatën e ish-policëve, ka deklaruar se qeveria nuk kishte sjellë argumente bindëse për mospjesëmarrje, kështu që gjyqi mund të vazhdonte dhe që mungesa e tyre nuk mund të ndikojë në shqyrtim, pasi ata e kanë kryer detyrën e tyre, duke kaluar këtë ligj. Në ato momente, trupi gjykues është tërhequr për vendim dhe pavarësisht se ka deklaruar se pretendimet e avokatëve për vazhdimin e gjyqit ishin të drejta, ka vendosur që të shtyhet seanca me datë 12 nëntor. Në lidhje me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese ka argumentuar se duhet të jenë të pranishëm edhe ata. Por, kjo është komentuar nga shumë ish-efektivë policie, të cilët shprehen se edhe ky gjyq mund të bëhet një odise për shkak se qeveria nuk mund të marrë pjesë në asnjë seancë gjyqësore, duke ditur shkaktimin e problemeve për mbi 5 mijë familje ish-policësh, e më shumë se 3 mijë familje ish-ushtarakësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›