E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paditet për dhunë oficeri i policisë

Një grua e divorcuar prej disa vjetësh, nënë e dy fëmijëve, denoncon dhunën sistematike, kërcënimet dhe terrorin e ushtruar nga ish-kunati i saj, Shaqir Merkaj, aktualisht inspektor i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Beratit.
Ornela Yzbashi, 35 vjeçe, banuese në lagjen "30 Vjetori" të qytetit të Beratit, tregon se ka mbi pesë vjet që është divorcuar nga ish-bashkëshorti i saj, ndërsa vazhdon të ndjekë gjyqin për ndarjen e pasurisë bashkëshortore, ndërkohë që së bashku me dy fëmijët e saj, djalin 12 vjeç dhe vajzën 11 vjeçe, vazhdon të banojë në të njëjtën shtëpi që ka jetuar dikur.
Gruaja 35-vjeçare tregon se ish-kunati i saj, Shaqir Merkaj, aktualisht inspektor i SHKB-së, ka rreth pesë vjet që në mënyrë sistematike ushtron dhunë e terror ndaj saj dhe pa u frikësuar nga askush.
Shkak, sipas saj, është banesa ku ajo vazhdon të jetojë, të cilën inspektori i SHKB-së dhe prindërit e tij nuk janë dakord që ajo ta marrë në pronësi. Për këtë arsye, ai kërkon që ajo të largohet sa më parë nga kjo banesë, nëse nuk do të përballojë dhunën dhe kërcënimet e tij, që nuk do të rreshtin asnjëherë.
Ornela tregon se nuk ka ndenjur duarkryq përballë kësaj dhune të shfrenuar. Ajo e ka denoncuar ish-kunatin rast pas rasti tek eprorët e tij, në Drejtorinë e Policisë së Beratit, në Prokurorinë e Rrethit dhe tek inspektori i policisë së lagjes. Gruaja tregon më tej se ish-kunati i saj gjendet kohë pas kohe në shtëpinë e saj dhe gjen pretekst për të hapur një konflikt, të cilin, në çdo rast e përfundon me dhunë fizike dhe kërcënime ndaj saj. Sipas 35-vjeçares, Merkaj jo vetëm shfrytëzon uniformën e tij për dhunën e ushtruar kundër saj, por edhe kolegët e tij të policisë, duke kërkuar largimin e menjëhershëm nga banesa, duke thënë se përndryshe do t‘i vrasë të gjithë me radhë, kunatën, por edhe mbesën dhe nipin e tij.
Më tej 35-vjeçarja tregon se rasti i fundit i dhunës në banesën e saj në lagjen "30 Vjetori" ka qenë mesdita e 11 tetorit të vitit 2009, kur me pretekstin se ajo pengonte prindërit e tij të hynin në shtëpi, që ndodhet në të njëjtën godinë me banesën e saj, ka shkuar me furgonin e grupit të gatshëm të policisë dhe inspektorin e policisë për lagjen, Bajram Azemi, ku në prezencë dhe pa u ndalur prej tyre, ka përsëritur ritualin e dhunës barbare, duke e goditur në trup me mjete të forta dhjetëra herë.
Ajo tregon më tej, se pas rrahjes barbare e kanë marrë në furgonin e policisë dhe e kanë mbajtur disa orë të izoluar në dhomat e shoqërimit, duke përdorur shumë fjalë fyese e të pista. Pasi e kanë lënë të lirë, me shumë shenja dhune në trup, gruaja ka shkuar tek eksperti mjekoligjor, ku dhe ka marrë një raport mjekësor.
Ornela Yzbashi tregon se ka bërë edhe denoncimin e radhës në polici e prokurori, por askush nga këto dy organe shtetërore nuk i ka siguruar asaj mbrojtje ligjore. Në këto kushte, dy ditë më parë ajo ka shkuar në Tiranë, ku ka dashur të takojë drejtuesit e lartë të policisë, por ka mundur të takojë vetëm drejtorin e Përgjithshëm të SHKB-së, i cili sipas saj ka premtuar verifikimin e çështjes dhe një përgjigje zyrtare në ditët që vijnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›