Buxheti i ri sanksionon rritjen e pagave e të pensioneve edhe në 2012-n

Miratohet projekti vjetor me vlerë afro 8 miliardë euro, i cili garanton një vazhdimësi të financimit të projekteve të rëndësishme infrastrukturore, si Tuneli Tiranë-Elbasan apo përfundimi i disa akseve në Boshtin e Jugut. Garantimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike si dhe rritja e pagave dhe e pensioneve e klasifikojnë Buxhetin e 2012-s si dokumentin më ambicioz në ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore
Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje në parim me shumicë votash, projektbuxhetin e shtetit për vitin 2012, pas një seance maratonë e cila zgjati më shumë se 12 orë. Kuvendi i dha “Ok” dokumentit më të rëndësishëm ekonomiko – financiar, ndërsa për miratimin e tij përfundimtar, do duhet diskutimi dhe shqyrtimi nen për nen.
Buxhetin 8 miliard dollarë, deputetët e mazhorancës e mbrojtën këtë projekt si buxheti që do të mbështesë stabilitetin makroekonomik, por edhe si projektin që do të zbusë efektet e krizës financiare globale, përmes mbështetjes së sektorëve sociale, investimeve publike dhe rritjes së pagave dhe pensioneve. Por, deputetët e opozitës duke deklaruar votën e tyre kundër këtij projekti, theksuan se p/buxheti 2012-të nuk merr asnjë masë për krizën ekonomike globale, në kushtet kur e gjithë bota është mobilizuar me masa shtesë.
Megjithatë, buxheti i vitit të ardhshëm, më i madhi në histori me 8 miliardë dollarë, ka të përcaktuar mirë tre objektivat e vendosur nga qeveria si; kontrollin rigoroz të borxhit publik; deficitin buxhetor, i cili parashikohet të jetë ndër më të ulëtit në hapësirën evropiane; si dhe inflacionin e kontrolluar. Rritja ekonomike parashikohet të jetë në shifrat 4 për qind, mbi mesataren Evropiane.
Qeveria ka parashikuar një mbështetje maksimale ndaj politikave të shpallura prej saj, duke u fokusuar kryesisht në investimet në infrastrukturë, rritje pagash dhe pensionesh apo dhe mbështetja ekonomike për familjet në nevojë. Në vitin 2005 Shqipëria kishte një deficit buxhetor prej 72 për qind, ndërsa në 2011, ky borxh ka rënën nën 60 për qind. Në sajë të reformës ekonomike dhe funksionimit të tyre, qeveria parashikon të mbajë nën kontroll borxhin, sipas standardeve më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian. Objektivat e buxhetit të vitit të ardhshëm vazhdojnë të mbeten investimet në infrastrukturën rrugore, në Arsim, Bujqësi dhe Shëndetësi, rritjen e pagave dhe pensioneve si dhe rritjen ekonomike. Infrastruktura rrugore, është një spektër i rëndësishëm për vitin 2012.
Qeveria ia ka dalë të asfaltojë, ndërtojë dhe rindërtojë në mbarë vendi, mbi 9 mijë kilometra rrugë. Shqipëria po shkon drejt finishit të infrastrukturës më të re, më moderne, në rajon. Për finalizimin e kësaj infrastrukture për asfaltimin e të gjitha rrugëve të këtij vendi, në çdo fshat dhe çdo komune, Qeveria synon të bëjë realitet projektin, që çdo shqiptarë, të arrijë në kryeqytetin e vendit duke kursyer jo më se 60 për qind të kohës së tij. Do të investohen 1.5 miliardë euro që duhen për të finalizuar infrastrukturën më moderne në vend, madje parashikohet një avancim i projekteve drejt asfaltimit të rrugëve në fshatra. Për vitin 2012, projektet e rëndësishme infrastrukturore si autostrada Tiranë – Elbasan, superstrada Qukës – Qafë Plloçë, rruga e Arbërit dhe segmente të tjera në jug, do shohin dritën e përfundimit të punimeve.
Dyfishimi i pensioneve të ulëta, dyfishimi i rrogës mesatare, dyfishimi i rrogave minimale, mbeten disa prej synimeve të qeverisë shqiptare, për vitin e ardhshëm buxhetor. Fatura e pensioneve rrihet me 80 milion dollarë, më shumë se vitin e kaluar.