Gati projekti i lumit që “ndan” Tiranën
Përfaqësuesi i komisionit për hartimin e planit urbanistik, pranë Këshillit Bashkiak, Besnik Aliaj
Lumi i Tiranës, i cilësuar si një nga zonat më problematike të kryeqytetit për shkak të ndotjes së trashëguar në dy dekadat e fundit, ka “ndarë” qytetin në dy pjesë. Më parë koncepti ishte që qyteti i Tiranës mbaronte me pjesën e unazës veriore, ndërsa Stacioni i Trenit konsiderohej si fundi i qytetit dhe pas tij shtrihej një territor bujqësor. Por me ndryshimet e pas viteve 90, urbanizimi radikal, sidomos i pjesës veri perëndimore të qytetit, bëri që në këtë pjesë të qytetit të krijoheshin një sërë ndërtimesh e aktivitete, me karakter ekonomik. Megjithatë ky fakt nuk arriti të ç’bënte ndasitë mes Tiranës tradicionale dhe Tiranës së formuar përgjatë 20 viteve të fundit. Përfaqësuesi i komisionit për hartimin e planit urbanistik, pranë Këshillit Bashkiak, Besnik Aliaj, gjykon se, “lumi i Tiranës sot është shndërruar jo vetëm në një katastrofë mjedisore, ekologjike, por edhe në një kufi në kuptimin e keq, një mur ndarës të dy pjesëve të qytetit”. Kjo fashë e qytetit është konsideruar si një prioritet për 4 vitet e ardhshme, fakt që pasqyrohet edhe në strategjinë e paraqitur nga kryebashkiaku, Lulzim Basha. Aliaj tregoi se “aktualisht po punohet për një konkurs ndërkombëtar për zgjatimin e bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, rehabilitimin e lumit të Tiranës dhe ngritjen e parkut të Paskuqanit”. Është hedhur ideja e ndërtimit të aksit më të rëndësishëm të bulevardit, i cili do t’i japë frymëmarrje qytetit, zhvillim biznesit, por do të thyej edhe atë barrierë psikologjike dhe ekologjike që ndan kryeqytetin, duke e ekspozuar drejt zhvillimit këtë pjesë të qytetit të lënë pas dore”, u shpreh Aliaj. Ai vuri në dukje se lumi i Tiranës nuk mund të konsiderohet më si “pjesa e mbrapme e shtëpisë”, ku njerëzit të hedhin plehrat, shkarkojnë ujërat e zeza, ku për shkak të injorimit nga autoritetet, njerëzit dhe komunitetet marrin territore, hedhin dhera dhe e shfrytëzojnë për qëllime ndërtimore duke improvizuar sipërfaqe të reja që konsiderohet tokë e askujt. “Gjithë kjo përpjekje për të vizionuar zhvillimin nëpërmjet dokumenteve planifikues, planeve dhe investimeve konkrete që do të vijnë, do të shërbejnë për të rikthyer akset e lidhjes dhe të transportit. Përveç ndërtimit të unazës së re të qytetit, do të shkarkohet edhe një nga akset më të rëndësishme të vendit, rruga historike qe vjen nga Dibra”. tha ai. Edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në një deklaratë të pak ditëve më parë, ka treguar se detajet e rehabilitimin të lumit të Tiranës nga ura e Brarit deri tek ura e Kamzës për ndërtimin e arteries që më pas do ta lidhë këtë vepër të madhe me rezervuarin e Paskuqanit, për ndërtimin e një parku të ri. Në realizmin e tyre, grupi i punës për planin urbanistik të kryeqytetit, po punon intensivisht për specifikimin e fazave të ndërhyrjes që do të kryhen para zgjatimit të bulevardit kryesor, siç përcaktohet në planin e ri urbanistik që do të jetë gati në maj të vitit tjetër.
...