E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti i shtetit, 40 për qind financim nga borxhi gjatë 2009

Banka Qendrore sugjeron 3 mënyra për të dalë nga borxhi publik


Buxheti i shtetit gjatë vitit 2009 është financuar masën 30.8 për qind nga borxhi. Borshi i marrë nga buxheti ka arritur shifrën 23. 8 miliardë lekë. Ndërkohë që po gjatë kësaj periudhe sektori privat ka pësuar rënie. Të njëjtin efekt kanë pësuar edhe investimet në fushën e ndërtimit të cilat kanë shënuar uljen më të madhe në 5-vjeçarin e fundit. Banka e Shqipërisë

ka i rekomandon Ministrisë së Financave dhe hartuesve të buxhetit të shtetit të ulin shpenzimet korrente, pasi të ardhurat paraqiten të paqarta dhe të kufizuara. Një tjetër rekomandim i Bankës Qendrore është dhe ulja e shpenzimeve publike me qëllim reduktimin e borxhit.


Borxhi publik
Pjesë e diskutimit të Guvernatorit Fullani ishte edhe rritja e lartë e borxhit publik. Sipas tij qeveria duhet të ndërmarrë hapa konkretë për garantimin e qëndrueshmërisë së treguesve të këtij borxhi. "Banka e Shqipërisë gjykon se, në periudhën e ardhshme, politika fiskale duhet të faktorizojë me prioritet marrjen e masave të duhura për të garantuar qëndrueshmërinë e borxhit publik. Rritja e këtij borxhi gjatë vitit 2009 dhe sensitiviteti i shtuar i tregjeve financiare ndaj këtij treguesi, e bëjnë të domosdoshëm një angazhim të besueshëm të politikës fiskale ndaj qëndrueshmërisë afatgjatë të tij", - tha ai duke shtuar se në këtë mënyrë do t'i lihej më shumë hapësirë financimit të sektorit privat në vend. Krahas borxhit publik, një tjetër tregues që shihet me shqetësim nga Banka e Shqipërisë ka të bëjë me përkeqësimin e bilancit tregtar të vendit. Sipas të dhënave, vërehet një zvogëlim me 17 për qind i këtij deficiti gjatë vitit të shkuar, por më shumë se me rritje e eksporteve ky tregues vjen si pasojë e uljes së importeve.


Politikat monetare
Aktiviteti i ndërmjetësimit financiar në ekonomi është kushtëzuar nga tkurrja e burimeve financiare, luhatja e besimit në institucionet financiare dhe rënia e kërkesës për kredi bankare gjatë vitit 2009. Në fund të muajit mars, depozitat ranë në 55 për qind të PBB-së, krahasuar me nivelin 63 për qind të shënuar në muajin shtator 2008. Tërheqja e depozitave gjatë tremujorit të parë të vitit solli ngadalësimin e zgjerimit të masës monetare në ekonomi. Aktiviteti bankar njohu një rikuperim të ngadaltë gjatë tre tremujorëve në vijim. Oferta monetare u rrit mesatarisht me 6 për qind gjatë këtij viti, ose rreth 2 herë më pak se një vit më parë. Rritja e masës monetare i detyrohet kryesisht rritjes së komponentit në lekë të saj, ndërkohë që kredia dhe depozitat në valutë kanë shënuar tkurrje gjatë vitit 2009. Krijimi i parasë në lekë është bazuar në huamarrjen e brendshme të sektorit fiskal dhe ruajtjen e ritmeve të kreditimit në lekë të sektorit privat


Transparenca
Procesi i transmetimit të vendimmarrjes në publik është thelbësor për të garantuar ruajtjen e ekuilibrave makrofinanciare të një ekonomie. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë i është përkushtuar edukimit ekonomiko-financiar të publikut, duke parë të arsyeshme ndërmarrjen e disa nismave konkrete për krijimin e një kulture financiare në shoqërinë shqiptare. Por kjo është një detyrë të cilën banka qendrore nuk mund ta realizojë e vetme; garantimi i këtyre ekuilibrave kërkon bashkëpunimin e sistemit financiar, sektorit privat dhe publikut që së bashku të reagojnë kundrejt kësaj vendimmarrjeje në mënyre eficiente dhe racionale. Ngjarjet e dy viteve të fundit i kane shtyrë shume njerëz të diskutojnë vërtetësinë e teorive të tregjeve eficiente dhe aftësisë së agjentëve ekonomikë për të qenë racionalë. Megjithëse është ende herët (ose duhet pritur) për të bërë një analizë të plotë të shkaqeve të krizës, nuk mund të lë pa sjellë në vëmendje disa elemente thelbësore që dëmtuan aftësinë e individëve e më pas të tregjeve për të qenë eficientë dhe racionalë. Kjo jo për të analizuar krizën por për të kuptuar se çfarë implikimesh mbart kjo për financat e përgjegjshme. 

Bode: Qeveria po ul borxhin publik
Qeveria shqiptare do të ulë borxhin publik dhe defiçin buxhetor. Këto probleme nuk janë hasur vetëm në vendin tonë edhe në vende të rajonit siç është Greqia. Sistemi financiar në vendin tonë është i hapur por nuk rrezikohet në mënyrë të ndjeshme nga kriza. Pasqyra është bërë dje nga Ministri i Financave Ridvan Bode. Sipas tij qeveria po ndjek një politikë më të kujdesshme makroekonomike, për të mos cënuar stabilitetin në vend. Ministri i Financave, Ridvan Bode, mbështet politikën për uljen e borxhit publik dhe të defiçitit buxhetor, elemente të cilat kanë shkaktuar jo pak probleme në vende të tjera siç është rasti i Greqisë. Numri një i Financave theksoi edhe njëherë se Shqipëria mbeti jashtë vorbullës së krizës botërore, për shkak të furnizimit të ekonomisë me likuiditetin e nevojshëm dhe mbikqyrjes efiçente të sistemit bankar. Bode shtoi se mbikqyrja duhet të forcohet më tej për t'i paraprirë me çdo krize të mundshme. Ministri i Financave Ridvan Bode i cili u shpreh se gjatë 2010, qeveria shqiptare do të ndjekë politikat monetare të cilat reduktojnë borxhin publik. Kjo do të arrihet sipas Bodes edhe me ndihmën e Fondit Monetar. Në fjalën e tij Dode theksoi se qeveria ka filluar një politikë të reduktimit gradual të borxhit dhe deficitit edhe pse jemi në parametra krahasimisht më mirë në krahasim me vendet e tjera ne mendojmë se për një zhvillim dhe për një mbështetje më të qëndrueshme dhe më të mirë për ekonominë e vendit do kërkoheshin ritme ose nivele më të ulta të borxhit publik dhe kjo përmes uljes graduale të deficitit të vendit

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›