E Diel, 1 Nëntor 2026

Pediatria pa gjak prej disa muajsh, fëmijët talasemikë në mëshirë të fatit

Prindërit: Ministria e Shëndetësisë na ka lënë pa gjak e pa ndihma

Në spitalin e pediatrisë është një pavijon i veçantë ku trajtohen fëmijët e sëmurë me talasemi. Por që prej disa muajsh shtretërit qëndrojnë në heshtje të plotë pasi mungesa e theksuar e gjakut ka bërë që fëmijët e sëmurë të kthehen pa mjekim në shtëpitë e tyre.

Edhe pse të vegjlit që vuajnë mungesën e theksuar të gjakut duhet të marrin të paktën nga një flakon gjak për çdo dy javë, kjo gjë nuk ndodh që prej disa muajsh, pasi edhe rezervat e fundit të lëngut jetësjellës kanë mbaruar tashmë. Në korridoret e pediatrisë, fiks në katin e dytë edhe pse është ditë e shtunë korridoret nuk janë të heshtura si gjithnjë. Disa fytyra të zbehta fëmijësh të moshave të ndryshme janë ulur të shoqëruar nga prindërit e tyre në stolat gjysmë të shqyer përballë spitalit të pediatrisë. Presin me orë të tëra vetëm për një flakon gjak , por edhe pse e kanë bërë kërkesën që prej disa javësh, asnjë shpresë nuk ka për ta. Më fatlumët janë ata që kanë të afërm në kryeqytet, pasi këta të fundit mund ta vënë dorën në zemër e të dhurojnë gjak për të vegjlit e sëmurë. Të tjerët janë në mëshirë të fatit. Sipas vetë familjarëve të fëmijëve me talasemi ka disa muaj që pediatria është në gjendje të vështirë për gjak. Edhe pse udhëtojnë për orë të tëra, nga qytetet e  fshatrat e largëta, dhe ju duhet që shpesh herë të qëndrojnë edhe për disa ditë me radhë në hotelet e QSUT-së, ka raste që kthehen edhe pa mjekim në shtëpitë e tyre , e për më tepër pa marrë gjak. Midis orvatjesh të pashpresa, që si për ironi të fatit në shumë raste do tu duhet që të sakrifikojnë edhe kursimet e pjesës tjetër të familjes prindërit e fëmijëve me talasemi janë vërtet personat që vuajnë më shumë. Por dhembja më e madhe është e vogëlushëve që shpesh herë kundrojnë me habi fëmijët e tjerë në spital, të cilëve ju kuqëlon fytyra. Astriti është babai i një prej fëmijëve talasemikë, i cili tregon për gazetën SOT se ka rreth tre ditë që kërkon për të birin një flakon gjak dhe nuk ka mundur ta marrë, pasi në pediatrik nuk ka. I vetmi sqarim që i kanë dhënë mjekët e infermieret është se duhet të presë disa ditë, ose duhet ta gjejë vetë dhuruesin e gjakut pasi në spital nuk ka gjak. Midis vuajtjes dhe shpresës Astriti ka zgjedhur këtë të fundit pasi ka gjetur dikë të njohur në spital dhe ky person i ka premtuar se do ta ndihmojë. Kam rreth tre  ditë, që pres pasi infermieret më kanë premtuar se fëmija im do të marrë gjak sepse ka rreth dy muaj pa marrë dhe gjendja e tij është keqësuar, nuk mund të vazhdoj dot më kështu, kam ardhur nga një fshat i thellë i Kukësit dhe fëmijët e tjerë i kam lënë vetëm në shtëpi, Ministria e Shëndetësisë duhet ti hedhë sytë edhe nga ne ka rrëfyer dje për gazetën një tjetër prind i një fëmije me talasemi. Sipas tij është mëkat i madh që fëmijët me talasemi të torturohen në këtë mënyrë. Të gjitha përgjegjësitë janë të Ministrisë së Shëndetësisë pasi ajo është i vetmi institucion përgjegjës për këtë problem tha dje babai i Fatjonit, fëmijës tre vjeçar i sëmurë me talasemi që në moshën një vjeçare. Por ky fëmijë nuk është i vetmi që për një flakon gjak udhëton mijëra kilometra. Edhe shumë fëmijë të tjerë shpresën e vetme kanë pediatrinë e kryeqytetit duke shpresuar se aty do të gjejnë mjekim dhe ilaçe.


Ndihmat
Ministria e Shëndetësisë duket sikur ka lënë në mes të katër rrugëve fëmijët talasemikë të cilët nuk janë të paktë në numër. Por organet shtetërore për këtë fëmijë nuk japin asnjë ndihmë e për më tepër para ose një pension mujor I cili do tju shërbente familjeve të këtyre fëmijëve për të kryer nevojat elementare ose blerjen e ilaçeve për fëmijët talasemikë. Të vetmin pension mujor që marrin fëmijët talasemikë jua jep një shoqatë e cila ka rreth katër vjet që për çdo muaj dhuron për çdo të sëmurë nga 100 mijë lekë të vjetra.
Nevoja për gjak Gjaku duhet te merret çdo tre katër jave, në bazë të nevojave të pacientëve që duhet të bëjnë medoemos analiza laboratorike në spitale, ambulancë apo qendra të tjera shëndetësore, për të ditur përqindjen e hemoglobinës së tyre, edhe ne rast se nuk kanë shfaqje të dukshme, si lodhje apo zbehtësi të fytyrës (anemi). Transfuzioni i gjakut synon të mbajë nivelin e hemoglobinës pothuajse normal, duke zëvendësuar rruazat e kuqe "boshe", me të reja të shëndetshme. Kjo formë mjekimi, e quajtur "hyper transfuzion", mund të ulë aneminë dhe të sigurojë që indet të marrin sasinë normale të oksigjenit. Kjo u jep mundësi fëmijëve me talasemi që të jetojnë dhe të zhvillohen normalisht dhe një ditë të shërohen plotësisht, si rezultat i përparimeve të dukshme në mjekësi. Që nga zbulimi i kësaj sëmundjeje nga mjeku amerikan Cooley, nga i cili fillimisht ka marrë edhe emrin sëmundja (apo edhe fondacioni amerikan me prestigj që njihet në gjithë botën "Cooley's Anemia Foundation"), apo edhe "Talasemi Major", "anemi mesdhetare", etj., sukseset dhe hapat në drejtim të mjekimit janë të dukshme.

Arta AGOLLI

Last Updated on E Shtune, 17 Prill 2010 20:15

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›