E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me pasardhësit e delegatëve të Alfabetit shqip në Manastir

Nga Kozeta Zavalani

Pasardhës të delegatëve të Kongresit të Manastirit, që 100 vjet më parë, vendosën njehsimin e alfabetit të gjuhës shqipe, u mblodhën si gjyshërit, apo stërgjyshërit e tyre, në takimin “Të nderojmë veprën e rilindësve dhe të forcojmë dashurinë për gjuhën tonë, vlera më e madhe e kulturës kombëtare”. Ishin nipër e stërnipër të Frashërllinjve, Topullinjve, Vrionasve, Qiriazëve, Luarasëve, Zavalanëve, për të vijuar me pasardhës të Shahin Kolonjës, Dhimitër Budës, Hilë Mosit, Luigj Gurakuqit, etj. Organizatorja e takimit, Elida Jorgoni, nuk e pati të lehtë t’i gjente. Iu desh të kërkonte në arkiva e numëratorë telefonikë. Të lënë në hije për vite me radhë, madje edhe të persekutuar gjatë periudhës së diktaturës, pasardhësit e delegatëve të Kongresit të Manastirit, pretenduan të dëgjohet zëri i tyre. Edhe pse sot askush më nuk mund të censurojë historinë, nuk mund të lerë në hije e të përçudnojë kujtimin dhe veprën e tyre. Duke parë që organet e shtetit shqiptar nuk po i kushtonin rëndësinë e duhur kësaj ngjarjeje madhore, që është një nga kulmet e historisë sonë kombëtare, sipas projektit të zonjës Elida Jorgoni, një grup nga pinjollët e familjeve të ish- delegatëve të këtij kongresi të madh u mblodhën për të vendosur në lidhje me kremtimin e kësaj ngjarjeje. Bordi drejtues i përbërë nga pasardhësit e këtyre delegatëve, parashikoi kremtimin e këtij përvjetori në Manastir (sot qyteti Bitola në Maqedoni) në shtëpinë e Zavalanëve dhe Qirjazëve, ku u mblodh kongresi më 1908. Në historinë e Shqipërisë, Kongresi i Manastirit shënon një ngjarje të rëndësishme politike, kulturore, shkencore (gjuhësore) dhe arsimore për kombin shqiptar, pasi është kongresi i alfabetit kombëtar të shqipes, që u përpilua dhe u miratua prej tij, alfabeti që përdoret edhe sot, por askush nga pushtetarët nuk u kujtua se këta njerëz, që na dhanë alfabetin, kanë lënë pas pasardhës, të cilët në të vërtetë kanë se ç’tregojnë. Të mbledhur rreth një tryeze të rrumbullakët, pinjollët kërkuan të kujtohen dhe të jenë të pranishëm në përkujtimet e këtyre datave të shënuara, që janë pjesë e jetës së tyre.

***

Unë si sekretare e Komitetit të ngritur me këtë rast, (në komitetin e alfabetit, 100 vjet më parë, sekretare ishte Parashqevi Qiriazi, e vetmja grua delegate në Manastir dhe e para grua në histori që mori pjesë në një forum gjithëshqiptar) thashë se ky takim është edhe një lloj sensibilizimi që i bëhet qeverisë shqiptare, për t’i dhënë rëndësinë e duhur kësaj ngjarjeje. Ndaj në një letër drejtuar pushtetarëve, duke filluar me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, tek kryeministri, Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ministri i Kulturës, Ylli Pango, ai i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja dhe kryebashkiakut Edi Rama, delegatët e “rinj” kërkuan mbështetje financiare për udhëtimin e tyre, me qëllim që edhe ata të mund të vendosin një kurorë me lule tek ndërtesa ku u zhvillua kongresi.

Nga bordi me pasardhësit e delegatëve të Kongresit të Manastirit, të zgjedhur në mbledhjen e datës 11 tetor 2008, sipas modelit të 100 viteve para, ishte caktuar Komisioni me Kryetar; Blendi Fevziu, Nënkryetare; Robert Dako e Pjerin Logoreci, Këshillues: Perikli Jorgoni, Sekretare: Kozeta Zavalani dhe Koordinatore Projekti: Elida Jorgoni.

Ju kërkua mbështetje morale dhe financiare shtetit shqiptar, për të shlyer sadopak “borxhin” që u kemi atyre (paraardhësve) që punuan një jetë të tërë, madje edhe u sakrifikuan për çështjen e gjuhës amtare.

Megjithëse pa e marrë financimin, të mjaftuar me premtimin e bërë nga strukturat shtetërore, u nisen drejt Manastirit delegatët e “rinj” të Kongresit të Manastirit, trashëgimtarë të ish-shkrimtarëve e publicistëve më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare etj, u nisëm me dy furgona nga agjencia turistike drejt Manastirit.

***

Dihet që nismën për thirrjen e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit, që luante rolin kryesor ndërmjet klubeve shqiptare. Kongresi u hap më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote.

Koha ishte e kthjellët dhe e ftohtë, por ne të gjithë me gëzim në zemra e ngrohëm edhe motin. Udhëtimin nuk e ndjemë fare, duke dëgjuar bisedat e këndshme të historianit enciklopedik Tanush Frashëri, i cili kishte ardhur me bashkëshorten e tij Fifi, mbesë e diplomatit dhe veprimtarit të njohur politik Eqrem Vlora, ardhur nga Vjena posaçërisht për këtë eveniment.

Me të mbërritur në Manastir, zbritëm nga furgonat dhe me flamuj kombëtarë në duar, kaluam urën mbi lumin Draguar dhe iu drejtuam shtëpisë së Kongresit, tashmë të restauruar.

- Mirëseardhët në shtëpinë tuaj- na u drejtua ne Zavalanëve, poeti Xhevahir Spahiu, ndërsa shkrimtari Andon Andoni na fiksonte me aparatin fotografik.

Midis shkallëve, mbi flamurin kombëtar ishte vendosur stema e këtij evenimenti ku shkruhej: “100 vjet shkruajmë njësoj 1908-2008, Kongresi i Manastirit.”

Teksa ngjisnim shkallët për të vizituar dhomat e shtëpisë muze, dëgjoja zërin e Petro Skënder Luarasit: “Edhe nëse do të më vrisni, vramëni, por më ruani gjakun, sepse do t’u duhet bijve dhe nipërve tuaj për të shkruar gjuhën shqipe”. Kështu tha dikur Petro Nini Luarasi, një nga delegatët e Kongresit të Alfabetit të mbajtur 100 vjet më parë, në njërën prej dhomave, të ndërtesës trekatëshe. Këto fjalë ishin shkruar edhe në fletë-palosjen me programin “Manastiri Feston - 100 vjet Kongresi i Alfabetit” që u mbajt në Manastir nga 14 deri më 22 nëntor 2008.

***

Kongresi i Manastirit është një përpjekje vigane për ta ruajtur dhe për ta afirmuar identitetin kombëtar. Ai hyri ne histori për shkak të vendimeve të rëndësishme për punën e shkrimit t ë gjuhës dhe njësimit të plotë të alfabetit, nga i cili u ndërtuan breza të tërë intelektualësh të përmasave botërore, vlerësuan pjesëmarrësit në tribunën me teme: “Dallimet gjuhësore, solidariteti dhe toleranca”, me të cilën zyrtarisht u hap manifestimi kushtuar 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit.

Me rastin e këtij përvjetori Postat e Maqedonisë përuruan pullën postare me motive nga Kongresi i Manastirit. 20 të rinj alpinistë nga gjimnazi i Dibrës, që kishin udhëtuar 75 km, për dy ditë, si vëzhgues malorë të udhëhequr nga mësuesi i historisë Fisnik Cami, na shoqëruan në Shtëpinë e Kulturës, në sallën e madhe të së cilës u mbajt “Akademia solemne”. Pas ekzekutimit dhe këndimit të himnit kombëtar, akademik Ali Aliu, në emër të Këshillit organizativ na uroi mirëseardhjen në Manastir, në qytetin e shkollimit të tij.

Zv/kryeministri i Republikës së Maqedonisë, z. Abdilaqim Ademi mbajti fjalim me rastin e fillimit të aktiviteteve. Midis të tjerash ai theksoi: “Sot e 100 vjet më parë Manastiri ishte qendër e tubimit më të lartë të intelektualëve shqiptarë të kohës. Ishte Manastiri ai që i mblodhi të gjitha shoqatat shqiptare kudo që ato gjendeshin për ta vënë vulën e parë në ndërtimin e mëtejshëm intelektual e kombëtar të shqiptarëve. U bë ajo që do ta shënojë kthesën më të madhe të popullit tonë. U hapën rrugët që të gjithë njësoj, me një alfabet të komunikojmë ndërmjet veti, pavarësisht nga dallimet e dialekteve dhe përkatësisë fetare”, deklaroi Ademi. Ai tha se 100 vjet më parë u mblodhën historianët: myslimanë, të krishterë, synitë, bektashinj, ortodoksë, katolikë, protestantë, toskë, gegë, çamë, lab, etj. Ishin të kësaj përbërje sepse parimi i kongresit ishte; "një komb, një gjuhë, një alfabet".

Akademinë solemne e përshëndeti stërnipi i vëllezërve Qirjazi, që jeton në Manastir Risto Nikolla Qirjazi, i cili fatkeqësisht nuk dinte shqip dhe nuk foli asnjë fjalë në gjuhën për të cilën punuan aq shumë paraardhësit e tij.

***

Veprimtaria vazhdoi me një koncert te madh letraro-artistik me grupe nga Manastiri, Prizreni, etj shoqëruar nga tingujt e Pellagonisë e “Drita e Livadhisë”. Me duartrokitje të vazhdueshme u shoqërua ansambli nga Tetova me të cilët u bashkua edhe tetovarja që jeton në Tiranë, Valdet Derralla, mbesa e Ministrit të Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit, Mehmet Pasha Deralles. Ajo duke valëvitur flamurin kombëtar, brohoriste e këndonte së bashku me grupin, që e kishin bërë një ditë e lumtur edhe për të. Falenderim të veçantë për qeverinë maqedonase me zotërinjtë Ademi e Pollozhani, bëri edhe organizatorja e programeve artistike Hamide Xhemali, së cilës iu dhurua pllakati “100 vjet Alfabeti” nga një prej vogëlusheve të koncertit të veshur me kostum popullor. Programi u mbyll me përshëndetjen në emër të pasardhësve të delegatëve të Kongresit të Manastirit, zotit Tanush Frashëri, ndërkohë që u ngjitën në skenë të gjithë “delegatët e rinj” ardhur nga të gjitha viset e Shqipërisë, ashtu si gjyshërit e stërgjyshërit e tyre 100 vjet përpara. Ndërkohë mbi stendë projektoheshin emrat e pjesëmarrësve të Kongresit të Manastirit kryesuar nga Homeri shqiptar Gjergj Fishta e pasuar nga familja Qirjazi e me radhë.

Sotir Peçi, delegat i dy kolonive shqiptare të Bukureshtit dhe Amerikës, përfaqësohet nga stërmbesa e tij, Kostanca Rexhepi, Kote, vajza e Mariana Pecit. Gjergj Qiriazi, delegat i Manastirit, përfaqësohet nga Robert Dako. Dhimitër Buda, delegat i Elbasanit, përfaqësohet nga mbesa e tij Tatiana Haxhimihali, Buda. (Vajza e Prof. Aleks Budës.). Simon Shuteriqi, delegat i Elbasanit, përfaqësohet nga mbesa e tij Mira Shuteriqi. Kamber Efendi Sejdiu, delegat i Elbasanit, përfaqësohet nga nipi i tij Hysen Sejdiu. Lef Nosi, delegat i Elbasanit, përfaqësohet nga nipi i tij Skënder Kosturi. Refik Bej Toptani, delegat i Tiranës, përfaqësohet nga Blendi Fevziu. Leonidha Naçi, delegat i Vlorës, përfaqësohet nga Gjergji Naçi. Bajo Topulli delegat i Gjirokastrës, përfaqësohet nga i Bajo Topulli. Çerçiz Topulli, delegat i Gjirokastrës, përfaqësohet nga Skënder Topulli. Mit’hat Bej Frashëri, delegat i Klubit të Shqiptarëve të Selanikut dhe Janinës, përfaqësohet nga stërmbesa Najada Toptani, Petrela. Shefqet Bej Frashëri, delegat i Korçës, përfaqësohet nga Tanush Frashëri. Sami Bej Pojani, delegat i Korçës, përfaqësohet nga Orhan Pojani. Grigor Cilka, delegat i Korçës, përfaqësohet nga nipi Grigor Gilka. Hafiz Ali Korça delegat i Korçës, përfaqësohet nga nipi i tij Ali Korça. Haxhi Jashar Efendi Bitincka, delegat i Shkupit, përfaqësohet nga Fatos Bitincka. Hilë Mosi, delegat i Shkodrës, përfaqësohet nga nipi i tij Perikli Jorgoni. Luigj Gurakuqi, delegat i Shkodrës, përfaqësohet nga stërnipi i tij Nikolin Gurakuqi. Mati Logoreci, delegat i klubit “Bashkimi” Shkodër, përfaqësohet nga nipi Pjerin Logoreci. At Gjergj Fishta, delegat i Shkodrës, përfaqësohet nga nipi Tonin Frani.

Dom Ndre Mjeda, delegat i Shkodrës, përfaqësohet nga Tonin Thaçi. Shahin Bej Kolonja (Ypi), delegat i Kolonjës, përfaqësohet nga Ares Ypi, djaloshi më i ri i grupit. Sulejman Fiqiri Efendi Starova, delegat i Starovës, përfaqësohet nga nipi i tij Sulejman Starova. Adam Shkaba, delegat i Sofies (Bulgari), përfaqësohet nga nipi Angeli Argjiri. Dhimitër Mole, delegat i Filipopolit (Bulgari), përfaqësohet nga Gjergji Mole me banim në Zvicër. Nyzhet Bej Vrioni, delegat i Beratit, përfaqësohet nga Anila Godo. Fehim Zavalani, delegat i kolonisë shqiptare të Misirit, përfaqësohet nga Nezi Kazani. Izet Zavalani, delegat i Follorinës, përfaqësohet nga Gjergj Zavalani. Dom Nikollë Kaçorri, delegat i Durrësit, përfaqësohet nga Gjon Kaçorri. Hazis Hoxhë Efendi Lila, delegat i Bërzeshtës (Librazhd), përfaqësohet nga Artan Lila. Maliq Elmaz Bej Frashëri, delegat i Nakoletes (Azia e Vogël), përfaqësohet nga Malo Frashëri. Xhemal Bej Frashëri, delegat i Ohrit, përfaqësohet nga Xhemil Frashëri. Patriarku martir i gjuhës shqipe, Petro Nini Luarasi, përfaqësohet nga nipi i tij Petro Skënder Luarasi.

***

Përfaqësues nga mediet lokale e kombëtare kishin material të bollshëm, sjellë nga goja e paraardhësve të Kongresit të Manastirit. Shumë prej tyre si Tanush Frashëri, Tatiana Haxhimihali, Petro Luarasi e Gjergj Zavalani, i intervistoi gazetari Afet Miftari nga TVM i Shkupit. Në fjalën e tij Gj.Zavalani tha se ishte i kënaqur që Shoqëria e re “Bashkimi” kishte mbledhur e ruajtur shumë letra që i ishin dërguar nismëtarit të Kongresit dhe kryetar i klubit “Bashkimi” të Manastirit, Fehim Zavalani. Një prej tyre ishte ajo e dërguar prej Fan S. Nolit më 13 tetor 1908, ku shkruante: ”Kam shpresë se Klubi do të kujdeset dhe të mos harrojë cilat kanë qenë dhe janë dëshirat e përzemërshme të çdo shqiptari atdhetar.”

Në muzeun e porsakrijuar ishin ekspozuar deftesa të pagesave të bëra për botimet e viteve të para pas Kongresit si dhe Abetare e parë hartuar nga Parashqevi Qirjazi. Z. Tanush Frashëri i dhuroi këtij muzeu një foto nga arkivi i familjes me gjithë delegatët e Kongresit të Manastirit.

Alfabeti i hartuar në Manastir përmbante 36 shkronja e ndërthurje shkronjash latine.

Po, pse i duhej shqipes një alfabet thjesht latin dhe cilat ishin përparësitë e tij?

“Alfabeti latin i përshtatej më mirë gjuhës shqipe, atë e përdor bota e qytetëruar evropiane, prandaj i duhej ta përdornin edhe shqiptarët që i përkasin kësaj bote evropiane; alfabeti latin kishte një traditë shekullore në Shqipëri, i shkëpuste shqiptarët nga alfabeti arabo-turk dhe ai grek, me të cilët nuk e lidhte asgjë, duke shmangur kështu edhe rrezikun e madh të shkombëtarizimit.”

Veprimtaritë u zhvendosën nga qyteti i Manastirit për të vazhduar në Shkup, ku të shtunën, të ftuar nga homologu i tyre Nikolla Gruevski, morën pjesë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

***

Ndërsa ktheheshin secili kujtonte momentet e bukura nga veprimtaritë në Manastir, pa harruar edhe vizitën në Amfiteatrin Herackea Lyncestis apo në Shën Naum. Me gjithë motin e keq në Qafë Thanë, ku asistuam edhe në aksidentin e ndodhur para nesh, ku bashkëshorti im mjek dha ndihmën e parë, derisa mbërritën autoambulanca e policia, u kthyem në Tiranë për tua treguar brezave të ardhshëm këtë ngjarje historike të festimit të Alfabetit të gjuhës shqipe, për t’u përkujtuar përjetë ndër breza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›