E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakavijë, dogana mbyll dyert për 2 ditë

 KAKAVIJE - Doganierët grekë në tre pika kufitare në jug të vendit, që lidh Shqipërinë me vendin fqinj, kanë paralajmëruar një grevë 48 orëshe, duke filluar nga ora 23:00 e mbrëmjes së sotme. Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit në Qarkun e Gjirokastrës njoftoi dje se deri më 5 shkurt, të gjithë punonjësit e doganës greke të Kakavijës, nuk do të procedojnë me shërbimet doganore për mjete motorike. Ky veprim i njëanshëm i ndërmarrë nga ana e doganierëve helenë vjen si shenjë proteste për shkurtimet që pritet të kryhen në këtë sektor. Burimet zyrtare policore kanë bërë të ditur se dogana greke do të trajtojë vetëm këmbësorët dhe rastet e urgjencave që do të kalojnë në këtë hark kohor përmes tre pikave doganore. Nëse doganierët grekë nuk marrin përgjigje pozitive pas kësaj greve, ata kanë paralajmëruar një grevë pa afat në ditët e ardhshme. Dy vjet më parë doganierët grekë të pikës kufitare të Kakavijës, organizuan një grevë të tillë, e cila zgjati katër ditë.                                              p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›