E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti merr 72 vota, PDK nuk voton

Votimi i buxhetit shtesë ka sjellë lëkundjet e para të votave brenda maxhorancës. 

BLEDAR HOTI

Ndryshimi i qeverisë është reflektuar dje në votimin e buxhetit të dytë shtesë, ku demokristianët nuk kanë votuar fare ligjin më të rëndësishëm për qeverinë kur ata deri dje përfaqësoheshin me ministër në kabinetin “Berisha”.
Në momentin e votimit të buxhetit të shtetit është vënë re që, të gjithë deputetët demokristianë nuk kanë qenë të pranishëm, duke dhënë një sinjal të qartë për marrëdhëniet me aleatët. Buxheti shtesë mori 72 vota pro, 18 kundër dhe tre abstenime. Ndërsa votat abstenuese erdhën nga grupi më i ri “Qendrës”, nga Durim Hushi, Durim Lamaj dhe Bukurosh Stafa.
Përplasje për buxhetin
Kryeministri Sali Berisha në diskutimin e tij u shpreh se,  “drafti që ne sjellim në Parlament është dëshmia më e ndritur, më e shkëlqyer e shembjes së kolapsit përfundimtar të sistemit të kleptokracisë, që ishte instaluar në Shqipëri”. “Nuk them çrrënjosjen e korrupsionit, por shembjen e sistemit, i cili ishte bazuar tërësisht në vjedhjen e taksave dhe tatimeve, të të ardhurave të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh kryeministri. Duke iu drejtuar deputetëve me argumente dhe fakte, kryeministri vijoi se, “të ardhurat tatimore nga administrata e kësaj qeverie, u rritën nga 204 miliardë dollarë në vitin 2005, në 303.7 miliardë dollarë në vitin 2008”. “Para shqiptarëve unë nuk lejoj të krahasohem vetëm me periudhën e kulmit të kleptokracisë, por do të krahasohem me vitet e kësaj qeverie. Të ardhurat buxhetore nga viti 2007, të cilat ishin 251 miliardë lekë, arrijnë në 303 miliardë në vitin 2008, me një rritje për harkun kohor njëvjeçar”, shtoi Berisha. Ndërsa Braçe deklaroi se, “Berisha me buxhetin e tij i jep 6.6 miliardë lekë rritje pagash dhe pensionesh, do t’i merrni nga tatimi mbi pagat 7 miliardë të gjithë atyre, që punojnë me djersën e ballit”. Sipas tij, Berishës i intereson rritja e çmimit të naftës, pasi vjel taksa të konsiderueshme.
Akuzat për rrugën Durrës-Kukës
Kryeministri Sali Berisha akuzoi socialistët se kanë vjedhur paratë e taksës së parashikuar për rrugën Durrës-Kukës. “Ju duhet të jepni llogari këtu për zhdukjen e 300 milionë USD të vjelura për taksën e rrugës Durrës-Kukës. Për këtë unë dua të bëj me dije se jam krenar që kam nisur projektin e kësaj rruge, kur ylli polar i programit tonë ishte çështja kombëtare”. Berisha gjithashtu bëri të ditur se, së shpejti do të nisë edhe Rruga e re Arbit. Sipas tij, kjo rrugë do të zgjerojë lidhjen e Shqipërisë me Evropën.

Braçe, 15 minuta në plate

Incidenti tjetër është shënuar me socialistin Braçe, ku Topalli i ka ndërprerë fjalën, duke shkaktuar dhe përplasje të vogla. Braçe i është drejtuar dhe Berishës për ndihmë, por Topalli ka ndërhyrë duke u shprehur se, “jam unë këtu dhe jo kryeministri”. “Kur të jesh ti kryeministër, mund të flasësh sa të duash”, i ka deklaruar Topalli, ndërsa Braçe ka qëndruar në plate për më shumë se 15 minuta pa lëvizur, duke detyruar Xhaferrin të flasë nga vendi. Topalli e argumentoi ndërprerjen e fjalës me faktin se, i ka mbaruar koha dhe se bëri gabim që i la 10 minuta të fliste, në një kohë që rregullorja përmban pesë minuta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›