E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patos, ish-shefi i Policisë Bashkiake dhunon drejtorin e Gjelbërimit

PATOS – Goditet në krye të detyrës drejtori i Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit në qytetin e Patosit, Vladimir Paja. 

Pasditen e së enjtes, në momentin kur Paja ka lënë punën dhe po zbriste nga shkallët e godinës është ndeshur me një mori të goditurash nga mjete të forta. Armando Ahmetaj, ish-shefi i Policisë Bashkiake mësohet të jetë autori, i ndaluar nga policia pas denoncimit. Sipas deklarimeve të vetë të lënduarit, ai kishte debatuar me Ahmetajn në momentin kur forcat e Policisë Ndërtimore në qytet po prishin godinën-kioskë ku ushtronte veprimtarinë e saj Partia Socialiste një ditë më parë. Paja ka pohuar se, ka debatuar gjatë paradites së të mërkurës me Ahmetajn, i larguar 1 vit më parë nga puna me motivacionin “tejkalim kompetencash dhe shpërdorim detyre”, por që është gjendur në momentin e konfliktit mes anëtarëve të PS-së, përfaqësuesve të bashkisë e ndërtimorëve. Pas ngjarjes së djeshme kryebashkiaku i Patosit, Bardhi Meli, reagoi duke e dënuar këtë veprim të Ahmetajt, të cilin e ka quajtur të shëmtuar dhe antidemokratik. Në një bisedë telefonike, Meli konfirmoi faktin se Ahmetaj ka shfaqur herë pas here indinjatën e tij pas shkarkimit që i është bërë nga detyra. Ai madje, po sipas Melit, ditën e mërkurë ka penguar bashkë me kryetarin e nëndegës së Partisë Socialiste Patos, prishjen e kioskës e cila ishte pa asnjë leje dhe e ndërtuar në hapësira publike. Ndërkaq pasi ka qëlluar drejtorin e Ndërmarrjes së Pastrimit me mjete të forta, Ahmetaj e ka kërcënuar atë se do t’i marrë jetën. Paja ka bërë denoncimin dhe forcat e policisë e kanë ndaluar agresorin deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes.                                       m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›