Kontrata e re energjisë, ulet kamatëvonesa
Enti Rregullator i Energjisë është në fazën e konsultimeve për kontratën e re të energjisë, cila do të jetë gati në muajin shtator. Ulet kamatëvonesa nga 0.5 në o.1%. Ja risitë e reja
Kamatëvonesa për mospagesën në kohë të faturës së energjisë do të ulet. Lajmi bëhet i ditur nga Enti Rregullator i Energjisë, sipas të cilit në kontratën e re të energjisë, e cila do të jetë gati gjatë muajit shtator, parashikohet ulja e kamatëvonesës nga 0.5 për qind e vlerës së faturës që është aktualisht, në 0.1 për qind. Aktualisht kontrata e re është në fazën e konsultimit me grupet e interesit. Në datë 5 shtator është seanca përfundimtare që do të zhvillohet në Tiranë, ku do të jenë të ftuara të gjitha institucionet dhe të gjitha shoqatat, të cilat kanë shprehur dhe do të shprehin opinionet e tyre. Brenda muajit shtator do të ketë një vendimmarrje nga bordi i komisionerëve për miratimin e kontratës mes kompanisë së shpërndarjes, CEZ Shpërndarja, dhe qytetarëve konsumatorë të energjisë elektrike, bëjnë të ditur burimet në ERE. Me draftin e ri është planifikuar të jetë 0.1% në ditë të vlerës së faturës dhe gjithashtu po shihet mundësia që të mos jetë në masën 100% të vlerës së faturës debitore. Kontrata e re do t’i akordojë gjithë të drejtat e nevojshme konsumatorit, që nuk i ka patur me kontratën aktuale. Rregullorja e re për cilësinë e shërbimit e konsultuar me specialistët dhe grupet e interesit dhe e miratuar nga ERE do të detyrojë CEZ Shpërndarje të furnizojë konsumatorin shqiptar 24 orë pa ndërprerje me energji elektrike dhe të zhdëmtojë incidentet e luhatjeve të tensionit. Sipas draftit në fjalë, që MAPO disponon, ERE do të kërkojë që kontrata e re të ndryshojë në disa drejtime për standardet e shërbimit. Në fakt, me kontratën aktuale konsumatorëve ndërprerjet e energjisë elektrike u bëhen pa paralajmërim dhe pa kohëzgjatje të përcaktuar. Kjo ka ardhur si pasojë se në Shqipëri tre vjet më parë bëheshin ndërprerje pa limit dhe konsumatori nuk kishte të drejtë të kërkonte asgjë. Ndërsa kjo sjellje e CEZ me konsumatorin me kontratën e re do të sanksionohet. Sipas draftit në fjalë, furnizuesit i del për detyrë që të furnizojë konsumatorin 24 orë me energji elektrike pa ndërprerje, me përjashtim të rasteve të avarive dhe remonteve të planifikuara. Për remontet e planifikuara ai ka për detyrë të njoftojë kohën e përcaktuar të ndërprerjes, në mënyrë që konsumatori të marrë masa. Për defekte dhe avari do të përcaktohen limite. Nga ana tjetër, parashikohet që të futet edhe zhdëmtimi. Referuar po draftrregullores për cilësinë e shërbimit të shpërndarjes dhe shitjes së energjisë elektrike, nëse dëmtohen pajisje elektrike etj., apo digjen shtëpi, ato do të dëmshpërblehen. Nëse pas ekspertizës rezulton se shkak i dëmeve ka qenë furnizuesi, kontrata e re parashikon edhe zhdëmtimin për këtë qëllim. Ndërsa për cilësinë e furnizimit do të vendosim norma për nivelin e tensionit dhe tregues të tjerë të cilësisë.” – thotë ai. Kontrata e re e kërkuar prej ERE-s është në përputhje edhe me detyrimin ligjor që ka sipas deklaratës rregullatore. ERE i ka kërkuar CEZ të paraqesë një projekt të standardeve të shërbimit dhe cilësisë që duhet të plotësojë konform standardeve ndërkombëtare, por duke marrë parasysh edhe situatën aktuale, gjendjen e rrjetit elektrik në Shqipëri edhe kushtet konkrete. Sipas draftrregullores, Shoqëria e Shpërndarjes kryen regjistrimin e ndërprerjeve të paplanifikuara, të gjata apo të shkurtra, nëpërmjet metodave që disponon. Gjithashtu, shoqëria e Shpërndarjes mban regjistrin e ndërprerjeve për të gjitha llojet e ndërprerjeve të përmendura, i cili duhet të përmbajë: Origjinën e ndërprerjes, shkakun e ndërprerjes. Duke cituar sërish draftin, çdo ndërprerje e furnizimit me energji elektrike të konsumatorit, në sistemin e shpërndarjes, e cila zgjat më shumë se 3 minuta, konsiderohet ndërprerje e gjatë dhe çdo ndërprerje e furnizimit me energji elektrike të konsumatorit, në sistemin e shpërndarjes, e cila zgjat më pak se 3 minuta, konsiderohet ndërprerje e shkurtër.