E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Berisha, furnitori kryesor i Radovan Karaxhiç”

“Me fjalorin e përdorur na keni kthyer në vitin 1997”. Kreu i LSI kërkon komision hetimor për Gërdecin

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta e ka lidhur reagimin ekstrem të kryeministrit Berisha ndaj deputetit të PS-së, Taulant Balla, me arrestimin e Radovan Karaxhiç. Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, Meta u shpreh se kryeministri Berisha është tronditur kur ka mësuar lajmin për arrestimin e Radovan Karrxhiç, pasi sipas Metës, kreu i qeverisë shqiptare është një nga furnitorët kryesorë të makinerisë serbe. “Duke mos qenë as mjek dhe vetëm si politikan, unë deri tani kam vetëm një arsye në mendjen time, që ka të bëjë me lajmin tronditës që do të ketë përjetuar Kryeministri ynë atë natë për arrestimin e Radovan Karaxhiçit. Ndoshta ky lajm i ka kujtuar Kryeministrit tone, kohën kur ai ishte një nga furnitorët kryesorë të makinerisë vrasëse të të gjithë nacionalistëve serbë në ish-Jugosllavi”, është shprehur Meta.
Dënimi
Më tej kreu i LSI-së dënoi sjelljen e kryeministrit Berisha, ndërsa rikujtoi se fjalori i Berishës është në vazhdën e denigrimit të familjarëve të deputetëve.
“Ky kryeministër, kur kam qenë unë kryeministër thoshte se nusja jote ka vrarë njerëz, dhe sot e kësaj dite nuk ka zbardhur asnjë nga ato akuza që ka bërë në atë kohë.
Ky Kryeministër fliste për gratë, për djemtë dhe vajzat e ministrave, i kishte lidhur me të gjitha fijet e trafikut vite më parë, dhe sot nuk ka asnjë fakt dhe asnjë provë edhe pse është prej tre vitesh Kryeministër”, është shprehur Meta. Ai ka kërkuar ndjesë për incidentin e ndodhur dy vjet më parë ku në qendër ishte vetë Meta, ndërsa theksoi se për atë veprim të shëmtuar është provokuar nga kryetarja e Kuvendit Topalli.
“Ajo çka unë kam bërë në Parlament këtu e para dy vjetësh, ka qenë si rezultat i provokimit tuaj dhe të Kryetares së Parlamentit, duke shkelur të gjithë procedurat dhe rregulloren e Parlamentit për të manipuluar KQZ-në dhe për të manipuluar zgjedhjet që po vinin. Dhe e kam bërë me vetëdije të plotë, pavarësisht se nuk më vjen mirë për atë çfarë ka ndodhur”, është shprehur Meta, ndërsa e cilësoi situatën e krijuar si kthim të vitit 1997 ku nxirreshin jashtë Kuvendit përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, ashtu sikurse ndodhi gjatë seancës së kaluar parlamentare.
Kërkesa
Kreu i LSI-së gjithashtu gjeti rastin për të kërkuar ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor për tragjedinë e Gërdecit. “Por ky parlament ka tre muaj dhe e ka tmerr të krijojë një Komision Hetimor parlamentar për Gërdecin. Kjo është akuza më e madhe për këtë Parlament. Në SHBA është ngritur një Komision Hetimor për këtë çështje dhe atje asnjë amerikan nuk është vrarë. Ndërsa tek ne, ku janë vrarë 30 njerëz dhe këtu ende jashtë çdo procedure parlamentare nuk merret parasysh një kërkesë e firmosur nga deputetët e këtij parlamenti për të hetuar tregtinë e municioneve”, është shprehur Meta.

25 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›