E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Topi, fillon dueli për anëtarin e shtatë të Gjykatës së Lartë



Habjon Hasani
Ndërsa së shpejti pritet votimi në Kuvend i gjashtë të dekretuarve për anëtaë të Gjykatës së Lartë nga presidenti, si garanci për ta duket se po shërben propozimi i 28 deputetëve demokratë që i ka shkuar Topit. Behët fjalë për propozimin e bërë publik ekskluzivisht në “Albania” ku deputetët demokratë mbështetës të kryetarit Berisha zgjodhën si zëvendësues për anëtarin e shtatë të Gjykatës së Lartë vetë avokatin e kryeministrit Berisha, Fana. Megjithatë Fana është një avokat dhe jurist i spikatur i cili ka të rregjistruara si të fituara pjesën dërrmuese të çështjeve që ka marrë përsipër. Megjithatë fakti që Fana ka qenë avokat i kryeministrit Berisha, mund të interpretohet dhe politikisht, në kushtet kur edhe propozimi ka ardhur nga 28 deputetë të djathtë kryesisht anëtarë të partisë Demokratike. Por jo më larg se një ditë më parë “Albania” është informuar se mes Presidencës dhe Kryeministrisë ka patur disa sinjale të qarta lidhur me vendosmërinë e Presidentit për të kaluar gjashë dekretimet e tij në Kuvend. Ndërsa mbështetësit e Topit nuk kanë patur komplekse të fshehin edhe sigurinë e Presidentit, i cili në çdo rast ka mbi tryezë propozimin e Fanës.
Propozimi
Duket se beteja për emërimet në Gjykatën e Lartë përbën një moment vendimtar për kryeministrin e vendit, deputetët e të cilit kanë propozuar avokatin e tij për anëtar të kësaj gjykate rreth dy avë më parë. Rreth 28 deputetë të Partisë Demokratike (e jo vetëm), kanë firmosur një kërkesë-propozim për presidentin Topi, me anë të së cilës i kanë propozuar atij dekretimin e Neshat Fanës për anëtarin e shtatë (që do të zëvendësohet) të Gjykatës së Lartë. “Albania” ka mësuar se kjo kërkesë, në zanafillë të saj është iniciuar nga vetë kryeministri. Kërkesa i paraprin skadimit të afatit të anëtares së shtatë të kësaj gjykate, ndërsa deputetët demokratë nuk janë vonuar që të propozojnë avokatin e kreut dhe drejtuesit të tyre, Sali Berisha. Deri tani i sigurt është fakti se presidenti Topi është njohur me këtë propozim, por ende askush nuk di të thotë lidhur me “përshtypjet” apo efektin që mund të ketë lënë te Presidenti i Republikës një propozim i tillë. Megjithatë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duket se e ka “eleminuar” dy herë Fanën. Rasti i parë ka qenë kur Fana u propozua si një kandidat i mundshëm për postin e kryeprokurorit (propozim që u hodh poshtë menjëherë nga Topi) dhe kur Fana paraqiti kandidaturën e tij së bashku me 104 juristët të tjerë, për zëvendësimin e gjashtë anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
Dekretet
Sikundër askush nuk e priste, gjashtë dekretet e presidentit Bamir Topi për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë u kthyen në një “arenë” të përplasjes politike mes tij dhe kryeministrit Berisha. Vetë presidenti shfaqi hapur habinë dhe mospëlqimin e tij për këtë qëndrim të PD-së, megjithatë ai vendosi të pranojë kushtëzimin e PD-së, e cila kërkonte më parë konsultime e pastaj dekretime. Kësisoj Topi rinisi nga e para fazën e përzgjedhjes, nga ku pesë ditë më parë ofroi sërish gjashtë emrat e rinj për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Për këtë u krijua një grup pune, që do të “monitoronte” kandidatët e mundshëm. Në mbledhjen e fundit të grupit të ekspertëve, ata vendosën dhe nëntë kriteret që duhet të plotësonin kandidatët, të cilët donin të bëheshin anëtarë të Gjykatës së Lartë. Këto kritere ishin: kandidatët duhet të kishin arsimin e lartë juridik, mënyrën e kryerjes së tij, kualifikime shkencore, vjetërsi në punë, duke pasur parasysh që ushtrimi i profesionit të ketë qenë sa më afër Gjyqësorit. Ekspertët sugjeruan kreun e shtetit që për periudhën ligjore të vjetërsisë të shikohen masat disiplinore, fuqia e tyre ligjore, lloji dhe numri i masave të dhëna. Integritet i lartë moral, reputacion i mirë në komunitetin e juristëve dhe mbështetje shoqërore e institucionale. Gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të profesionit të mos ketë pasur precedentë penalë, të ketë përmbushur detyrimet ligjore, të ketë qenë transparent dhe të ketë justifikuar pasurinë e tij.

Deputetët që kanë firmosur propozimin për Fanën

Astrit Patozi
Ilir Bano
Fatos Hoxha
Aleksandër Biberaj
Aldo Bumçi
Preç Zogaj
Pal Dajçi
Sali Shehu
Ferdinand Xhaferri
Leonard Demi
Eris Hoxha
Blerim Çela
Edi Paloka
Dashnor Sula
Luan Skuqi
Ndriçim Babasi
Genc Sharku
Albert Faruku
Lajla Përnaska
Hajrulla Paturi
Galip Ramadhi
Parid Teferiçi
Rahim Kaleci
Osman Metalla
Baki Shehu
Safet Sulaj
Flori Bajramaj
Ramiz Çobaj

Gjyqtarët, qeveria në krizë me Presidencën

Menaxhimi i Gjyqësorit duket se ka shkaktuar dhe kulmin e krizës mes qeverisë dhe presidencës. Rasti më konkret dhe më i freskët lidhet me konfliktin publik që plasi me nënkryetarit të KLD-së(dhe vartës i Presidentit) Kreshnik Spahiut, dhe ministrit të Drejtësisë Alibeaj. Akuzat u ashpërsuan aq shumë saqë Spahiu e konsideroi sulmin ndaj tij si një “Gërdec të dytë”.. Në një bisedë të pak ditëve më parë me Zërin e Amerikës Spahiu e konsideron artificial konfliktin e lindur me ministrin e Drejtësisë Alibeaj dhe antikushtetuese kërkesën për verifikimin e veprimtarisë së tij si nënkryetar. Tashmë duket qartë se është kthyer gati në një luftë të ftohtë përplasja mes ministrit të Drejtësisë dhe nënkryetarit të Këshillit të Lartë, Kreshnik Spahiu. "Do të thosha që gjithçka është artificiale”, - shpjegon zoti Spahiu. “Prej shumë kohësh, ndoshta për herë të parë në KLD ka pasur një harmoni të plotë dhe një vendimmarrje konsensuale, përfshirë dhe një dialog shumë konstruktiv brenda KLD-së. Me bindje ju them se çdo kërkesë apo pretendim i ardhur nga ministri i Drejtësisë deri sot është pranuar në 100 për qind të rasteve, sikundër ka pasur një bashkëpunim shumë serioz".

25 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›