Topi: “Ju, ambasadorët e paqes, ura që lidh Shqipërinë me botën”
Shqipëria është gati për pjesëmarrjen e gjashtë të saj në Lojërat Olimpike Verore që do të zhvillohen në Pekin. Startin e dha Presidenti i Republikës, Bamir Topi me dorëzimin e flamurit kombëtar në një ceremoni të denjë për ngjarjen më të madhe sportive botërore të vitit 2008. Në ceremoninë e zhvilluar në Pallatin e Brigadave, përveç 10 sportistëve (mungonte për arsye objektive hedhësi i çekiçit, Dorian Çollaku), morën pjesë ministri i Sporteve, Ylli Pango, presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Hysen Domi, dy bashkësponsorët gjeneralë të delegacionit shqiptar, kompania celulare “AMC” dhe banka “Raifessen”, figura të njohur të sportit shqiptar dhe përfaqësues të trupit diplomatik.
AMBASADORËT E SHQIPËRISË - “Ju jeni ambasadorë të paqes, jeni ambasadorë të një vendi demokratik, jeni lajmëtarë të lirisë”, - iu drejtua Presidenti i Republikës, Bamir Topi, olimpistëve shqiptarë. “Jeni një urë që lidh popullin shqiptar dhe Republikën e Shqipërisë me të gjithë popujt dhe vendet e kësaj bote, të prirë nga ky flamur. Do të jetë pikërisht ky flamur në duart tuaja, që do të shpaloset hijshëm në ditën e parë të ceremonisë së hapjes për t’i dëshmuar botës praninë e një populli të vogël, por me një shpirt të madh gare”, - theksoi kreu i shtetit, duke i dorëzuar flamurin mundësit Said Prizreni, vendi i tretë në botë, të arritur në Kampionatin Botëror të Azerabajxhanit në vitin 2007. “Një botë, një ëndërr” ky është slogani i këtyre Lojërave. Dhe ne si të gjithë shtetet, jemi pjesë e kësaj bote dhe kemi të njëjtën ëndërr. Ky slogan fton mbarë botën që t’i bashkohet shpirtit olimpik për një të ardhme më të mirë për krejt njerëzimin”, - tha ish-nënkryetari i Partisë Demokratike gjatë ceremonisë të organizuar në Pallatin e Brigadave.
205 SHTETE – Në Lojëtat e Pekinit do të marrin pjesë 205 Komitete Olimpike Kombëtare, ku në të përfshihet edhe Komitetii Olimpik Shqiptar me 11 sportistë. Shtetet e Bashkuara kanë edhe numrin më të madh të sportistëve, rreth 600. Afganistani ka numrin më të vogël të sportistëvë, vetëm katër.
10 500 ATLETË - Lojërat Olimpike Verore “Pekin 2008”, apo Olimpiada e 29-të, janë një ngjarje ndërkombëtare shumësportëshe. Lojërata do të zhvillohen në Kinë, nga data 8 deri më 24 gusht 2008, dhe do të ndiqen nga Lojërat Paraolimpike Verore, të ciltat do të zhvillohen nga data 6 deri më 17 shtator 2008. 10.500 atletë priten të marrin pjesë në 302 kompeticione në 28 disiplina sportive, një më shumë se në “Athinë 2004”.
Prizreni, flamurmbajtësi kuqezi
Mundësi Said Prizreni do të jetë flamurmbajtësi i delegacionit sportiv shqiptar në Lojërat Olimpike Verore “Pekin 2008”, që do të zhvillohen në Kinë në gusht të këtij viti (8-24 gusht 2008).
Qerimaj, ditëlindja në Pekin
Peshëngritësi Erkand Qerimaj do ta festojë ditëlindjen e tij gjatë Lojërave Olimpike të Pekinit. Nënkampioni i Europës për të rritur në peshën 77 kg do të mbushë 22 vjeç, më 10 gusht 2008.
11 sportistët shqiptarë
në “Pekin 2008”
Shqipëria, e cila ka marrë më parë edhe në Olimpiadat e viteve 1972, 1992, 1996, 2000, 2004 përfaqësohet në “Pekin 2008” me delegacionin më të madh sportiv të parë ndonjëherë: 11 sportistë, 7 prej tyre me normë të kualifikuar dhe 4 me ftesa të veçanta, për shkak të rezultateve të larta. Një numër i lartë, po ta krahasojmë me pjesëmarrjen e sportistëve me “Athinë 2004”, ku morrën pjesë shtatë sportistë të cilët garuan në katër disiplina. Në “Athinë 2004”, Shqipëria u përfaqësua me hedhësin e çekiçit Dorian Çollaku, atleten Klodiana Shala, mundësin Sait Prizreni notarët Kreshinik Gjata e Rovena Marku, peshëngritësit Gerti Trasha e Theodhori Trasha.
Me normë
1. Lindita Kodra (46 vjeç), qitje-pistoletë
2. Said Prizreni (25 vjeç), mundje e lirë – pesha 60 kg
3. Elis Guri (25 vjeç), mundje klasike – pesha 96 kg
4. Dorian Çollaku (31 vjeç), atletikë- hedhje çekiçi
5. Erkand Qerimaj (21 vjeç, peshëngritje- pesha 77 kg
6. Gerti Trasha (22 vjeç), peshëngritje- pesha 69 kg
7. Romela Begaj (21 vjeç), peshëngritje- pesha 58 kg
Me ftesë
1.Klodiana Shala (28 vjeçe), atletikë -400 m
2.Rovena Marku (21 vjeç), not-stil i lirë
3.Sidni Hoxha (16 vjeç), not-stil i lirë
4.Edmond Topalli (28 vjeç), xhudo
Historia shqiptare në Lojërat Olimpike
Shqipëria numëron 6 pjesëmarrje në Lojërat Olimpike, përkatësisht: 1972 (1 sportist), “Barcelona 1992” (1 sportistë: notari Frank Leskaj) , “Atlanta 1996” (2 sportistë) 2000 (4 sportistë), “Athinë 2004” (7 sportistë) dhe tani në “Pekin 2008” (11 sportistë).
“Munhih 1972”
Edhe pse Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH)është krijuar në vitin 1958 dhe është njohur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) në vitin 1959, Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë në Olimpiadën e Munihut, të zhvilluar në vitin 1972, të cilat ishin edhe Lojërat e 20-ta Olimpike Verore. Ato u zhvilluan nga 26 gushti deri në 11 shtator 1972.
Rekordmeni Pampuri
Në Lojërat Olimpike të Munihut, Shqipëria pati edhe të parin e të vetmin rekordmen dhe kampion olimpik. Më 29 gusht 1972, peshëngritësi i “17 Nëntorit”, Ymer Pampuri, (atëherë në moshën 27 vjeç) theu në Gjermani rekordin olimpik të Yoshinobu Miyake të Japonisë në stilin e forcës. Gara u zhvillua më 29 gusht 1972 dhe Ymer Pampuri arriti të ngrinte 127,5 kilogramë.
20 vjet izolim
Shqipëria pas pjesëmarrjes në Munih 1972 u zhduk nga katër olimpiadat pasardhëse: 1976, 1980, 1984, 1988, për t’u rikthyer në vitin 1992 e për të qenë gjithmonë pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike. Njëmbëdhjetë sportistë do të marrin pjesë në “Pekin 2008”.
Suli, i pesti
Peshëngritësi i talentuar Ilirjan Suli ka arritur edhe rezultatin e dytë më të mirë të Shqipërisë në Lojërat Olimpike. Në “Sidnej 2000”, Suli, i cili garoi në peshën 77 kg (sot në këtë peshë garon Erkand Qerimaj) zuri vendin e pestë, duke ngritur 355 kg në total.
20 olimpistët shqiptarë
Shqipëria numëron 6 pjesëmarrje në Lojërat Olimpike ku kanë marrë pjesë 20 sportistë në tetë disiplina sportive: peshëngritje (6 sportistë), not (4), qitje (2), hedhje çekiç (1), hedhje shtize (1), kërcim trehapësh (1), vrapim (2), mundje e lirë (1), mundje klasike (1), xhudo (1). Rekordin për nga numri i pjesëmarrësëve e mban atletja e njohur Klodiana Shala me 3 pjesëmarrje: “Sidnej 2000”, “Athinë 2004” e “Pekin 2008”.
“Munih 1972”: 1 sportist, peshëngritësi Ymer Pampuri
“Barcelona 1992”: 1 sportistë: notari Frank Leskaj
“Atlanta 1996”: 2 sportistë: hedhësja e shtizës Mirela Manjani e Vera Bitannji, në kërcim trehapësh.
“Sidnej 2000”: 4 sportistë; peshëngritësi Ilirjan Suli, atletët Klodiana Shala e Oltion Luli, qitësja Diana Mata.
“Athinë 2004”: 7 sportistë; hedhësi i çekiçit Dorian Çollaku, atletja Klodiana Shala, mundësi Sait Prizreni, notarët Kreshnik Gjata e Rovena Marku, peshëngritësit Gerti Trasha e Theodhori Trasha.
“Pekin 2008”: 11 sportistë; qitësja Lindita Kodra, mundësit Said Prizreni e Elis Guri, hedhësi i çekiçit Dorian Çollaku, atletja Klodiana Shala, peshëngritësit Erkand Qerimaj, Gerti Trasha e Romela Begaj, notarët Rovena Marku e Sidni Hoxha, xhudisti Edmond Topalli.
Qytetet ku kaloi “Flaka Olimpike”
Nga 31 mars 2008, pishtari olimpik gjatë udhëtimit nëpër botë të tij u shoqëruar nga 21 mijë flakëmbajtës dhe kaloi përmes 21 qyteteve më të rëndësishme të botës, përfshirë Londrën, Parisin, Romën, Saint Petërburgun, San Françiskon. Në Kinë do të shohin “live” flakën e tij 100 qytete kineze, përpara se të ndriçojë stadiumin “Olimpik” të Pekinit, më 8 gusht 2008.
Qytetet ku kaloi flaka olimpike: Olympia - Athinë (Greqi) – Pekin (Kinë) - Almaty (Kazakhstan) – Stamboll (Turqi) – St. Petersburg (Rusi) – Londër (Britani e Madhe) – Paris (Francë) – San Francisco (SHBA) – Buenos Aires (Argjentinë) – Dar es Salaam (Tanzani) – Muskat (Oman) – Islamabad (Pakistan) – Mumbai (Indi) – Bangkok (Tailand) – Kuala Lampur (Malajzi) – Xhakartë (Indonesi) – Kanberra (Australi) – Nagano (Japoni) – Seoul (Koreja e Jugut) – Pyongyang (Koreja e Veriut) – Ho Shi Min (Vietnam) – Taipei (Taivan). Qytetet në Kinë: Hong Kong – Macau – Guangzhou – Shanghai – Nanjing – Ëuhan – Lhasa (Tibet) – Yrymqi – Harbin – Shenyang – Qingdao – Qinhuangdao – Tianjin-Pekin.
Numri me fat “8”
Sipas thënieve të ndryshme në Kinë besohet shumë tek numri 8, i cili është cilësuar si një numër me fat dhe jo më kot 08.08.08 është data kur do të zhvillohet ceremonia e hapjes së Pekin 2008. Për më tepër, kjo ceremoni është caktuar të fillojë në orën 08.00 të mbrëmjes, si për të konfirmuar këtë besëtytni të popullit kinez.
Pesë maskotët zyrtarë
Janë pesë të tillë që do të përdoren në Lojërat e Pekinit, që simbolizojnë peshkun, dallëndyshen, antilopën e deri pandën e famshme.
BEIBEI
Në kulturën dhe artin tradicional kinez, peshku dhe uji janë simbol i begatisë dhe korrjes. “Beibei” përcjell bekimin e begatisë dhe njihet si fisnik e qelibar.
JINGING
Panda bën fëmijët të qeshin, duke përcjellë mesazhin e lumturisë. Gjethet mbi kokë simbolizojnë lidhjen harmonike të njeriut me natyrën.
HUANHUAN
Është vëllai i madh, fëmijë që simbolizon Flakën Olimpike dhe pasionin e sportin. Pasioni është mesazhi që ai përcjell.
YINGYING
Si të gjitha antilopat, Yingying është i shpejtë dhe i lëvizshëm dhe përcjell mesazhin për shëndet të mirë.
NINI
Dallëndyshja me krahë ari është tradicionalisht një nga më të njohurat ndër dizenjot e balonave në Kinë. Krahët e artë simbolizojnë qiellin e pafund dhe përcjellin fat.
Valon Behrami bëhet londinez
Kosovari Valon Behrami është zyrtarisht një lojtar i Uest Hemit. Klubi londinez publikoi blerjen e ish-mesfushorit të Lacios në faqen zyrtare të klubit. Kontrata e futbollistit të Komëbtares zvicerane është për pese vjet. Investimi i Uest Hemit për të bërë të vetin lojtarin është 6.5 milionë euro. Behrami transferohet në Angli pas më parë kishte veshur në Itali bluzat e Xhenoas, Veronës e Lacios. Behrami ka qenë më parë shok skuadre me Erion Bogdanin te Verona, e më pas me Igli Taren te Lacio. Valoni ishte një ndër lojtarët më të mirë të Zvicrës në finalet e Euro 2008. Skuadra gjermane e Bundësligës 2, Kickers Ofenbah nënshkroi kontratën me kosovarin 23-vjeçar, Alban Ramaj, i cili më parë kishte qenë pjesë e ekipit të dytë të Energi Kotbusit.
24 Korrik 2008