E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha justifikohet: Reagova se më provokoi Rama



Sherri i seancës së kaluar parlamentare midis kryeministrit Berisha dhe deputetit Balla ka nxitur debate dhe diskutime gjatë seancës së djeshme. Kuvendi është ndarë si ngahera në dy kampe të ndryshme qëndrimi. Opozita ka dënuar ashpër qëndrimin e kryeministrit Berisha dhe fjalorin e tij, ndërsa maxhoranca i doli në krah kryetarit të saj. Vetë kryeministri Berisha është shprehur se ka reaguar për shkak të provokimit që i është bërë atij. Sipas Berishës, fjalimi i Ballës është provokacion me porosi të Edi Ramës. “Unë nuk shpërblej provokatorë, hiqeni nga mendja, provokatori përbën më të ndyrën e të githa specieve. Ai që merr përsipër të provokojë, ai përbën një fëlliqësirë të vërtetë njerëzore. Po i them Edi Ramës këtu nga kjo sallë, lëri mesazhet e turpshme dhe letrat e hapura se unë kam 20 vjet në politikë. Dhe i bindur të jetë ai, se mund të shërbehet me dy mercenarë por asgjë, asgjë nuk ia atribuoj askujt, përveç atij”, është shprehur Berisha.
Opozitarët kanë reaguar që në fillim të seancës, pasi sipas tyre, kryetarja e Kuvendit ka shkelur Rregulloren duke futur projektbuxhetin në rendin e ditës, gjatë seancës së kaluar. Sipas deputetit të PS-së, Erjon Braçe, diskutimi i projetkbuxhetit nuk ka qenë në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit. “Buxheti, jo vetëm nuk ka qenë në rendin e ditës, por është bërë akoma më keq shpërdorimi i pastër i detyrës, kur kryetarja e Kuvendit e ka detyruar parlamentin dhe maxhorancën ta fusë në rendin e ditës pa u miratuar fare nga ana e qeverisë. Një javë para se të miratohej nga qeveria ka hyrë në rendin e ditës së punës së Kuvendit. Dhe kjo është skandaloze, është një shkelje që i bëhet Kushtetutës dhe është një mohim i poshtër që i bëhet opozitës”, është shprehur Braçe. Më tej, ai duke iu rëferuar debatit midis Berishës dhe Ballës, duke patur parasysh fjalorin e përdorur nga Berisha, tha se parlamenti ka një sëmundje individuale që është çrregullimi i personalitetit. Braçe gjithashtu bëri të ditur se kishte marrë me vete “Fjalori erotik të Gjuhës Shqipe” të profesor Tupes për t’ia dhuruar kryeministrit Berisha, i cili nuk ndodhej në sallë. Deputetët e maxhorancës kanë dalë menjëherë në mbrojtje të kryeministrit Berisha, duke e cilësuar të qëllimshëm dhe provokues qëndrimin e opozitës gjatë sancës së kaluar parlamentare. Edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi ka akuzuar Edi Ramën për sherrin mes Berishës dhe Ballës. Sipas Patozit, Rama ka kompleksin e të mos qënit në Kuvend ndaj dhe bëhet avokat i provokacioneve në seancë. “Kryetari i PS-së bëhet avokati më i madh i një provokacioni të ulët në Kuvend. Ai ka kompleksin e të mos qenit në Parlament. Parlamenti nuk mund të zhvlerësohet, për shkak se një individ, qoftë ky edhe kryetari i partisë është jashtë Parlamentit. E gjithë kjo situatë ishte e parapërgatitur nga opozita, e cila gjatë gjithë debatit që shoqëroi miratimin e buxhetit suplementar kërkonte vetëm shtyrjen e këtij buxheti”, është shprehur Patozi, ndërsa i bëri thirrje opozitës të mos bëhet vegël e Edi Ramës. Ndërsa, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj dënoi qëndrimin e Topallit gjatë debatit midis Berishës dhe Ballës, duke e cilësuar atë një qëndrim me dy standarde. “Ne jemi në Kuvend për t”i dhënë përgjigje problemeve të shqiptarëve dhe për të mbrojtur interesat e publikut. E them pa komplekse se jam ndjerë keq kur deputeti Braçe thoshte ndonjë fjalë për Topallin dhe më vjen keq që në këtë situatë është dhe një grua që drejton Parlamentin. Por sot e kuptoj se zoti Braçe është vënë në pozitë të vështirë, pasi zonja Topalli drejton me dy standarde”, është shprehur Leskaj.

25 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›