Buxheti, sindikalistët përleshen me policinë para Kuvendit
Kuvendi i Kosovës miratoi dje buxhetin për vitin 2011 pa votat e opozitës dhe përballë protestave të cilat u shpërndanë me gaz lotsjellës. Opozita kundërshtoi shitjen e PTK-së, që ishte futur në nenin katër të Ligjit për buxhetin. Gjatë kohës së mbajtjes së seancës, punëtorët e PTK-së protestuan dhe në një moment ata tentuan të hyjnë në oborrin e ndërtesës së Kuvendit, por u penguan nga policia, e cila përdori edhe gaz lotsjellës për t’i nxjerrë jashtë ndërtesës. Protestuesit u tërhoqën dhe qëndruan për tri orë para Kuvendit, ku atyre iu bashkuan edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Gjatë përplasjes së protestuesve dhe policisë, edhe dy gazetarë kërkuan ndihmë në emergjencë, si pasojë e efekteve të gazit lotsjellës. “Posta është e jona, jo e Qeverisë... Posta është e jona, jo e Qeverisë...”, dëgjoheshin brohoritjet e masës. Më pas, kryetari i sindikalistëve të PTK-së, Milazim Alshiqi, zhvilloi një takim me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi. Në pamundësi që të ndryshojnë vendimin e Kuvendit, me rekomandimet e Alshiqit, protestuesit u shpërndanë të qetë, por duke paralajmëruar se fillimisht do t’i drejtohen Gjykatës Supreme dhe asaj Kushtetuese, që të vërtetohet jokushtetutshmëria e shitjes së PTK dhe nëse ana ligjore nuk sjell rezultate, ata kërcënuan të bllokojnë komunikimin përmes PTK-së, si dhe veprime tjera, përfshirë edhe protestat para Qeverisë.“Ky sot është paralajmërimi ynë i fundit, që qeveritarët tanë ta kenë me dije se për veprimet që do t’i ndërmarrim tani e tutje, do t’i njoftojmë. Por, nuk garantojmë se do të jenë më protesta paqësore”, tha Alshiqi. Miratimi në pako i buxhetit me shitjen e PTK-së nga opozita u cilësua si joligjore dhe jokushtetuese. Sidoqoftë, votimi solli si rezultat mbështetjen prej 66 votash për buxhetin, 25 vota kundër dhe 12 abstenime.