E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: PD do të humbasë edhe në Shkodër

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi ka deklaruar se ftesa e PD, për një marrëveshje për zgjedhjet, ishte e pritshme, pasi atë e kishte rekomanduar i dërguari i BE, që së fundmi ka vizituar tri herë Shqipërinë. Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Ruçi ka bërë të ditur se PS e ka refuzuar deri tani marrëveshjen, për shkak se nuk po merren parasysh kërkesat e saj. Për këtë arsye, përfaqësuesi më i lartë i socialistëve në Parlament, është shprehur skeptik për arritjen e standardeve në zgjedhjet lokale të 8 majit. “A do arrihen zgjedhjet? Unë jam skeptik, për arsye të mungesës së vullnetit politik. S’janë të paarritshme, por duhet vullnet politik. Mjafton vetëm një seancë parlamentare. Mendoj se nuk ka nevojë për ndonjë ndryshim, por mazhoranca ka artikuluar se ka pengesë në Kodin Zgjedhor, për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Kodi aktual e zgjidh këtë, por KQZ nuk e zgjidhi”, ka deklaruar Ruçi. Ai ka theksuar se KQZ duhet të zbatojë paragrafin e një neni, që sipas tij thotë se, ‘nëse dy komisionerë duan të hapin kutitë, ato mund të hapen’. Më tej, ai ka ritheksuar edhe tre kushtet e PS për marrëveshjen të cilat, sipas tij, pala demokratike nuk ka vullnet për t’i plotësuar. “Pra, problemi i parë është transparenca e zgjedhjeve, për të cilën mungon vullneti politik. Në fund të procesit, kushdo duhet të shikojë se ç’ka ndodhur me votën e votuesve të vet. E dyta është që ne na mungon transparenca për listat e zgjedhësve. Ne kërkojmë akses për të parë dhe monitoruar se si, sa dhe kush i përgatit listat. Dhe problemi i tretë është karta e identitetit. Mjaft votues kanë votuar me karta falso, në emër të emigrantëve që s’kanë ardhur për vite të tëra nga SHBA, Italia, Gjermania, etj”, ka sqaruar Ruçi. Shefi i grupit të socialistëve është shprehur se argumenti se, shumicën e qyteteve e ka PS s’është argument, sepse sipas tij, përpunimi i listave bëhet pranë Ministrisë së Brendshme. Nga ana tjetër, ai ka theksuar se manipulimi me listat po bëhet nëpërmjet përfshirjes së punonjësve të administratës shtetërore, në shtëpitë e të cilëve sipas tij jetojnë me kontratë provizore 3 ose 4 familje. Për të faktuar shqetësimet e tij, Ruci ka treguar edhe disa dokumente që, sipas tij, tregojnë manipulimet e kryera në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Sipas këtij dokumenti, në një qendër zgjedhore të Shkodrës kanë votuar 85% të votuesve, kur në Shqipëri nuk votojnë mbi 55 për qind, ndërsa në një dokument tjetër në Paskuqan, sipas një procesverbali, ka pasur rreth 20 fletë votimi më shumë se numri i votuesve. Më tej, Ruçi nuk ka kursyer as kritikat ndaj KQZ-së dhe kryetarit të saj, që sipas tij ka shkelur rregulloren duke miratuar vendime që kërkojnë edhe firmën e nënkryetarit. Duke akuzuar mazhorancën për kthimin në një “mafie elektorale”, Ruçi ka ritheksuar se tërheqja e PS nga zgjedhjet nuk ekziston si opsion. Duke paralajmëruar edhe publikimin e fakteve të reja për manipulimet dhe dërgimin e tyre në prokurori, Ruçi i ka drejtuar edhe një mesazh Kryeministrit Berisha. “I them Kryeministrit dhe të dërguarit të tij në KQZ, të mos luajë me zjarrin, është shansi i fundit. Meqenëse është malësor, po i them një fjalë të urtë malësorësh: “Ruhu, mos u turpëro në pleqëri”. Sepse s’ka kohë për ta korrigjuar më”, ka shtuar Ruçi.

Rezultati

Në vijim të fjalës së tij në ‘Top Story’, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi paralajmëroi Kryeministrin Berisha se do të humbasë në zgjedhjet e 8 majit, jo vetëm në shkallë vendi, por edhe në bastionet e PD-së. “Berisha do të humbasë bastione, që nuk i ka shkuar kurrë në mendje që do t’i humbë, do humbasë në Shkodër të paktën në 6 komuna. Pakënaqësia popullore është tejet e madhe. Këtu duhen ndryshuar konceptet, Berisha nuk do organet e pavarura. Shikoni Durrës-Kukës, 21 janari apo Gërdeci. Çfarë ndodhi? Berisha sulmoi, Kryeministri sulmoi prokuroren, gjykatat”, deklaroi Ruçi.

Sipas Gramoz Ruçit, rikandimi i Edi Ramës për postin e kryebashkiakut të kryeqytetit, është zgjidhja më e mirë dhe fakti që Rama mban edhe postin e kreut të PS-së, nuk përbën asnjë pengesë, sipas tij.

Në vijim të fjalës së tij, Ruçi kritikoi edhe rivalin e Ramës në betejën e 8 majit, Lulzim Bashën. Sipas tij, më këtë kandidim Partia Demokratike i ka bërë autogol vetes dhe se ish-ministri i Brendshëm, është fotokopja më e keqe e Berishës.

“Rama është në kohën e duhur, vendin e duhur, përgjegjësinë e duhur. Sali Berisha priste këtë që Edi Rama mos të kandidojë, PS t’ia falte Tiranën, sipas tij dhe Rama të mos merrte përgjegjësitë. PS dhe Rama kanë zgjidhjen më të mirë, dhe s’ka asnjë gjë që ajo që Berisha thotë që posti në bashki dhe kryetar i PS e pengoka Ramën. Berishën kryeministër dhe kreu i PD nuk e pengoka?! Me kandidimin e Bashës është bërë autogoli më i madh i PD. Kur ishte ministër i Jashtëm bëri një marrëveshje që e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese, në Ministrinë e Transportit rrugën Durrës-Kukës. Iku i akuzuar për vjedhje, e së fundmi vrasjet më 21 janar. Një politikan i tillë, në kushtet e shtetit të së drejtës, minimumi duhet të jepte dorëheqjen. Është fotokopje e keqe e Berishës”, u shpreh zoti Ruçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›