SHBA: Të mos bojkotohet seanca
Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, u ka bërë thirrje aktorëve politikë në vend që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Përmes një komunikate ai ka theksuar se dhe deputetët që e çuan çështjen në Kushtetuese tani e kanë detyrim moral e politik që të jenë pjesëmarrës në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Feith thekson se këtë qëndrim ndajnë dhe përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare të BE-së në Prishtinë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një kumtese për media ka shprehur mendimin e saj lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për jo-kushtetutshmërinë e procedurës për zgjedhjen e Pacollit president në seancën e 22 shkurtit. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ftuar të gjithë qytetarët, institucionet dhe partitë politike të Kosovës që të respektojnë dhe ta përmbushin këtë vendim të marrë nga gjykata më e lartë në vend, pasi, sipas saj, është me rëndësi për zhvillimin e mëtejmë të sundimit të ligjit në Kosovë që vendimet e Gjykatës të respektohen si në praktikë, po ashtu edhe në teori. Për me tepër, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka theksuar se deputetët e kanë obligim të posaçëm politik dhe moral që të respektojnë të gjitha aspektet e mendimit të shumicës së Gjykatës në formë dhe përmbajtje, dhe për këtë arsye i ka ftuar ata që të përmbushin obligimet e tyre kushtetuese dhe të kryejnë detyrën e tyre para popullit që i ka zgjedhur, duke marrë pjesë në Kuvend për të lejuar formimin e institucioneve të Republikës. “Ne i kushtojmë vëmendje të posaçme mendimit të Gjykatës, se të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit janë të obliguar që të kryejnë detyrat e tyre për të cilat janë zgjedhur nga populli i Kosovës, përfshirë edhe obligimin për të marrë pjesë në procedurat për formimin e institucioneve kushtetuese të Kosovës. Gjykata thekson (paragrafi 83 i mendimit të saj) se “Të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndihen të obliguar sipas Kushtetutës, Ligjit për deputetët, Rregullores së punës së Kuvendit dhe Kodit të sjelljes, të marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit dhe të përkrahin procedurat që parashihen aty, por mbi të gjitha, një obligim ndaj njerëzve të Kosovës që i zgjodhën ata. Ne besojmë se ata deputetë, të cilët kërkuan mendimin e Gjykatës lidhur me seancën e 22 shkurtit, kanë obligim të posaçëm politik dhe moral që të respektojnë të gjitha aspektet e mendimit të shumicës së Gjykatës në formë dhe përmbajtje dhe ne i ftojmë ata që të përmbushin obligimet e tyre kushtetuese dhe të kryejnë detyrën e tyre para popullit që i ka zgjedhur, duke marrë pjesë në Kuvend për të lejuar formimin e institucioneve të Republikës”, thuhet në kumtesën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Kosova gjendet në një çast kritik në historinë e saj të re dhe nuk mund t’ia lejojë vetes këtë lloj të paralizës institucionale dhe politike që do të vinte si rezultat i dështimit të deputetëve, të cilët kërkuan këtë mendim, për ta respektuar aktgjykimin e Gjykatës për të përmbushur obligimet e tyre kushtetuese, ligjore dhe politike për vendin dhe popullin e Kosovës”, thuhet më tej në kumtesën e Ambasadës së ShBA-ve.