E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti suplementar, miratohet shtesa 270 milionë dollarë



Komisioni i Ekonomisë miraton nen për nen buxhetin shtesë 2008

Shehu: Buxheti shtesë nuk përfshin të ardhurat nga ARMO

Buxheti shtesë

270 milionë dollarë për investimet dhe borxhin

Buxheti suplementar i miratuar dje:

Totali 270 milionë dollarë, ose rreth 20 miliardë lekë

Rreth 12 miliardë lekë shkojnë për infrastrukturë

Një fond prej 2 miliardë lekësh shkon tek pushteti vendor

Rreth 6 miliardë lekë do të përdoren për zbutjen e borxhit

Pas votës kundër të dhënë gjatë miratimit në parim të projektbuxheti shtesë të vitit 2008 në seancën parlamentare, opozita nuk ka qenë e pranishme gjatë miratimit që iu bë këtij buxheti nen për nen në Komisionin e Ekonomisë gjatë ditës së djeshme. Kanë mjaftuar vetëm votat e deputetëve të pozitës, që Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave të miratojë nen për nen buxhetin shtesë 2008. Ka qenë zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, i cili ka prezantuar dhe mbrojtur këtë projektbuxhet në Komision e Ekonomisë. Shehu tregoi rëndësinë që ka ky buxhet shtesë, për vetë faktin se pjesa më e madhe tij shkon për investime, ku “pjesën e luanit” do ta thithin rrugët. “Në buxhetin suplementar prej 270 milionë dollarësh nuk përfshihen të ardhurat e ARMO-s dhe privatizimet e tjera, por vetëm të ardhurat e krijuara si rezultat i disiplinës financiare”, - ka theksuar Shehu, duke argumentuar se ky buxhet u mundësua nga tejkalimi i të ardhurave fiskale. Projektligji mbi këtë buxhet suplementar paraqet të ardhurat dhe shpenzimet si për buxhetin qendror dhe atë lokal, ashtu dhe të ardhurat nga zërat e tjerë.

Të ardhurat 303.783 milionë lekë, shpenzimet 360.207 milionë lekë dhe deficiti 56.424 milionë lekë. Të ardhurat nga fondi i konsoliduar janë 237 142 milionë lekë, shpenzimet, 293.566 milionë lekë. Për buxhetin e pushtetit vendor, të ardhurat janë 31.646 milionë lekë, nga të cilat, granti i pakushtëzuar nga buxheti qendror 16.064 milionë lekë.

Ndërkohë buxheti i sigurimeve shoqërore, për vitin 2008, është: Të ardhurat gjithsej 63.360 milionë lekë, nga të cilat kontributet 45.650 milionë lekë; - Transferimet nga buxheti i shtetit 17.710 milionë lekë dhe shpenzimet 63.360 milionë lekë. Nga skema e sigurimit suplementar të ardhurat gjithsej pritet të arrijnë 4.153 milionë lekë, nga të cilat kontributet 186 milionë lekë, transferimet nga buxheti i shtetit 3.967 milionë lekë.

Buxheti i sigurimeve shëndetësore për vitin 2008 është: Të ardhurat, gjithsej, 11.160 milionë lekë, nga të cilat kontributet dhe të tjera 5.223 milionë lekë, transferimet nga buxheti i shtetit 5.937 milionë lekë. Fondi i kontigjencës, prej 2.000 milionë lekësh, do të përdoret për rritjen e pagave dhe të pagesave sociale, në 6-mujorin e dytë të vitit 2008.

Buxheti shtesë, kryesisht nga tejkalimi i të ardhurave

Të ardhurat nga administrata qendrore fiskale këtë vit u tejkaluan me 7 për qind, duke arritur 6.3 miliardë lekë më shumë se plani, ose 19 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Tejkalimi i të ardhurave në një nivel shumë më të lartë se vitet e tjera ka krijuar mundësinë për hartimin e projektbuxhetit shtesë për vitin 2008. Ndryshe nga buxheti shtesë i vitit të kaluar, ku një pjesë e mirë e tij u sigurua nga privatizimi i kompanisë “Albtelekom”, këtë vit të ardhurat fiskale zënë pjesën kryesore të këtij buxheti. Të ardhurat nga administrata qendrore fiskale këtë vit u tejkaluan me 7 për qind, ndonëse ishte një plan shumë më i madh se në vitin 2007. Në këtë mënyrë, u realizuan 6.3 miliardë lekë më shumë se plani, ose në total 19 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndërsa në administratën doganore, tejkalimi i të ardhurave është 7 për qind, ose 13 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndërkohë që të ardhurat nga tatim-fitimi janë 8 për qind më të larta se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2005, me gjithë uljen e tarifës prej rreth 2.5 herë. Po kështu ka një rritje të madhe të akcizës. Në tërësi, rritja e të ardhurave, nga 283 miliardë lekë të planifikuara për buxhetin fillestar, ka arritur në 304 miliardë lekë me buxhetin shtesë. Po t’i referohemi PBB-së kjo është një rritje shumë e madhe që shkon nga 26.4 për qind në 28.2 për qind, pra ka një rritje prej 1.8 për qind.

Box

Deficiti buxhetor ulet ndjeshëm nga buxheti shtesë

Një pjesë e mirë nga buxheti shtesë me një vlerë prej 6 ose 8 miliardë lekë do të shkojë për mbulimin e borxhit publik. Buxheti suplementar bën të mundur që deficiti buxhetor i brendshëm të ulet nga 2.3 % e prodhimit të brendshëm në 1.6% e prodhimit të brendshëm, duke shënuar uljen e tij historike më maksimale. Ky buxhet bën të mundur uljen e deficitit të përgjithshëm nga 7.9 % në 5,2 të prodhimit të brendshëm në normën e kërkuar nga FMN-ja. Në këtë buxhet investimet kapitale rriten 2.5 herë krahasuar me vitin 2007.

Buxheti suplementar:

14 miliardë lekë nga taksat e tatimet

4 miliardë nga rialokimet

125 milionë euro nga shitja e ARMO-s

Të ardhura nga privatizime të tjera (OSSH)

Buxheti shtesë llogaritet rreth 380-400 milionë dollarë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›