E Shtunë, 31 Tetor 2026

IBAN, rregullore e re për mbikëqyrjen e llogarive



Banka e Shqipwrisw ka miratuar rregulloren “Për strukturën dhe përdorimin e numrit ndërkombëtar të llogarisë bankare (IBAN)”. Rregullorja ka si objekt të saj përcaktimin e strukturës së numrit ndërkombëtar të llogarisë bankare për përdorim në Republikën e Shqipërisë (IBAN-i shqiptar), si dhe përcaktimin e procedurave për krijimin, kontrollin e vlefshmërisë dhe përdorimin e tij nga bankat dhe/ose degët e bankave të huaja të licencuara nga Banka e Shqipërisë. IBAN-i (International Bank Account Number) është një numër ndërkombëtar llogarie, një format standard i zhvilluar nga ECBS (European Committee for Banking Standards) dhe ISO (International Organisation for Standardisation). IBAN-i përdoret si një informacion bankar ndërkombëtar, që në mënyrë unike identifikon llogarinë e klientit pranë një institucioni financiar. IBAN-i, i krijuar në përputhje me standardet ndërkombëtare ISO, aktualisht është zbatuar dhe përdoret në 44 vende të ndryshme të botës, kryesisht shtete anëtare të BE-së, por edhe vende të tjera të rajonit si Kroaci, Maqedoni, Turqi, Serbi, etj. IBAN-i bën të mundur kryerjen e pagesave në mënyrë eficiente dhe duke minimizuar gabimet në transferta. Po ashtu, minimizohet edhe risku i vonesave, apo i kthimeve mbrapsht të pagesave si pasojë e gabimeve. Ky standard fillimisht është krijuar që të zgjidhë problemin e pagesave ndërkufitare me qëllim kryerjen e transferimeve mes bankave në shtete të ndryshme, por gjen zbatim edhe për pagesat brenda vendit, për sa kohë nuk ka një standard bazë kombëtar për numrin e llogarive (BBAN). Rëndësia e përdorimit të IBAN-it, mund të përmblidhet në tre drejtime: në shkallë ndërkombëtare, ndihmon në zhvillimin e një tregu të vetëm, që sjell në një nivel besueshmërie si llogaritë vendase ashtu edhe ato të huaja; për bankat, përbën një proces të drejtpërdrejtë, jep mundësi për të krijuar marrëveshje dypalëshe ndërbankare, jep informacion të strukturuar dhe thjeshtëzon/minimizon riparimet rutinë të pagesave; për klientët, redukton vonesat dhe komisionet në procesin e shlyerjes së pagesave, si ato brenda vendit edhe ato ndërkufitare. Në kushtet kur Shqipëria nuk ka një strukturë bazë të përcaktuar të llogarisë bankare, aplikimi i IBAN-it, si standard kombëtar dhe ndërkombëtar i numrit të llogarisë bankare, zvogëlon mundësinë e gabimeve/vonesave, për dy arsye: (i) të gjithë numrat e llogarive të klientëve në të gjitha bankat, do të kenë një strukturë standarde; (ii) të gjithë numrat e llogarive të klientëve në të gjitha bankat, do të përmbajnë shifra kontrolli të cilat vlerësohen për saktësi nga secila bankë, sipas të njëjtit standard, si në momentin e inicimit të pagesës pranë bankës së paguesit, ashtu edhe përpara shlyerjes së saj pranë bankës së përfituesit.

IBAN-i shqiptar. Në Shqipëri, IBAN do të krijohet për të gjitha llogaritë e klientëve (ato ekzistuese dhe të reja) pranë bankave dhe degëve të bankave të huaja të licencuara nga Banka e Shqipërisë, duke zëvendësuar numrin ekzistues të llogarisë së klientit, i cili deri më tani është përdorur nga bankat për të identifikuar llogarinë e klientit. Të gjitha pagesat brenda vendit dhe ndërkufitare (për vendet ku IBAN është i aplikueshëm), që kryhen nëpërmjet sistemeve të pagesave apo bankave korrespondente, do të kryhen nga dhe në llogaritë e klientëve, numri i të cilave do të ketë formatin IBAN. Në këtë mënyrë, mundësohet njohja automatike e llogarive nga çdo bankë brenda apo jashtë vendit. Nëpërmjet IBAN-it, bankat do të mund të shmangin ndërhyrjet manuale për procesimin e pagesave, duke reduktuar kohën dhe koston e kryerjes së transaksionit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›