E Shtunë, 31 Tetor 2026

Landfillet, si do të përpunohen plehrat në 5 qytete



Projekte për Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Sarandë

Ndërtimi i përpunuesve të plehrave mbron ambientin

Qytetarët shqiptarë, duke rritur gamën e konsumit të produkteve të ambalazhuara, nga ana tjetër bëhen shkak për shtimin e mbeturinave, të cilat tashmë janë bërë tepër shqetësuese për qytetet e mëdha. Asgjësimi apo përpunimi i këtyre mbetjeve kërkon një zgjidhje afatgjatë dhe efikase, me qëllim që mos ndotet ambienti. Për të arritur në këtë objektiv, qeveria ka gati 5 projekte për ndërtimin e landfilleve në 5 qytetet kryesore të vendit, Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Sarandë. Sot fushat e grumbullimit të mbetjeve urbane përbëjnë zonat më të ndotura dhe më problematike të vendit tonë për karakteristikat dhe problemet që ato paraqesin, si dhe për impaktin e drejtpërdrejtë ambiental. Në këto fusha grumbullohen dhe digjen pjesa më e madhe e mbeturinave urbane industriale dhe spitalore të qyteteve të vendit tonë. Në këto kushte, vendshkarkimi paraqet një rrezik të madh për banorët e këtyre zonave. Me qëllim rehabilitimin e kësaj situate, si dhe sjelljen e saj brenda standardeve dhe kushteve teknike të pranueshme, qeveria shqiptare në bashkëpunim me donatorët e huaj kanë financuar për hartimin e projekteve për ndërtimin e landfilleve në qytetet kryesore të vendit tonë, si në Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Sarandë.

Implementimi i këtyre projekteve synon reduktimin e rrezikut kundrejt shëndetit dhe mjedisit që mund të rrjedhë nga administrimi i papërshtatshëm i sistemit të mbledhjes dhe asgjësimit të mbetjeve të ngurta në vendin tonë, duke ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së popullatës. Qëllimi i këtyre projekteve është marrja në konsideratë dhe zgjidhja e gamës se problemeve të shkaktuara deri tani duke ofruar mundësinë e rehabilitimit të kësaj situate, si dhe fillimit për herë të parë të grumbullimit dhe të trajtimit të mbeturinave po në këto fusha, por nën një koncept teknik të kontrolluar sanitar (landfilli).

Ndërtimi i landfillit në Sharrë

Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është reduktimi i rrezikut të shëndetit dhe mjedisit nëpërmjet një menaxhimi të sigurt të mbetjeve të ngurta urbane konform kërkesave të Komunitetit Evropian. Krahas bonifikimit të vend-depozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta për qytetin e Tiranës po ndërtohet landfilli në vazhdim të vend-depozitimit sipas kritereve dhe kërkesave të KE nga shoqëria italiane TEI “Gesteco &CO spa”. Punimet për ndërtimin e këtij landfilli kanë nisur në nëntor të vitit të kaluar dhe në fund të muajit gusht të këtij viti përfundon ndërtimi i parcelës së parë për depozitimin e mbeturinave, kështu mbetjet urbane të qytetit të Tiranës do të fillojnë të depozitohen sipas standardeve të Komunitetit Evropian. Bashkia e Tiranës do ta administrojë këtë landfill. Punimet për ndërtimin e këtij landfilli do të përfundojnë në fund të vitit 2009. Financimi është kredi nga qeveria italiane dhe qeveria shqiptare.

Vlera e projektit, 4.600.000 euro. Ndërtimi i landfillit në Sharrë do t’i shërbejë një popullsie rreth 700.000 banorësh. Sasia ditore e mbetjeve është rreth 560 ton /dite (shifër në rritje) Landfilli do të shërbejë për depozitimin e mbetjeve të ngurta urbane për rreth 7 vjet. Kapaciteti i impiantit të trajtimit të mbetjeve është 1.700.000 m3. Distanca nga qyteti i Tiranës është 6 km.

Landfilli në Bushat, Shkodër

Landfilli i Bushatit do t’i shërbejë Qarkut të Shkodrës dhe atij të Lezhës. Ndërtimi i impiantit të përpunimit të mbetjeve të ngurta urbane në Bushat po bëhet me financim të buxhetit të shtetit dhe konkretisht vlera e investimit është në total është 520 milionë lekë. Për vitin 2008 janë parashikuar 130.000.000 lekë (faza e parë), për vitin 2009 – 390.000.000 lekë (faza e dytë). Landfilli i Qarkut të Shkodrës do t’i shërbejë një popullsie prej 200.000 banorë. Sipërfaqja e landfillit do të jetë 10 ha. Sasia vjetore e mbetjeve është 47.000 ton/vit, ai trajton mbetjet e ngurta urbane, duke zbatuar direktivën 99/31 të KE-së dhe ka jetëgjatësi rreth 20 vjet. Punimet për ndërtimin e këtij landfilli kanë nisur në muajin maj të këtij viti dhe do të përfundojnë në fund të vitit 2009.

Landfilli në Qarkun e Korçës

Ndërtimi i këtij landfilli përfshin Korçën, Pogradecin, Maliqin, Bilishtin, Ersekën, Leskovikun, si dhe të gjitha komunat. Ka përfunduar për këtë projekt studimi i fizibilitetit për “Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta në Shqipërinë Juglindore”, financuar nga Banka Gjermane për Rindërtim dhe Zhvillim, kfW si dhe nga një grand nga qeveria. Financimi nga kfW kapi vlerën e 666.000 euro. Ndërtimi i landfillit do të realizohet me buxhet të shtetit në vitin 2009, që është faza e parë në vlerën 200.000.000 lekë dhe në 2010 për fazën e dytë janë planifikuar 77.000.000 lekë.

Vendi ku do të ngrihet impianti i përpunimit të mbetjeve të ngurta urbane është në Maliq (në Veri). Landfilli i shërben një popullsie rreth 180.000 banorë. Sipërfaqja e vend-depozitimit është 10 hektarë. Volumi i fushës së depozitimit, 1.500.000 m3. Prodhimi ditor i mbetjeve urbane, 126 ton, ndërsa prodhimi vjetor 45.000 ton. Prodhimi vjetor i mbetjeve të ndërtimit, rreth 40.000 ton. Distanca nga qyteti i Maliqit, 1.1 km dhe jetëgjatësia e landfillit, 20 vjet. Aktualisht ky projekt është në fazën e përgatitjes së projekt-zbatimit.

Landfillet e Vlorës dhe Sarandës

Në Vlorë ka përfunduar studimi i fizibilitetit për përcaktimin e vend-depozitimit për përpunimin e mbetjeve të ngurta urbane nga kompania amerikane “TEC ison”, në fillim të vitit 2006, financuar nga KE. Është planifikuar me buxhet të shtetit studimi i projekt-zbatimit në vlerën 20.000.000 lekë për vitin 2009 për ndërtimin e landfillit. Është planifikuar ndërtimi i landfillit në vitin 2010 faza e parë në vlerën 125.000.000 lekë dhe faza e dytë 2011 në vlerën 220.000.000 lekë nga buxheti i shtetit. Popullsia që përfiton rreth 160.000 banorë. Sipërfaqja e vend-depozitimit është 12 ha (Bestrova 1). Volumi i fushës së depozitimit 1.044.690 m3. Studimi është në përputhje të plotë me direktivën e KE-së 99/31 CE. Prodhimi ditor i mbetjeve urbane, 130 ton. Prodhimi vjetor 47.000 ton. Prodhimi vjetor i mbetjeve të ndërtimit, rreth 85.000 ton. Distanca nga qyteti i Vlorës, 5 km. Jetëgjatësia e landfillit, 15 vjet. Shpronësimi dhe kompensimi i drurëve të ullirit etj., rreth 1.180.000 euro. Në përfundim të projekt-zbatimit, i cili është duke u përgatitur, do të përcaktohen qartë financimet e mësipërme.

Ndërkaq për sa i përket landfillit të Sarandës, ai do ndërtohet në Bajkaj të këtij qyteti, i cili do të fillojë këtë vit dhe realizohet me investim të Bankës Botërore. Vlera e investimit është 2.600.000 dollarë. I shërben një popullsie prej 18.000 banorësh. Sasia e mbetjeve që prodhohen është 2500 ton në vit. Punimet për ndërtimin e këtij landfilli kanë nisur në nëntor të vitit të kaluar dhe në fund të muajit gusht të këtij viti përfundon ndërtimi i parcelës së parë për depozitimin e mbeturinave, kështu mbetjet urbane të qytetit të Tiranës do të fillojnë të depozitohen sipas standardeve të Komunitetit Evropian. Bashkia e Tiranës do ta administrojë këtë landfill. Punimet për ndërtimin e këtij landfilli do të përfundojnë në fund të vitit 2009. Afati përfundimtar i ndërtimit të landfillit është brenda vitit 2009. Distanca nga qyteti i Sarandës është 14 km.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›