“Tuborg”, birra daneze hyn në tregun shqiptar
Birra daneze “Tuborg” hyn në tregun shqiptar. Kompania ndërkombëtare U.A.B. (United Albanian Breweries) sh.p.k., e cila është pjesë e “Carlsberg International Group”, ka hyrë në tregun shqiptar të birrave me markën “Tuborg”. Drejtuesit e kësaj kompanie në një konferencë për shtyp, organizuar në hotel “Sheraton”, prezantuan objektivat e kompanisë më të re ndërkombëtare në vend. Të pranishëm në këtë konferencë për shtyp, z. Zeev Goldenberg, menaxheri i Përgjithshëm i kompanisë dhe z. Oren Turgerman, menaxher i Marketingut, shprehën kënaqësinë e veçantë për shtrirjen e rrjetit të shitjes së “Tuborg” edhe në tregun shqiptar. “Tuborg” përfaqëson investimin e parë serioz të një kompanie daneze në Shqipëri. Kjo markë e mirënjohur birre ka një histori të gjatë. Ajo ka filluar të prodhohet që në vitin 1880 dhe që nga ajo kohë “Tuborg” ka arritur të bëhet një ndër markat e birrave më të njohura jo vetëm në Danimarkë por në të gjithë botën. “Tuborg” është ndër markat e birrave që ka rritjen më të madhe në tregjet botërore dhe kryesisht në Evropën Lindore. “Ajo është e pranishme në mbi 90 shtete bashkë me mbi 12 llojet e ndryshme të birrave që prodhon. Mesatarja e rritjes në 5 vitet e fundit është 10%, ndërkohë që mesatarja e dy viteve të fundit ka qenë 15%”, - tha z. Turgerman. “Për momentin, – vijoi më tej ai, - Shqipëria ka një konsumim të ulët të birrës në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Në Shqipëri ne shikojmë kushtet e përshtatshme për zhvillimin e mëtejshëm të tregut të birrave paralelisht me ekonominë e vendit”. Z. Turgerman bëri të ditur gjithashtu se në planet afatgjata të kompanisë përfshihet edhe ndërtimi i një fabrike për prodhimin e birrës “Tuborg” në Shqipëri. “Tuborg” do të investojë mbi 30 milionë euro në Shqipëri, duke e konsoliduar praninë në treg dhe duke ndikuar pozitivisht në ekonominë vendase, veçanërisht në hapjen e vendeve të reja të punës. Deri tani në Shqipëri “Tuborg” ka punësuar mbi 100 persona. “Tuborg” bazohet në lëndën e parë më cilësore dhe në njohuritë më të fundit teknike dhe teknologjike. Cilësia e mirënjohur e kësaj birre është e kontrolluar nga grupi “Carlsberg” në Kopenhagen të Danimarkës në të gjitha tregjet ku është e pranishme. “Tuborg” është shumë e lidhur me të rinjtë dhe muzikën. Kjo markë që në fillimet e veta, 128 vjet më parë, ka qenë një katalizator i argëtimit, festave, muzikës dhe të rinjve.