E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nurja: Inflacioni i vërtetë, sipas të dhënave të INSTAT-it



Inflacioni në mars, 4.4 % dhe qershor 4%

INSTAT: S’ka arritur inflacioni në 6 për qind

Niveli i inflacionit në Shqipëri nuk ka kaluar kufijtë mbi 4.4 për qind gjatë vitit 2008. Muaji mars sipas të dhënave të INSTAT-it ka shënuar nivelin më të lartë të këtij viti, duke regjistruar një nivel inflacioni 4.4%. Ndërkaq INSTAT vëren se në muajt në vijim, ky nivel ka ardhur në rënie. Drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja, ka hedhur poshtë zërat se në vendin tonë gjatë muajit qershor ka arritur niveli i inflacionit në masën 6 për qind. Sipas saj, rezultatet e INSTAT-it tregojnë krejtësisht të kundërtën.

Drejtoresha e Institutit të Statistikave (INSTAT), Ines Nurja, siguroi dje se të dhënat për nivelin e inflacionit në vend në muajit mars dhe qershor janë plotësisht të vërteta, përkundër deklaratave të disa subjekteve politike. Sipas raportit të publikuar së fundi nga INSTAT, niveli i inflacionit në mars ishte 4.4 %, ndërsa në muajin qershor 4%, kurse subjektet politike kanë deklaruar përkatësisht shifrat 4,9 % dhe 6%. “Pesha e shportës së inflacionit, e cila ka ndryshuar në dhjetor të vitit 2007 ka dalë nga Anketa e Buxhetit të Familjeve, e cila u publikua disa ditë më parë nga ky institucion”, tha dje në një konferencë për shtyp drejtoresha Nurja. Por, - shpjegoi ajo, - si pasojë e ndryshimeve metodologjike, peshat e grupeve nuk mund të jenë njëlloj si në shportën e konsumit ashtu edhe në anketë, pasi në shportën e konsumit futen dhe peshat e produkteve, të cilat nuk janë pjesë e vlerës së konsumit si qiraja e imputuar, pajisjet afatgjata si televizor, lavatriçe, apo investimet kapitale, - tha ajo. Sipas znj. Nurja, deklaratat se 48 % e buxhetit të familjeve shqiptare shkojnë për ushqimet nga 39.2 % që është në shportën e konsumit, mund të konsiderohet ose një pretendim politik ose një lexim i mbrapshtë i të dhënave të publikuara nga INSTAT. “Kjo, pasi këto dy pesha kanë një tjetër kuptim në llogaritjen e inflacionit apo shpenzimeve të buxhetit të familjeve”, - nënvizoi Nurja. Drejtoresha e INSTAT theksoi se institucioni që ajo drejton nuk është bërë asnjëherë pre e politikës lidhur me publikimin e shifrave. Ajo ftoi të gjithë subjektet politike që kanë dyshime mbi të vërtetat e shifrave të publikuara nga ky institucion, që të vijnë në INSTAT dhe të kontrollojnë një për një skedarët e llogaritjes.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›