E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stabiliteti i sistemit financiar, shtohen risqet



BSH miraton “Raportin e Stabilitetit Financiar për vitin 2007”

Risku nga zgjerimi i mëtejshëm i investimeve të sistemit

financiar në aktive me kthim të lartë

Stabiliteti i sistemimit financiar shqiptar po rrezikohet nga risqe që Banka e Shqipërisë i konstatuar në një raport për vitin 2007. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi “Raportin e Stabilitetit Financiar për vitin 2007”. Sipas këtkij raporti niveli i risqeve për stabilitetin financiar shqiptar është në rritje. Sipas këtij raporti,

ndonëse niveli i rreziqeve është i administrueshëm, rekomandohet rritja e kujdesit mbikëqyrës nga ana e autoriteteve rregullative të tregut financiar, nga vetë institucionet financiare dhe nga publiku.

BSH publikon raportin e parë të Stabiliteti Financiar

Ky është numri i parë i Raportit të Stabilitetit Financiar, një publikim i Bankës së Shqipërisë, i cili do të vijojë të përgatitet çdo vit. Qëllimi i raportit është identifikimi dhe vlerësimi i rreziqeve me të cilat ndeshet sistemi financiar dhe infrastruktura e tij, për t’i dhënë autoriteteve publike mundësinë e identifikimit të masave përkatëse për korrigjimet e nevojshme. Për hartimin e raportit, janë shfrytëzuar të dhëna që disponohen në Bankën e Shqipërisë, si edhe është shkëmbyer informacion me autoritete të tjera që mbikëqyrin veprimtarinë e tregut financiar. Stabiliteti i sistemit financiar është vlerësuar në bazë të performancës dhe rreziqeve që krijohen nga ndërveprimi i tij me mjedisin e përgjithshëm ekonomik, të brendshëm dhe të jashtëm, si edhe nga veprimtaria e tij. Për të vlerësuar rreziqet që vijnë për shkak të ndërveprimit me mjedisin rrethues, janë analizuar zhvillimet makroekonomike dhe të tregjeve brenda vendit dhe në ekonomitë e huaja partnere. Janë vlerësuar zhvillimet e përgjithshme dhe pritshmëritë në rritjen ekonomike, bilancin tregtar, nivelin e përgjithshëm të çmimeve, kursin e këmbimit dhe treguesit fiskalë. Janë analizuar zhvillimet më të fundit në tregjet financiare ndërkombëtare dhe ekonomitë e zhvilluara dhe është bërë një vlerësim mbi ndikimin e tyre në sistemin financiar të vendit dhe në sektorin bankar. Gjithashtu, nëpërmjet një analize të situatës së punëzënies, është vlerësuar situata e të ardhurave personale dhe efektet që ajo ka mbi aftësinë paguese të kredimarrësve të sektorit bankar. Për të vlerësuar rreziqet që rrjedhin si rezultat i veprimtarisë së sistemit financiar, janë analizuar zhvillimet në treguesit kryesorë të shëndetit financiar të tij, ku përfshihen kapitali, cilësia e aktiveve dhe performanca financiare. Madhësia e rreziqeve është vlerësuar nëpërmjet analizës “Stress-Test”. Është realizuar gjithashtu një vlerësim i përmbledhur i situatës së sektorit financiar jobankar. Të dhënat dhe analiza përfshijnë kryesisht zhvillimet gjatë vitit 2007 por edhe të tremujorit të parë të vitit 2008. Pritjet për zhvillimet e ardhshme shtrihen përgjithësisht, deri në fund të vitit 2008.

BOX

Nga rrezikohet stabiliteti financiar

Analiza e karakteristikave të rreziqeve të veprimtarisë financiare në vendin tonë, tregon për rritjen e nivelit të përgjithshëm të rrezikut. Spektri i rreziqeve është zgjeruar gjatë vitit 2007 dhe kjo prirje do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti. Kjo ecuri diktohet nga zgjerimi i mëtejshëm i investimeve të sistemit financiar në aktive me kthim (dhe rrezik) më të lartë, nga zhvillimet e brendshme të ekonomisë, nga hapja e saj dhe nga integrimi gradual në tregjet financiare rajonale dhe globale. Megjithatë, në bazë të analizës së autoriteteve rregullative, përgjithësisht sistemi financiar paraqitet aktualisht i mbrojtur nga rreziqet, që vijnë si rezultat i zhvillimeve të brendshme dhe nga ato rajonale e globale. Në këtë kuadër, nuk identifikohet ndonjë rrezik i cili ka mundësi të lartë materializimi dhe që mund të dëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe të rëndë veprimtarinë e sistemit financiar. Ndonëse niveli i rreziqeve është i administrueshëm, rekomandohet rritja e kujdesit mbikëqyrës nga ana e autoriteteve rregullative të tregut financiar, nga vetë institucionet financiare dhe nga publiku.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›