Kuvendi i Kosovës, komision hetimor antikorrupsion
EULEX-i dhe prokuroria vendëse pritet që muajve në vijim të ndihmohen edhe nga deputetët e Kosovës në zbardhjen e aferave korruptuese dhe të keqpërdorimeve të ndryshme brenda institucioneve shtetërore. Pas miratimit të ligjit për hetime parlamentare, partitë opozitare kanë nisur të bëjnë analiza të brendshme se në cilët sektorë është më imediate për të bërë hetime të këtij niveli. Nënkryetarët e AAK-së, AKR-së dhe ai LDD-së, të shtunën kanë konstatuar se në rrethanat aktuale ka shumë sektorë që u duhen nënshtruar hetimeve, por asnjëri nga ta, nuk ka pranuar të fliste në mënyrë specifike, para se të merren vendimet partiake për inicimin e kërkesave për krijimin e komisioneve të veçanta hetimore. Në bazë të ligjit, ngritja e komisioneve të tilla mund të iniciohet nga çdo grup parlamentar, ndërkaq mund të zyrtarizohet vetëm nëse arrin të marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve. Ligji parasheh që në komisione hetimore të përfshihen të gjitha grupet parlamentare, veçse në krye të tyre të jenë opozitarët. Hetimet parlamentare nuk parashihen të bëhen për ta nxjerrë ndonjë person të caktuar para përgjegjësisë penale, mirëpo, raportet që mund të nxirren nga komisionet hetimore, do të mund të shërbejnë si bazë për inicimin e hetimeve nga organet e prokurorisë.
#