E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxhuku: TVSH, problem mbyllja e bizneseve

25/03/2010 Deklarata

Ulja e pragut të Tatimit të Vlerës së Shtuar nga 8 në 5 milionë lekë xhiro-vjetore, po shoqërohet me fenomenin e vetëmbylljes nga ana e bizneseve të aktivitetit, për tiu shmangur këtij tatimi. Sipas Konfindustrisë, me qindra biznese të vogla po përpiqen të fshehin xhiron e tyre, për të mbetur jashtë skemës së TVSH, duke u mbyllur dhe hapur sërish me emër të ri. Administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku deklaroi dje se “bizneset nuk lëshojnë më faturë tatimore. Megjithëse skema e re u bë për të luftuar informalitetin, diferenca prej 3 milionë lekësh nuk po mblidhet. Kjo situatë rëndon mbi industritë, konkurrencën, buxhetin e shtetit dhe pushtetit vendor, kjo krijon evazion fiskal". Në fuqi prej janarit të këtij viti, ndryshimi i pragut të TVSH është parashikuar të prekë rreth 13 mijë biznese të vegjël, me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë në të gjithë vendin. Tatimorët mendojnë se nëpërmjet nxitjes së përdorimit të faturave tatimore, në çdo transaksion, do të ulet ndjeshëm shkalla e informalitetit në ekonomi. Nga ana tjetër, biznesi i vogël po has shumë probleme në plotësimin e vetëdeklarimit të të ardhurave. Ky proces filloi më 9 mars dhe mbyllet në 31 mars, pra pas një jave. Vetëm kaq kohë ka biznesi i vogël të plotësojë një formular të komplikuar për ta dorëzuar pranë pushteti lokal. Ndërkohë që është e specifikuar në ligj, që biznesi i vogël duhet të ketë të punësuar part-time një ekonomist dhe në fund një ekspert kontabël për të mbyllur bilancin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›