E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Është rritur borxhi, bankat të zhbllokojnë kreditë

25/03/2010 Banka e Shqipërisë konstaton rënie të konsumit. Nuk ndryshon norma e interesit

Shqipëria ka pësuar rritje të borxhit publik si pasojë e shpenzimeve të vazhdueshme, çka ka sjellë rënie të konsumit, ndërkohë që Banka e Shqipërisë nuk do të ndryshojë normën bazë të interesit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, bëri dje një panoramë të situatës ekonomike që po kalon vendi ynë, ndërkohë që deklaroi se norma bazë e interesit do të mbetet 5.25 për qind. Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Fullani deklaroi se ka frenim të aktivitetit ekonomik dhe rënie të importeve, si dhe borxhi publik është rritur si pasojë e rritjes së shpenzimeve. Sipas tij, ka përmirësim në treguesit monetarë për tre muajt e 2010-ës, ndërsa në lidhje me kreditimin, kreu i BSH ka deklaruar se kushtet e kreditimit janë shtrënguar.“Treguesit monetarë janë përmirësuar në 3 muajt e 2010-ës. Ndërsa kushtet e kreditimit janë shtrënguar. Përgjithësisht mbizotëron kredia në lekë”, deklaroi ai. Për këtë arsye, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u ka bërë thirrje bankave të lehtësojnë kushtet e kredimarrjes, si dhe të tregohen më largpamës duke marrë rol nxitës në ekonomi. “Të lehtësohen kushtet e kredimarrjes dhe rol këtu duhet të luajnë bankat, sistemi bankar të tregohet më largpamës duke marrë rol nxitës në ekonomi”, vazhdoi Fullani, duke theksuar se tkurrja e kreditimit është një problem global. Gjatë fjalës së tij, kreu i BSH pranoi që inflacioni më muajin shkurt arriti në kuotën 4.4 % duke tejkaluar kështu normën, por sipas tij kjo rritje e inflacionit do të ketë veprim afatshkurtër. Guvernatori i BSH u bëri thirrje bankave dhe bizneseve të bashkëpunojnë. “Inflacioni tejkaloi normën duke arritur në 4.4 për qind në muajin shkurt, por ky është një veprim afatshkurtër dhe BSH do veprojë sipas ecurisë së treguesve. Mbikëqyrja e bankave nga ana e BSH do të sjellë më shumë stabilitet, edhe pse duhet të rritet nga ana tjetër bashkëpunimi mes biznesit dhe bankave”, nënvizoi ai. Gjithashtu, Guvernatori pohoi se aktiviteti ekonomik vlerësohet të ketë regjistruar një ngadalësim progresiv të ritmit të rritjes këto gjashtë muajt e fundit. “Treguesit më të fundit të ekonomisë reale, si treguesit e shitjeve, treguesit monetarë dhe ata të besimit, sinjalizojnë frenimin e mëtejshëm të rritjes ekonomike gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009 dhe fillimit të vitit 2010. Stopimi i investimeve nga pjesa më e madhe e bizneseve, shfrytëzimi i ulët i kapaciteteve, rënia e importit të mallrave kapitale dhe rritja e ulët e kredisë për investime, dëshmojnë për një ecuri të ngadaltë të investimeve private edhe në muajt e parë të këtij viti”, përfundoi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Greqia

Në Shqipëri nuk ka vend për panik se kriza greke mund të ndikojë në sistemin tonë bankar. Megjithëse ministri i Financave, Ridvan Bode, e ngriti këtë shqetësim para dy ditësh, Guvernatori Fullani deklaroi dje se nuk ka vend për panik. Për të eliminuar pasojat që mund të vijnë nga vendi fqinjë, Banka e Shqipërisë garantoi mbikëqyrje të rreptë ndaj bankave në vendin tonë.

Situata

Pas goditjes së rëndë të pësuar gjatë vitit 2008 dhe gjashtë muajve të parë të vitit 2009, ekonomia botërore ka hyrë në një fazë rikuperimi të aktivitetit ekonomik, e stimuluar nga politika monetare dhe fiskale ekspansioniste. Bankat qendrore kryesore kanë vazhduar të ndjekin politika monetare lehtësuese, me qëllim mbështetjen e tregut të kreditit dhe garantimin e qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike. Fundi i recesionit ekonomik është shoqëruar nga gjallërimi i presioneve inflacioniste.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›