By pass mbi Thirrë, "çmend" çmimin e biletës së Tiranës
KUKES/ JONUZ HALLAÇI
Pas mbylljes së tunelit të Kalimashit, në agjencinë e udhëtarëve në Kukës, ditët e fundit është kthyer në refren të zakonshëm të shoferëve “hajde për Tiranë, rruga nga Thirra”.Që nga dita e mbylljes së tunelit nuk ka shumë udhëtime drejt kryeqytetit, përjashtuar rastet emergjente. Shkak duket se është bërë dyfishimi i çmimit të biletës. Disa fuoristrada, të cilat munden që të përshkojnë pa problem rrugën e shkurtër apo by pass-in te tuneli, synojnë të mbajnë prezente udhëtimin drejt Tiranës me autostradën. Bileta, kushton sa dyfishi i furgonit apo trefishi i autobusit. Rruga e shkurtër që kalon sipër masivit të malit të Thirrës dhe Kalimashit është 22 km, me një terren mjaft të vështirë dhe mund të përshkohet vetëm me fuoristradë, e hapur nga punëtorët e Bechtel-it. Udhëtarët kanë nisur të kërkojnë këto mjete, pasi rruga duke kaluar mbi by pass-in zgjat vetëm 2 orë e 50 minuta, (nga 2 orë e 30 minuta që zgjaste nga tuneli) ndërsa rruga e vjetër jo vetëm zgjat rreth 6 orë, por është edhe tepër e lodhshme për ta. Vetëm by pass-i zgjat 40-50 minuta në një trase të paasfaltuar. Kjo rrugë u merr udhëtarëve deri 1.500 lekë për person, pa llogaritur që në rastet e urgjencave apo në mbrëmje vonë çmimi shkon shumëfish më shumë. Me fuoristrada udhëtojnë zakonisht studentët e vonuar, nëpunës të administratës, biznesmenë etj., duke bërë edhe kategorizimin e udhëtarëve, në të “kamur” për ata që udhëtojnë nga Thirra dhe në të “varfër” për ata që udhëtojnë me autobus nga Qafa e Malit. Te tuneli i Kalimashit gjithçka të ngjan e shkretë. Janë hequr orientuesit e korsive dhe janë vënë betone që tregojnë se në këtë rrugë nuk kalohet. Një punëtor i sigurisë tregon se që nga pezullimi i lëvizjes në tunel, punët janë përqendruar në thellësi për përfundimin e segmentit të lënë përgjysmë. Punohet me tre turne në të dy galeritë njëkohësisht. Punëtori tregon se në mesin e tunelit ndodhet një brez shkëmbor i thërrmuar si zhavorr në dhjetëra metra gjerësi dhe aty do të ndërtohet një betonim cilindër në të dyja galeritë. Hyrja e tunelit verior pushon tani pas gjithë asaj lëvizjeje që është kryer në të gjatë verës. Pushojnë edhe ventilatorët gjigantë që realizonin ajrimin. Për aq muaj sa ishte në funksion në të lëvizën rreth 1.8 milion persona. Rreth 100 metra para se të ballafaqohesh me betonet e bllokimit të tunelit është rruga që përshkon nga sipër malin e Kalimashit dhe atë të Thirrës. Eshtë e shtruar me zhavorr nga “Bechtel-Enka”, pasi kjo kompani e ka përdorur rreth dy vjet për transport në dy anët e tunelit. Pa llogaritur lartësinë mbi nivelin e detit, që shkon në 1,050 metra, ky by-pass nuk është shumë i sigurtë për lëvizjen e mjeteve. Aty dy muaj më parë, në kohën kur tuneli u mbyll për tre ditë për disa riparime, u grabitën dy shtetas kosovarë nga udhërrëfyesit që ata kishin paguar. Ata që nuk kanë mundësi të përballojnë dot çmimin e udhëtimit, janë të detyruar të ndjekin rrugën e vjetër, e cila kushton 6 mijë lekë të vjetra.