Vdes apo ngordh?
Edmond Tupja Zakonisht, të paktën me sa më kanë mësuar dikur e me sa di ende, folja “vdes” përdoret për njerëzit, kurse ajo “ngordh” për kafshët. çka e vërteton edhe Fjalori i shqipes së sotme (Tiranë, 2002): “VDES, nuk jam më i gjallë, nuk jetoj më (për njerëzit)” dhe “NGORDH, pushon së jetuari (për kafshët)”; vetëm se fill pas këtij përkufizimi të dytë, vjen një përjashtim: folja “ngordh” u përdorka, në kuptimin keqësues, edhe për njerëzit. Gjithsesi, asnjë njeri nuk thotë, në vetën e parë, “Kur të ngordh unë”, ndërsa kur bëhet fjalë për tjetrin, d.m.th. sidomos për dikë që e urrejmë, atëherë themi “Ngordhsh!” ose “Ngordhtë!”, duke e renditur kështu në kategorinë e kafshëve.Do të isha kureshtar të dija si e konceptojnë marrëdhënien kuptimore midis këtyre dy foljeve vetë kafshët: me një minimum imagjinate mund të pohojmë, pasi t’i jemi referuar edhe thënies sër Sokratit, sipas të cilit “Sa më shumë i njoh njerëzit, aq më shumë i dua kafshët”, se, në të folmen e kafshëve, pra, këto vdesin kurse njerëzit ngordhin.“Lërini filozofimet abstrakte, zoti Tupja – mund dhe duhet të më thotë me të drejtë lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës – dhe shprehuni më konkretisht”. I ndjeshëm ndaj kësaj vërejtjeje të mundshme e fort të pritshme, po bindem pa vonesë:Tek ne, në Shqipërinë e sotme, do të na duhej, pikë së pari, të përcaktonim se ç’ndryshim ka midis njerëzve dhe kafshëve, jo vetëm për sa u përket numrit të këmbëve dhe llojit të qimeve, ndër të tjera, por edhe trajtimit të tyre. Kështu, ka njerëz që jetojnë si kafshë (p. sh. kategoria e të varfërve të skajshëm) dhe kafshë që jetojnë si njerëz, madje më mirë se këta (qen race, mace race, zogj race, peshq race). Pikë së dyti, një dallim thelbësor midis tyre më ngjan të jetë nocioni “borxh” ose “listë”, sepse vetëm njerëzit mund të jetojnë me borxhe ose me lista te dyqanet, kurse kafshët kurrsesi. Por kur bëhet fjalë për të rrëmuar nëpër kazanet e plehrave, dallimi midis kafshëve dhe njerëzve sikur po mjegullohet në këtë kohë krize botërore: një luftë e ashpër zhvillohet midis katërkëmbëshve e dykëmbëshme rreth e rrotull kazanëve në fjalë, për të ndarë zonat e influencës për të (mbi)jetuar.Sidoqoftë, lypset ta konsiderojmë veten të lumtur që nuk jemi perandori e që nuk kemi senat, sepse mund të na dilte një Kaligulë që ta emëronte kalin e tij senator, si në Romën e Lashtë. Madje habitem se si diktatori Hoxha, një lloj perandori, nuk emëroi deputet apo ministër ndonjë kalë, mushkë apo gomar, por ama, që të mos ia hamë hakun, një ish-karrocier e emëroi si të tillë; ç’është e vërteta, më ndodh nganjëherë të përballem me mëdyshjen se mos vallë ka pasur midis deputetëve të tij jo një (sa për të përzënë syrin e keq) por shumë gomarë të maskuar si njerëz. Kjo mëdyshje nuk më lind për Kuvendin e sotëm, kur shoh, si djathtas edhe majtas, shoh zonja deputete e zotërinj deputetë të denjë për emrin njeri, paçka se herë pas here hedhin vickla ose lehin e kafshojnë me fjalë (gjuha kocka nuk paska, por ama kocka thyeka!) jo vetëm në Kuvend, por edhe në media. Së fundi, duke përsëritur majmunërisht fjalët e liderëve të tyre (shembulli aktual më tipik dhe më qesharak: “Hap kutitë ose largohu!”), disa deputetë tregojnë se janë darvinistë të thekur; rrjedhimisht, do të ishte mirë që në sallën e Kuvendit të viheshin ca pemë, mundësisht baobabë, ku të kacavirreshin shimpanzetë në fjalë. Hajde e merre vesh, në këtë rast, ndryshimin midis njeriut dhe kafshës: cili vdes e cili ngordh? Apo një palë vdesngordhin e një palë ngordhvdesin? Po për çfarë? Për pushtet, sigurisht! Në këtë drejtim, folja “ngordh” merr edhe kuptimin “adhuroj babëzisht dikë ose diçka”, kuptim që nuk figuron në Fjalorin e shqipes së sotme të botuar në Tiranë në vitin 2002, por në fjalorin e pabotuar të klasës sonë politike.