Rusmali: S’kemi asgjë ndaj presidentit
BLEDAR HOTIKëshilli i Evropës ka kërkuar hetim të zgjedhjeve, por jo hapje të kutive të 29 qershorit. Ky ka qenë komenti i bërë nga deputeti i PD-së, Ilir Rusmajli, i cili është edhe kreu i delegacionit në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Sipas tij, hetimi i zgjedhjeve nuk parashikon hapjen e kutive të votimit, por zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. “Doja të evidentoja amendamentin tonë numër 5 që lidhet me nenin 7 të rezolutës, i cili largon çdo lloj mundësie për keqpërdorim të mesazheve që na vinë nga komuniteti ndërkombëtar, sepse ky amendament dhe ky nen i rezolutës i thotë politikës në Shqipëri respektoni shtetin ligjor, respektoni rregullat e lojës, respektoni Kushtetutën, kuadrin ligjor dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese sa here do të kërkoni nëpërmjet lëvizjeve tuaja politike, p.sh. Komisione hetimore apo lëvizje të tjera të ngjashme”, theksoi Rusmali. Sipas tij, “komisioni hetimor për zgjedhjet në Shqipëri do të thotë në mënyrë përfundimtare komision që respekton kuadrin ligjor dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Këtë mesazh ka dhënë Asambleja e KiE nëpërmjet rezolutës së vet dhe ky mesazh është shumë i rëndësishëm”. Rusmali thekson se ka një parim themelor Kushtetuta shqiptare, parim te cilin të gjitha këto vendime të gjykatës Kushtetuese e ruajnë dhe e mbrojnë. “Pretendimi i zotit Rama bie menjëherë poshtë sapo të konstatoni që të gjitha kërkesat. Ose pjesa kryesore e kërkesave të zotit Rama, lidhet drejtpërdrejtë me konkluzionet përfundimtare të vendimeve të Gjykatës, të Kolegjit Zgjedhor, p.sh me numërimet në Berat, me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Berat apo me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Fier. Drejtpërdrejtë kërkesat që zoti Rama përpiqet sot e gjithë ditën t’i përsërisë gati në mënyrë automatike kanë marrë përgjigje të drejtpërdrejtë dhe përfundimtare nga gjykatat shqiptare”, tha kryekomisioneri i Ligjeve. Sipas tij “nëse krijohet një komision parlamentar për zgjedhjet do të hetohet në përputhje me të gjitha prerogativat që kanë komisionet hetimore për të hetuar mbi çështjet, mbi fenomenet, mbi problemet, mbi zbatimet e ligjit”. Ndërsa ka bërë të ditur se amendamenti i tij për rolin e presidentit Topi është keqkuptuar. “Konteksti i amendamenteve që ne propozuam në Asamble ka qenë pikërisht që të koncentrohen të gjitha përpjekjet, dhe të jepet e gjithë ndihma e Asamblesë parlamentare e Këshillit të Evropës, presidentit të Republikës, me qëllim që ai brenda kuadrit që përcakton rezoluta të mund të eksploronte zgjidhjen. Asambleja në këtë rast vendosi që bashkë me këtë përpjekje të ketë dhe përpjekje të tjera dhe neve nuk jemi të keq ardhur për këtë. Ne donim vetëm të koncentrohej zgjidhja tek institucionet shqiptare”, tha Rusmali. Ai shtoi se “Unë besoj që presidenti në çdo Republikë Parlamentare ka një mjet fondamental, fjalën, fjalën e urtë dhe presidenti i republikës e ka këtë mundësi në çdo lloj rrethane. I takon atij të eksplorojë, i takon atij të hulumtojë brenda spektrit politik shqiptar, brenda ambientit politik shqiptar, i takon atij të theksojë publikisht ato mesazhe që theksohen dhe në rezolutë, i takon atij të thotë që nuk goditet Kushtetuta e vendit nëpërmjet rrugës, nuk goditen institucionet e vendit nëpërmjet protestave, i takon atij të thotë që bojkoti në një vend si Shqipëria është i dëmshëm, siç e thotë Asambleja parlamentare nëpërmjet rezolutës të vet” Ndërsa i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i PS-së. Deputetja socialiste Olta Xhaçka tha se “është për të ardhur keq që sot na përfaqësojnë në pushtet njerëz që po tallen përditë me këtë popull”. “Rusmali doli për të na treguar se Këshilli i Evropës s’paska folur për krizë kur ka shkruar në rezolutë se Shqipëria është në krizë. I bëjmë apel Sali Berishës të mos nxjerre më gjuhën përmes burrash pa gojë e fytyrë për t’u tallur me shqiptarët, po të ulet pa humbur kohë në tryezën e presidentit për të dialoguar e hapur kutitë ku janë dhe rrënjët e krizës që po mbyt shqiptarët. Në të kundërt, vetëm protesta do të kemi deri në largimin e kësaj qeverie që ka grabitur zgjedhjet për të grabitur gjithë Shqipërinë”, tha Xhaçka.