“Rama është për izolimin e Shqipërisë”
Deputetja demokrate, anëtarë e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, Lajla Pernaska, akuzoi dje kreun e PS-së se është për izolimin e vendit nga institucionet ndërkombëtare. “Doja të përcjell para jush sot faktin që akti i shëmtuar dhe antikombëtar, për përjashtimin e Shqipërisë nga KE, i organizuar me paramendim nga Edi Rama e pinjollët e tij, zgjoi një përçmim të madh në Asamblenë Parlamentare të KiE. Nga të gjithë kolegët parlamentarë të të gjithë delegacioneve të vendeve anëtare të KiE-së, ky akt u dënua si tejet i ulët”, u shpreh deputetja demokrate. Sipas saj, duke kërkuar përjashtimin e Shqipërisë, nga një institucion ndërkombëtar, në të cilin vendi ynë është anëtarësuar nga të parat vende në rajon, që në qershor 1995, Edi Rama faktoi më qartazi se kurrë, se izolimi i Shqipërisë është trashëgimia më e zezë nga etërit e tij historikë dhe biologjikë”.