E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndikimi i Gjykatës Kushtetuese në politikë

Denar Biba Ndërsa startonin tranzicionin e tyre nga diktatura për në demokraci, pothuajse të gjitha vendet ish-komuniste të Evropës Lindore, në mënyrë të vetëdijshme ose jo, inkorporuan përmes legjislacionit të tyre edhe Gjykatat Kushtetuese. Pasues (atëkohë) mekanikë të modeleve perëndimore që, siç e pranojnë edhe vetë sot,  shumë i adhuronin por pak i kuptonin, politikanët dhe ligjvënësit e kohës vendosën që të mos e mbanin për vete të gjithë fuqinë për t’i dhënë rendit politik dhe social formën që dëshironin, përkundrazi, ata ia “dhuruan” një pjesë(z) të saj Gjykatave Kushtetuese. Të krijuara përgjithësisht si ngjasime të Gjykatës Federale gjermane, ato u pajisën nga Kushtetutat me një pushtet të gjerë, që do t’u mundësonte kontrollin e legjislacionit (pra të veprimtarisë së parlamentit), zgjidhjen e konflikteve ndërmjet pushteteve, shkarkimin e Presidentit, tagra që lidhen me procesin zgjedhor e referendumet, interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, etj. Rrjedhimisht, ndonëse pak e pëlqyeshme, veçanërisht për ithtarët orë mbetur të demokracisë dhe parlamentarizmit jakobin, sot pranohet gjerësisht përfshirja e gjykatave kushtetuese në politikë – në ushtrim të funksioneve të mësipërme, natyrisht në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, por përmes pasojave apo ndikimeve të vendimmarrjes së tyre. Për të qenë më i qartë shpjegoj se, faktorizimi politik i një gjykate kushtetuese nuk vjen thjesht e vetëm për shkak të marrjes në shqyrtim të një produkti të parlamentit sikundër ligji, apo ekzekutivit (aktet normative), apo sepse zgjidh mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet p.sh. ekzekutivit dhe një njësie të pushtetit vendor (bashki), por kryesisht sepse norma në fjalë (ligj apo vendim i Këshillit të Ministrave) në vetvete ka një ngarkesë specifike në lidhje me politikën e ditës (kur fjala vjen ligji ka të bëjë me pastërtinë e figurave të funksionarëve të administratës publike – alias ligji i Lustracionit), apo akti që ka shkaktuar mosmarrëveshjen (p.sh ligji “Për Urbanistikën”) ka një ndikim direkt në një çështje me ndjeshmëri të lartë politike (p.sh. nënkalimi i “Zogut të Zi”). Të tjera vendime mund të duken krejt pa interes politik në pamje të parë, por që rezultojnë në vijim me pasoja për buxhetin e shtetit (p.sh. shfuqizimi i disa neneve të ligjit “Për sigurimet shoqërore suplementare të ushtarakëve”). Jurisprudenca kushtetuese gëlon nga shembuj të ngjashëm me sa më lart (të marrë nga Gjykata Kushtetuese shqiptare); për të përmendur vetëm disa, kujtoj përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese rumune në procedurat e impeachment-it të Presidentit Bãsescu (2007), ashpërsimin e marrëdhënieve ndërmjet Gjykatës Kushtetuese polake kur shpalli antikushtetues ligjin e lustracionit (2007), ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese çeke në zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Supreme të vendit, vendimi (aq i diskutuar) i Gjykatës Supreme të SH.B.A në çështjen Bush v. Gore (2000), ndryshimi i ligjit të zgjedhjeve nga Gjykata Kushtetuese Lituaneze (2004), etj. Akoma më tej, vendimmarrja e këtyre gjykatave ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në lidhje me interesat e shteteve respektive në arenën ndërkombëtare. Kështu, vendimi i Këshillit Kushtetues francez mbi mospërputhshmërinë e Traktatit të Amsterdam-it me Kushtetutën franceze (1998) ndaloi për pak ritmin e reformave në BE dhe u pasua me ndryshimin (e sforcuar) të Kushtetutës franceze, ndërkohë që vendimi (historik) i Gjykatës Kushtetuese gjermane (1993) në lidhje me kushtetutshmërinë e Traktatit themelues të Bashkimit Evropian (Traktati i Maastricht-it), për shkak të prestigjit të jashtëzakonshëm që ka kjo gjykatë, vendosi kushte specifike ndaj vetë BE-së, në lidhje me legjitimitetin e tij demokratik.Janë historikë (për aq sa na takon) vendimet e Gjykatës Kushtetuese shqiptare mbi heqjen e dënimit me vdekje dhe pajtueshmërinë e Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale me Kushtetutën tonë. Në rastin e parë, në një situatë nonsensi kur ligjvënësit dhe krejt politika shqiptare ndodheshin të bllokuar mes angazhimit të marrë përpara Këshillit të Evropës dhe mos aprovimit në masë të gjerë nga ana e popullsisë (elektoratit!), Gjykata Kushtetuese bëri zgjedhjen e duhur duke forcuar pozitat e lëkundura të vendit në Këshillin e Evropës dhe duke mënjanuar një pengesë të madhe nga rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Historia u përsërit ngjashëm edhe me vendimin e dytë. Ndonëse e kishte nënshkruar (për inerci) Statutin e Romës, e lëkundur si pasojë e debatit të ashpër mes BE (pro) dhe Sh.B.A (kundër) në lidhje me të, qeveria (politika) shqiptare përsëri “lau  duart”, duke e sjellë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi i kësaj të fundit se Statuti i GjND është në pajtim me Kushtetutën e Shqipërisë i “shpëtoi fytyrën” qeverisë përballë Bashkimit Evropian dhe drejtpërsëdrejti ndikoi në përshpejtimin e hapjes së negociatave të stabilizimit-asocimit (ndërkohë që në këtë kontekst R.SH. nënshkroi më pas një marrëveshje dypalëshe me Sh.B.A, për të ruajtur marrëdhëniet e mira ekzistuese). Megjithatë, fakti se vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese ka ndonjëherë ndikim në çështjet politike, kjo nuk do të thotë se këto vendime janë “politike”. Një vendim politik dhe një vendim gjyqësor janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, ata janë të tillë që nuk mund të ngatërrohen. Një vendim politik, ndryshe nga një vendim gjyqësor, nuk kërkon argumentim, shpjegim dhe arsyetim ligjor. Një politikë e mençur ofron shpjegime të karakterit social-politik për të justifikuar vendimmarrjen e saj, por ajo teorikisht mund të bëjë edhe pa to. Vendimet politike nuk mund të cilësohen si “të saktë” apo “të pasaktë” objektivisht, pasi ata justifikohen dhe gjykohen sipas një sistemi tjetër vlerash. Nga ana tjetër, kriteri kryesor, por edhe i vetëm objektiv i një gjykate (kushtetuese) është norma ligjore – Kushtetuta më e para dhe përmes saj e drejta ndërkombëtare, parimet e përgjithshme të së drejtës, doktrina, logjika dhe argumentet juridike. Në këtë mënyrë, gjykatat normëzojnë vendimet e tyre, në respekt të vlerave e parimeve të gjithë pranuara të së drejtës dhe rregullimeve të derivuara nga germa dhe fryma e kushtetutës, duke aplikuar logjikën dhe metodat e arsyetimit ligjor. E gjithë kjo nuk është as e nevojshme dhe as praktikë reale e vendimmarrjes politike. Nga ana tjetër, gjykatat kushtetuese nuk mund të ndërhyjnë dhe të kontrollojnë çështje që janë diskrecion i pastër politik. Oportuniteti politik mund të jetë objekt i kontrollit kushtetues vetëm nëse është dukshëm arbitrar (p.sh. cenon haptazi dhe rëndë barazinë e qytetarëve përpara ligjit, pa një motiv të qëndrueshëm). Përndryshe, e vetmja përgjegjësi e politikës, është përpara zgjedhësve, ditën e votimit.Së fundi, procesi i kontrollit paraprak të kushtetutshmërisë së “Marrëveshjes ndërmjet R.Sh. dhe R.Greke  për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare...”  ishte për Gjykatën Kushtetuese shqiptare një rast, nga ata që vijnë rrallë në jetën e një gjykate të tillë, por edhe në aktivitetin profesional të një juristi të së drejtës kushtetuese. Në një mënyrë, të gjithë ata që morën apo kontribuuan në marrjen e vendimit për këtë çështje, mund dhe duhet ta ndjejnë veten fatlumë; në një mënyrë ata bënë histori. Përtej karakterit në thelb të këtij vendimi dhe gjithë konotacioneve që gjithkush mund ti japë atij në varësi të këndvështrimit dhe kontekstit që vetë zgjedh, personalisht vlerësoj se duhet vënë në dukje dhe falënderuar trupa e gjyqtarëve kushtetues për vendimmarrjen unanime në një çështje me sensibilitet të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar. Sikur edhe vetëm njëri prej tyre të kishte zgjedhur të votonte kundër (zgjedhje plotësisht e ndershme dhe e ligjshme sidoqoftë), me siguri që do të kishte krijuar, sado pak, një ndjesi dyshimi, apo paqartësie në soliditetin e zgjidhjes së adoptuar nga shumica e gjyqtarëve, gjë që nuk do të ishte pa pasoja. Për fat të mirë kjo nuk ndodhi, duke vijuar dhe konsoliduar precedentin e shkëlqyer të vendimmarrjes kushtetuese njëzëri- vendimeve të sipërcituara dhe duke i lënë Gjykatës Kushtetuese një shembull të vyer që vlen të ndiqet edhe në të ardhmen. Ky unanimitet i gjyqtarëve kushtetues (njerëz si gjithë të tjerët, me formim, bindje dhe interesa të ndryshme) për një çështje madhore për fatet e vendit, është gjithaq edhe një akt domethënës për aktorët e politikës shqiptare, në këtë atmosferë mosbesimi dhe intolerance që ata vetë e kanë krijuar dhe ia kanë imponuar edhe shoqërisë shqiptare. Ndaj le të urojmë të gjithë që, jo thjesht përmes pasojave të vendimmarrjes së saj, por edhe përmes sjelljes që reflekton, Gjykata Kushtetuese të ketë “ndikim” në politikë!     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›