Bylis ose Gramozi, "bileta" e fundit
Bylis dhe Gramozi do të përballen sot në stadiumin "Qemal Stafa", një duel që përcakton ekipin e fundit, i cili do të luajë në elitë gjatë sezonit të ardhshëm. Pasi janë akuzuar shpesh në javët e fundit për favorizime, ballshiotët kanë shansin që të mbeten në Superiore. Një detyrë aspak e lehtë, pasi duhet t‘i bëjnë ballë entuziazmit të Gramozit. Skuadra nga Erseka ka qenë surpriza e bukur e këtij sezoni në Kategorinë e Parë. Ata morën pjesë për herë të parë në ligat profesioniste dhe në fund u renditën të katërtit, pas Laçit, Skënderbeut dhe Kastriotit. Tashmë klubi modest është fare pranë ëndrrës për të luajtur mes skuadrave më të mira.