E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhani dhe Tomori, grushte gjyqtarit

Gjynahet e gjyqtarëve marrin në qafë Partizanin. Të kuqtë meritonim pak më shumë se një humbje 0-1 ndaj Kastriotit në ndeshjen "play-out", ku iu anulua pa të drejtë një gol i rregullt. Për të dytën herë në 63 vjet histori të skuadrës më popullore në Shqipëri, Partizani është i detyruar të rikthehet në Kategorinë e Parë, aty ku ishte edhe nëntë vite më parë. Drejtuesit e klubit ia kishin frikën gjykimit, ndaj kishin kërkuar një gjyqtar të huaj për "play-out"-in, por nuk u realizua. U përcaktua një grup gjyqtarësh i hedhur me short, i cili u kontestua fuqishëm nga të kuqtë. Dhe ishte pikërisht anësori ai që i kryqëzoi. Pritej një ndeshje luftarake dhe me tension, edhe për shkak të rëndësisë së madhe të saj. Kjo u pasqyrua edhe në fushën e lojës, ku Kastrioti tregoi më shumë qartësi në 45 minutat e para, të cilat i mbylli në avantazhin e një goli: në minutën e 44 shënoi nga një goditje standarde Arben Prela. Pjesa e dytë nisi më e ndezur, me një Partizan të ringjallur në kërkim të barazimit. Goli nuk do të vononte. Realizoi Ngjela në minutën e 70, por për fat të keq ndihmësi i Lorenc Jeminit, Arjan Mali, e anuloi pa të drejtë atë për pozicion jashtë loje. Protestat e lojtarëve të Partizanit ishin të shumta, por vendimi nuk kthehej dot pas. Me kalimin e minutave rezultati nuk ndryshoi. Pas fërshëllimës së fundit, ai gol i Prelës dhe ajo gafë e gjyqtarit u dhuruan krutanëve të Ramadan Ndreut rikthimin pas një sezoni mungesë midis ekipeve më të mira të Shqipërisë. Kastrioti e nis festën në një anë, ndërsa në krahun tjetër "zemërimi i kuq" dha shfaqjen e shëmtuar të dhunës, e cila mund ta dëmtojë edhe më shumë ekipin e saporënë në Kategorinë e Parë për të dytën herë në 10 vitet e fundit (hera e parë u shënua 1998-1999). Por, këtë herë, gjithçka ka ardhur falë një cikli manipulimesh nga "xhaketat e zeza", ndaj skuadrës që ka vuajtur më shumë gjatë këtij sezoni, për arsyet e njohura me karakter financiar. Intrigat e gjyqtarëve zbehën në këtë mënyrë punën kolosale dhe të pamohueshme të njërit prej trajnerëve më simpatikë të Superiores, Shpëtim Duros. Nëse kalojnë në skaner vetëm gafat e rënda të gjyqtarëve, del në pah se Partizanit i janë mohuar minimalisht 4 pikë, të cilët do të kishin rezultuar decizive për renditjen e tij në klasifikim, duke e nxjerrë nga zona e ftohtë. Në ndeshjen e javës 3, Tirana-Partizani 2-1, gjyqtari Ervis Peza u akuzua nga presidenca "e kuqe" për nxjerrjen e një lojtari me karton të kuq. Në javën e 6-të, Flamurtari-Partizani 1-0, gjyqtari Lorenc Jemini u dhuron me plot gojën një penallti vlonjatëve, që kthehet në golin e vetëm të kësaj ndeshjeje. Në javën e 7-të, Partizani-Bylis 1-1, Shkëlqim Guçe jep një penallti totalisht inekzistente për ballshiotët, që rezulton vendimtare në rezultat. Në javën e 11-të, Partizani-Elbasani 2-2, Albano Janku nuk dha një penallti. Më pas, goli i Elbasanit shënohet nga një 11-metërsh të paqenë pas një faulli të pandëshkuar. Në javën e 29-të, Bylis-Partizani 1-0, anësori Maloku anulon pa të drejtë një gol të rregullt të kryeqytetasve.

Reagimet

Duro: Nuk do t‘i harroj kurrë sakrificat e lojtarëve

Xhani: Kemi luajtur kundër 14

kundërshtarëve, është mëkat!

Ai gol i anuluar pa të drejtë e ka detyruar të lërë mënjanë kostumin "firmato" dhe të përveshë mangët për të grushtuar anësorin e ndeshjes Partizani-Kastrioti, Arjan Mali. Ky është presidenti i të kuqve, Albert Xhani, i cili e ka pasur të vështirë ta përtypë humbjen 1-0, që e rikthente 10 vjet pas, sërish në Kategorinë e Parë. Edhe pse ka reaguar keq, disa minuta pas sherrit në fushë ai e ka kuptuar se verdikti nuk kthehet më mbrapsht, ndaj ka filluar të bëjë llogaritë për Kategorinë e Parë, por si gjithmonë këtë ai ua faturon atyre klaneve, të cilët i ka cituar gjithmonë, se kanë punuar kundër Partizanit. "Të gjitha ndeshjet i kemi luajtur kundër 14 vetave, duke përfshirë gjyqtarët, u shpreh Xhani, pas atyre shfaqjeve të shëmtuara të dhunës. I kishim fituar të gjitha deri më tani, por në rast se ke gjyqtarët kundër, edhe mund të humbasësh. Është gjynah për këta lojtarë që kanë tetë muaj pa u paguar dhe kanë luajtur me mish e me shpirt. Ishte gjynah që na çuan deri këtu. Ne nuk kemi pasur asnjë mbështetje. Partizani është skuadër jetime. Kjo skuadër ka një histori të madhe, prandaj u them të gjithëve se Partizani nuk është vetëm i Shqipërisë, por është i gjithë botës". Në dhomat e zhveshjes, para lojtarëve të tij, të cilët në një farë mënyre janë heronjtë e sakrificës së madhe, presidenti Xhani ka folur me "zemër në dorë": "Lekët do t‘i merrini 100% në bazë të kontratave. Brenda 15 ditësh do të zgjidhet gjithçka, u është drejtuar ai lojtarëve. Shpresoj ta vazhdojmë bashkëpunimin me të gjithë edhe në Kategorinë e Parë. Ne do të jemi lajmi i ditës, edhe pse nuk do të jemi në elitën e futbollit shqiptar. Ju faleminderit për bashkëpunimin, do të kontaktoj me të gjithë në ditët e ardhshme". Më pak polemizues, jo se nuk ka mllef, por se tani ai u "mësua" me arbitrit kundër, është shprehur edhe trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro. "Më vjen keq që përfundoi në këtë mënyrë një sezon shumë i vështirë për ne që nga fillimi. Më thanë që goli i shënuar nga ne ishte i rregullt. Kjo është vërtet për të ardhur keq, pasi në futboll për një gol luhet. Gjithsesi, ne bëmë maksimumin tonë jo vetëm në këtë ndeshje, por në gjithë këtë sezon problemet ishin e shumta". Ndjeshmëria e tij është e madhe kur kujton se sakrificat e mëdha të futbollistëve të tij, për hir të faktorëve të jashtëm (gjyqtarëve, apo trukimeve të dyshuara), nuk janë shpërblyer. "Në fund të kampionatit besoj se ishte normale t‘i falënderoja futbollistët për të gjitha sakrificat që kanë bërë në këtë sezon, mbi të gjitha pasi kanë luajtur pa u paguar. Atë që ata kanë bërë, unë nuk do t‘ua harroj kurrë. Si unë, ashtu edhe futbollistët, kanë nevojë për një periudhë të qetë pushimesh, për t‘u ritakuar kur të vijë koha e riorganizimit të skuadrës. Për sa i përket të ardhmes time, do të jem në ndjekje të zhvillimeve gjatë këtyre kohëve dhe do të vendos.

Xhani dhe Tomori, grushte ndaj anësorit Mali

Skandal i drejtuesve të Partizanit menjëherë pas fërshëllimës finale të ndeshjes

Fërshëllima finale e gjyqtarit Lorenc Jemini. Partizani e sheh veten në Kategorinë e Parë. Pas kontestimeve të disa lojtarëve të kuq, ndaj treshes së gjyqtarëve, më specifikisht ndaj vijërojtësit Arjan Mali, për një moment u duk se në "Niko Dovana" gjithçka përfundoi aty. Pamja më e "fortë" televizive e atyre momenteve në "SuperSport" ishte debati i Bakallit me një prej policëve që do të shoqëronin arbitrit për t‘u futur në dhomat e zhveshjes. Madje, ndërmjet mesfushorit dhe uniformës blu nuk munguan shtyrjet, por gjithçka përfundoi aty. Megjithatë nuk ishte e thënë… rënia e skuadrës nga Superiorja dhe gabimi trashanik i anësorit nga Patosi sollën momente çmendurie në radhët e drejtuesve të klubit kryeqytetas. Katalizatori për acarimin e situatës ishte pikërisht presidenti Albert Xhani, që pothuajse gjatë gjithë këtij sezoni ka qëndruar më së shumti larg ekipit. Në ndeshjen finale, atë të cilësuar si betejën vendimtare të sezonit, ai ka zbritur nga tribuna "VIP" për të vendosur personalisht drejtësi. Xhani futet në fushë, afrohet me vrap drejt "xhaketave të zeza", duke shënjestruar Malin dhe e ka goditur shkarazi me gusht. Drejtuesi më i lartë i Partizanit është neutralizuar menjëherë nga forcat e shumta policore që ishin rreshtuar në mbrojtje të gjyqtarëve. Ata e kapën presidentin dhe kanë tentuar ta largonin, pavarësisht rezistencës së këtij të fundit. Xhani ka tentuar më kot të godasë edhe me shkelma anësorin që anuloi golin e rregullt të të kuqve, duke vulosur humbjen 1-0 me Kastriotin.

Reagimi i njëshit të skuadrës ka shkaktuar reaksionin zinxhir te vartësit dhe te disa prej futbollistëve të stolit të rezervave. Pasi u shpëtoi "kthetrave" të Xhanit, në sulm drejt vijërojtësit është hedhur drejtori i Akademisë së Partizanit, Genc Tomori. Duke përfituar nga shpërqendrimi i mbrojtësve të rendit ai ka arritur t‘i afrohet në një distancë të afërt dhe mes të dyve ka plasur sherri. Grushteve të Tomorit, Arjan Mali i është përgjigjur në të njëjtën mënyrë, duke e goditur drejtuesin e të kuqve, i cili gjithmonë e shoqëron skuadrën si pjesë e stafit. "Guximi" i treguar nga ata që kanë pozita më të larta në hierarkinë e Partizanit u ka dhënë zemër edhe disa prej futbollistëve të stolit. Edhe ata janë bërë pjesë e sherrit me grushte dhe shkelma, madje ndonjëri ka marrë edhe goditje nga forcat e rendit, që tentuan t‘i largonin me çdo kusht. Për t‘i dhënë një mësim të mirë anësorit, në fushë ka hyrë edhe një tifoz kryeqytetas, i cili arriti të zbresë nga tribuna kryesore. Ashtu si të tjerët më parë, edhe fansi i zemëruar arriti të lëshonte disa grushte, por u përball me policinë, që menjëherë e shoqëroi në komisariat. Përkrah mbështetësit kanë dalë lojtarët, të cilët nuk e kanë lejuar policinë që të vazhdonte ta keqtrajtonte. Ndërkohë, situata ka qenë e tensionuar edhe në shkallët e stadiumit të Durrësit: pjesa e tribunës ku ndodheshin tifozët e Partizanit është dëmtuar rëndë, për shkak se ndenjëset janë thyer dhe një pjesë e tyre u hodhën në fushë. Debatet e tifozëve me uniformat blu kanë vazhduar edhe shumë minuta pas përfundimit të ndeshjes, në momentin kur fansat e kuq po shoqëroheshin jashtë impiantit.

Durrës

Xhani dhe Duro, në

polici pas humbjes

Presidenti i ekipit të Partizanit, Albert Xhani, përfundon në polici, por mungesa e kallëzimit penal e lë të lirë atë bashkë me personat e tjerë që prishën rendin në stadiumin "Niko Dovana" të qytetit të Durrësit. Pesë persona, mes të cilëve presidenti dhe trajneri i ekipit mik të Partizanit, si dhe tre tifozë, janë shoqëruar e marrë në pyetje për më shumë se një orë në ambientet e Policisë së Durrësit për t‘u lënë më pas të lirë. Në njoftimin e saj për shtyp, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bëri të ditur se tifozët dhe stafi teknik që zbritën në fushë "tentuan të godasin gjyqtarët". Ndërkohë, lënia e lirë e të pestëve u argumentua nga policia me mungesën e një kallëzimi penal ndaj Xhanit, Duros dhe tre të tjerëve. "Meqenëse nga ana e drejtuesve të klubit sportiv Teuta, stadiumit ‘Niko Dovana‘, si dhe përfaqësuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ka pasur asnjë kallëzim ndaj këtyre personave, policia i ka lënë të lirë pas përfundimit të procedurave përkatëse që konsistojnë në marrjen e deklarimeve".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›